Categories
Opinione

Përse po refuzohen reformat në Bashkësinë Islame të Kosovës?

Falë përpjekjes së njerëzve vizionarë me ide përparimtare, mendimi njerëzor i kulluar nëpër historinë e zhvillimit të vet, pas përpjekjeve gjigante arriti për tu transformuar në energji kreative dhe nxitëse për aktivitete të gjithëmbarshme. Këta njerëz e sakrifikuan vetveten,  por njerëzimit i dhuruan të ardhme të ndritur.
Çka është reforma dhe a lejohet të ketë reforma në Islam?
Nevoja për ndryshim është ligj i natyrës. Progresi evolutiv është i nevojshëm sepse jeta në përgjithësi nuk njeh qetësi. Ajo dhe qetësia janë dy terme kontradiktore mes vete. Për sa kohë jetohet, nevoja për ndryshime dhe reforma sa shkon e shtohet. Me gjithë pengesat e mëdha në rrugën e ndryshimeve, ideologët për reforma bënë të pamundurën për ndryshimin e shoqërive. Ata nuk i ndali as inkuizicioni, as varjet publike, as prerja e kokave aq më pak shpallja e tyre për heretikë. Asnjë fjalë e dalë nga goja e njeriut nuk pati fat më të keq por edhe ndikim më të madh në historinë e njerëzimit sa fjala reformë. Reforma është ideali i mendjendriturve, ndërsa për konservatorët është heretizëm dhe anarki.
Islami është fe e cila nuk duron vendnumërimin ndërsa myslimanët që kundërshtuan reformat dëmtuan Islamin më tepër se kushdo tjetër. Reformat i ndalojnë ata që ruajnë interesat të veta, në dëm të Islamit. Shpjegimi i fesë së Zotit nën prizmin e ngushtë të këtyre njerëzve ngushtoi horizontet e mendimit të lirë dhe si të tillë dëmtuan shoqëritë e veta ku jetuan. Kurani sikur edhe librat tjerë të shpallur nga Zoti në mënyrë eksplicite refuzuan ashpërsinë dhe format ekstreme të sjelljeve njerëzore. Shoqëria e parë myslimane ishte “mbretëri” pa mbret mbi krye ku të gjithë ishin mbretër të drejtave të veta. Popuj, kultura, tradita e zakone të shkrira në shoqërinë myslimane krijuan njërin nga mega-civilizimet më të famshme. Homogjen në tërësinë e saj por e larmishme në popuj, raca e fise, shoqëria e dikurshme myslimane ishte shembull i tolerancës dhe bashkëjetesës mes njerëzve. Muslimanët e sotëm po e përjetojnë  thellë moskuptimin e fesë së tyre. Sa po respektohen ligjet e kësaj feje, sa po zbatohen konventat e saj është çështje që do debatuar. Nëse Islami është fe e paqes, e dinamikës dhe lëvizjes përpara, atëherë sa janë myslimanët paqësor mes vete, sa janë tolerantë me të tjerët, çfarë drejtësie sociale ka sot në vendet islame, sa e duan reformën dhe sa e si janë duke ecur përpara?  Këto pyetje nuk i drejtohen Islamit, por myslimanëve të cilët nuk e kuptuan dhe as që po tregojnë gatishmëri  ta kuptojnë Islamin.
Çfarë është qëndrimi i Bashkësisë Islame karshi reformave?
Bashkësia Islame e Kosovës ka kohë që refuzon ndryshimet e nevojshme. Udhëheqësit e saj po ruajnë pozitat e tyre duke refuzuar kërkesat për reforma. Lidershipi i këtij institucioni ka prekur në sedër pjesëtarët e vet, pikërisht për shkak të qëndrimeve të ngurta karshi nevojave për ndryshime. Bashkësia Islame e Kosovës duhet të jetë shembull për reforma, sepse ajo përfaqëson fenë e cila dënon ashpër qëndrimin në një vend. Lidërshipi i Bashkësisë Islame duhet të punojë në ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit të vendit dhe shoqërisë, jo vetëm me fjalë, siç bëjnë ata sot kur u është rrezikuar pozita, po me vepra dhe me vepra të argumentonin fjalët e tyre. Qytetari i këtij vendi po ndjehet keq edhe për shkak të neglizhencës së Bashkësisë Islame ndaj rrymimeve fetare që kanë vërshuar Kosovën. Nuk ka ndodhur asnjëherë që kreu i  Bashkësisë Islame të mbledh njerëzit për të debatuar lajthitjet që i janë bërë filozofisë së punës së Bashkësisë Islame. Iniciativat për tu mbledhur, folur dhe minimizuar dallimet mes rrymimeve islame janë dënuar ashpër nga kreu i saj. Intelektualët që frekuentojnë xhamitë e Kosovës janë të irrituar edhe nga ligjërimet shterpe dhe të stërvjetruara të një numri të imamëve që ligjërojnë nëpër xhamitë tona. Ata janë të irrituar edhe nga ueb-faqja sterile e Bashkësisë Islame në të cilën nuk ka dinamikë e as shpjegime të mirëfillta të Islamit. Në atë ueb-faqe, në mënyrë qesharake promovohet myftiu por jo edhe aktivitetet dhe platforma e nevojshme që duhet ta kishte Bashkësia Islame. Lidershipi i Bashkësisë Islame edhe më tutje refuzon themelimin e Institutit Shkencor për Hulumtime Islame në të cilin do të promovoheshin vlera për vendin dhe shoqërinë. Përse dhe prej nga e gjithë kjo këmbëngulje kundër ndryshimeve është vështirë për tu kuptuar. Kreu i institucionit më të lartë fetar islam i vendit duhet të ndjehet përgjegjës për gjendjen e tendosur që është krijuar. Ai është përgjegjës sepse ka heshtur dhe ende heshtë karshi nevojave për ndryshime, përgjegjës është edhe për largimin e pjesës intelektuale nga gjiri i Bashkësisë Islame, ndërsa ata që kanë mbetur brenda, i ka strukur nëpër pozita pak të rëndësishme për institucionin e Bashkësisë Islame. Në mungesë të vullnetit për ndryshime dhe reforma, Bashkësia Islame është shndërruar në institucionin më pak transparent në vendin tonë. Në mungesë të transparencës janë shtuar mundësitë për keqinterpretime dhe keqtrajtime nga më të ndryshmet. Në vend se aktiviteti i Bashkësisë Islame të ishte orientuar në shtresimet e duhura adekuate për te, në mungesë të vullnetit  për punë kreative të udhëheqësve të saj, ajo shumë herë u gjet jashtë kornizave kushtetuese të saj, si e tillë, rolin primar të aktiviteteve fetare e la në dorë të tjerëve që nuk kursejnë asgjë për të arritur qëllimet e tyre. Organizimet e ndryshme mjaftë intensive që bëheshin nëpër shoqata jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame, këtë të fundit e strukën në pasivë, ndërsa të rinjtë që merrnin pjesë nëpër ato organizime humbën besimin dhe nevojën për Bashkësinë Islame. Islami i shpjeguar gabimisht, por gjithnjë sipas synimeve të atyre organizimeve përhapi një frymë që kurrë se kemi pasur. Në syrin e njerëzve të arsyeshëm feja e Zotit pjesërisht u degradua. Hoxhallarët të cilët në numër nuk janë pak, nuk po tregohen gjithaq aktiv sa t’i ndihmojnë kauzës së institucionit që i përkasin, jo pse nuk dinë apo nuk dëshirojnë, por se i frikohen shantazheve dhe largimit nga puna. Veprimet e kreut të Bashkësisë Islame janë dogmatizuar deri në atë masë sa janë vë në dyshim edhe qëndrimet fetare islame. Interesi i kreut të BIK-ut promovohet si interes i BIK-ut, ndërsa ata që flasin kundër atij etiketohen për kundërshtarë të BIK-ut. Muftiu i tanishëm, me pagë të përjetshme për vete dhe sundim absolut mbi të tjerët është bërë “halife” i plotfuqishëm dhe despot i paskrupullt që sa më shpejt duhet larguar.
Skenat rrëqethëse që i shohim nëpër rrjetet sociale janë vetëm një pasqyrë e gjendjes së myslimanëve ku ka rënë. Po aq rrëqethëse janë edhe deklaratat e kreut të Bashkësisë Islame i cili nuk mori as të vetmin hap në parandalimin e frymëzimit të këtyre të rinjve që ka mund të ndodh pikërisht në vendin tonë. Edhe skenat e të rinjve tanë që po frekuentojnë xhamitë tona, të lënë në harresë dhe në fatin e imamëve që nuk kanë gjë në dorë, që jetojnë në kufijtë e varfërisë, që duan punë dhe një mundësi më shumë për jetë, edhe ato janë një pasqyrë dhe një moment i madh reflektimi, që na tregon për shoqërinë tonë, për Bashkësinë Islame dhe për fijet e dobëta që e mbajnë lidhur me xhematin dhe qytetarët e këtij vendi. Edhe gjendja e imamëve dhe punonjësve të Bashkësisë Islame nuk është më e mirë. Janë sjellë në pozita të rënda frike dhe kërcënimi. Është lëkundur dinjiteti i tyre, pikërisht sepse po lejojnë të udhëhiqen nga kjo strukturë e Bashkësisë Islame. Shteti i Kosovës duhet të jetë më vigjilent karshi të gjitha akteve, veprimeve dhe ngjarjeve që kanë ndodhë në dhe përreth Bashkësisë Islame.
Në çka të bëhen reformat dhe si?
Reformat duhet të përfshijnë sistemin arsimor, edukativ, administrativ e sidomos atë të ligjërimit. Ato duhet të koncentrohen në mënyrën e interpretimit të Islamit tek ne, që përkon me interesat e qytetarëve të këtij vendi. Bashkësia Islame e Kosovës nuk guxon ti frikohet etiketimeve për “bidate” që mund ti vijnë nga ajo shtresë e imamëve që nuk njohin sa duhet Islamin dhe as janë në gjendje të bëjnë dallimin mes risisë së ndaluar dhe nevojës për ndryshimin e interpretimit të Islamit, në kohë dhe hapësirë. Vazhdimi i politikave të njëjta, me njerëzit e njëjtë që përdorin metoda të njëjta është pikërisht e kundërta e asaj që ne kërkojmë radhazi nëpër shkrimet tona. Islami ka thellësinë e mjaftueshme për të gjetur në te nuanca të përbashkësisë mes njerëzve, të tolerancës dhe punës në interes të njeriut. Më mban shpresa por edhe bindja e thellë se kapacitetet intelektuale do të japin kontributin e tyre në drejtim të ndryshimit pozitiv të këtij institucioni. Intelektualët dhe pionierët e progresit po kërkojnë reforma. Ata dhe shumë të tjerë janë të gatshëm për ndryshime dhe rimëkëmbjen e Bashkësisë Islame. Për tu realizuar kjo, Bashkësisë Islame i duhen njerëz të rinj, vizionarë që dinë dhe janë të gatshëm për ndryshime. Kjo strukturë e tanishme, me gjithë kontributet e veta në të kaluarën, duhet të lëshojë rrugë, së paku për hir të Bashkësisë Islame.
 
 

Exit mobile version