Njohësit e rrethanave politike të vendit, kanë kritikuar mungesën e vullnetit të Shkupit zyrtar, për ta bërë pjesë të Samitit në Ohër dhe presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ata kanë vlerësuar në prononcimet për “Zhurnal Plus”, se veprimi i presidentit Ivanov është jodiplomatik dhe minon raportet fqinjësore dhe integrimin rajonal.
Publicisti dhe profesor në UEJL, Emin Azemi, ka kërkuar që Maqedonia të ndjekë në këtë rast shembullin e Brukselit. Sipas tij, Kosova ka filluar t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë dhe nuk ka kurrfarë arsye që Maqedonia të mos punojë në frymën e këtij normalizimi.
“Nëse një Serbi, që deri dje konsiderohej si penguesi kryesor i shtet-formimit të Kosovës dhe sot e pranon realitetin e ri në Kosovës, çka ka Maqedonia që nuk e pranon këtë realitet, duke i dhënë Kosovës vendin që e meriton në arealin e diplomacisë ballkanike, duke ndjekur, kështu, shembullin e Brukselit. Prandaj, ende nuk është vonë që kabineti i kryetarit Ivanov të ndryshojëmendjen dhe ta ftojë edhe kryetaren e Kosovës në samitin e Ohrit”, thekson publicisti Azemi.
Sipas tij, politika shtetërore e Maqedonisë duhet të jetë më parimore edhe për shkak të aspiratave të saj eurointegruese, nga e cila kërkohet të kultivojë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet përreth.
“Në takimet e mbajtura në Vlorë dhe në Prevallë të  Prizrenit, prezenca e Maqedonisë nuk kontestohej fare dhe ishin krerët shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës ata që ofruan mikpritje për presidentit maqedonas. Nuk e di nëse është praktikë të sigurohet një pëlqim unanim i të gjithëve për pjesëmarrjen e Kosovës, por na duket se tingëllon paksa hipokrit ky arsyetim i kabinetit të presidentit Ivanov. Dyshoj se fjala është për ndonjë motiv tjetër, e që i vjen era revanshizëm ballkanas, ku keqkuptimet në vend se të zgjidhen përmes dialogut dhe mirëkuptimit, ato thellohen dhe marrin kahe të padëshirueshme”, thotë Azemi, duke shtuar se “refuzimi për të ftuar Kosovën në samitin e Ohrit në vete përmban një shantazh që i bëhet udhëheqjes së saj pas deklaratave të fundit lidhur me Maqedoni”.
Ish-ambasadori në NATO, Nano Ruzhin, mendon se presidenti Ivanov duhej të ndërmerrte në kontinuitet dhe veprime të tjera, siç është intensifikimi i kontakteve, për të përmirësuar marrëdhëniet me Kosovën.
Nëse një gjë e tillë nuk është problem për presidentin Nikoliq, shton Ruzhin, përse duhet të jetë për Ivanovin?!
“Mendoj se kjo është diplomaci jo e mençur… Mendoj se mungon iniciativa nga ana e presidentit tonë e cila është rezultat i pasivitetit të tij të madh, për të është më me rëndësi ta xhirojnë kamerat dhe të shkojë në disa vende më të largëta, ndërsa marrëdhëniet me fqinjët i lë anash. Kështu me Greqinë, me Bullgarinë, me Shqipërinë i kanë marrëdhëniet e dobëta, do të thotë nuk kemi zhvillim edhe në nivel bilateral nga ana e presidentit që është gabim i madh, pasi para së gjithash dhe mbi të gjitha elementet më të rëndësishme të çdo diplomacie janë fqinjët, regjioni dhe më pas partnerët strategjik. Për fat të keq nuk e kanë gjetur formulën dhe mendoj se mund të gjendej ajo formulë në marrëveshje me presidentin serb dhe besoj se zgjidhja ekziston, në qoftë se jo me gjithçka tjetër me atë që ne e njohim Kosovën…”, thekson Ruzhin.