Gazi Salahudin
Nëse radhitesh tek të dashuruarit pas historisë, kur mbërrin në Stamboll, siç më ndodhi mua disa ditë më parë, do të përballesh me imazhe të çdo periudhe historike njerëzore. Napoloni kishte të drejtë kur pati thënë:”Nëse ka ndonjë qytet që e meriton të jetë kryeqyteti i botës, është Stambolli.”
Ky qytet, ka qenë kryeqyteti i dy perandorive madhështore për mbi 1.500 vite. Ai u themelua nga perandori Konstandin në vitin 330, dhe u bë kryeqytetin e perandorisë romake. Ai mbeti kryeqytet i perandorisë romake dhe më pas i Bizantit. Edhe kur sulltani Muhamed Fatih e mori, e la si kryeqytet të perandorisë osmane. I tillë mbeti deri kur perandoria osmane pushoi së ekzistuari në vitin 1923. Pra, Stambolli ka qenë kryeqytet për 1590 vite me radhë. Asnjë qytet tjetër në botë, nuk e ka gëzuar këtë status dhe privilegj.
Ngjarjet mbi këtë rrip toke, kanë qenë historikisht të vrullshme, edhe para konfliktit mes krishterimit dhe islamit. Kjo tokë përmban një pjesë të civilizimit helen. Qytetin e Trojës, e përjetësoi Homeri me epikën e tij legjendare Iliada, qytet i cili është territor i Turqisë moderne dhe ndodhet jo larg Stambollit.
Gjatë periudhës së krishterë, rajoni ka përjetuar aktivitet të dendur, ku ndër qytetet më të shquara të asaj kohe mund të përmendim Efes-in, pranë Izmirit aktual, qytet për të cilin thuhet se kanë jetuar djelmoshat e shpellës, të cilët fjetën në shpellë për një kohë të gjatë. Në qytetin e vjetër gjenden shtatë varre, të cilat, sipas pretendimit të banorëve, u përkasin pikërisht djelmoshave të shpellës. Zoti e di si qëndron e vërteta.
Por edhe nëse nuk ka fakte që qyteti i Efes-it nuk është ai i djelmoshave të shpellës, ajo që dihet është se ky qytet ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e krishterimit, pasi Pauli jetoi për një farë kohe në këtë qytet. Që andej, ai u dërgoi letrat e tij Korinthasve, para se të niset drejt Romës ku do të përhapte krishterimin nga kryeqyteti i Romës.
Në sfondin e këtij mozaiku historik, vendosa të meditoj dhe studioj përvojën e partisë turke për Drejtësi dhe Zhvillim, parti të cilën njerëzit e etiketojnë si parti islame. Kjo, ndërkohë që themeluesit dhe anëtarët e kësaj partie e refuzojnë këtë etiketim – nëse do, mund ta quash dhe akuzë – duke thënë se ata nuk janë veçse konservatorë të moderuar. Megjithatë, dëshmitë dhe aktualiteti tregojnë se partia rrjedh nga një pemë me rrënjë të forta islame. Shumë nga liderët aktualë, si Erdogan, Gyl dhe Dautoglu, kanë të vulosur në CV-të e tyre identitet islam dhe të gjithë kanë qenë mbështetës të liderit politik të njohur, Erbakan.
Historia e rajonit, të cilën e sollëm në mënyrë tepër të përmbledhur më sipër, është e rëndësishme për të kuptuar marrëdhëniet komplekse të Turqisë dhe Evropës në veçanti, si dhe Turqisë dhe perëndimit në përgjithësi.
Në krijimin e kësaj marrëdhënieje, ndikon shumë pozita gjeografike e cila mundëson lidhjen e fortë të Turqisë me Evropën dhe Azinë. Nëpërmjet shtrirjes së ndikimit të saj në të gjitha daljet në Detin e Zi, Turqia shndërrohet në një urë lidhëse mes Evropës, Rusisë, Ukrainës, rajonit të Kaukazit dhe Azisë qendrore.
Në krijimin e kësaj marrëdhënieje komplekse ushtron ndikim edhe e shkuara historike, e cila e bashkon Turqinë me civilizimin grek. Lulëzimi i krishterimit dhe shtrirja e tij në të gjithë Evropën kaloi pikërisht nga Turqia. Nga njëra anë, lidhja gjeo-historike kaq e fortë, e bën Turqinë një vend të tepër të rëndësishëm për Evropën. Por nga ana tjetër, disa vende evropiane, në veçanti Franca, e shohin përbërjen e popullsisë turke dhe besimin e saj islam, si një faktor të pamundur për tu përfshirë nga kultura perëndimore dhe për tu integruar tek ajo.
Ky këndvështrim është themeltar në kundërshtimin e disa vendeve evropiane për pranimin e Turqisë si anëtar me të drejta të plota në BE. Por, me gjithë këtë kundërshtim për hyrjen e Turqisë në klubin evropian, vetë BE mundohet nga larg që ti imponojë Turqisë sistemin e vlerave evropiane.
Këtu del në pah një paradoks i çuditshëm. Presionet evropiane ndaj Turqisë për adaptimin e vlerave perëndimore, ndikojnë në reduktimin e rolit të ushtrisë dhe kufizimin e saj maksimal për të mos ndërhyrë në çështjet politike. Përfituesit e parë nga kjo janë pikërisht islamikët, të cilët morën frymë lirisht për herë të parë dhe u siguruan se ndërhyrjeve të ushtrisë me pretekstin e mbrojtjes së shekullarizimit, për ti nxjerrë të jashtë skenës politike, u ka ardhur fundi. Paradoksi akoma më i çuditshëm është se përvoja politike e islamikëve në Turqi, ndoshta për shkak të ndryshimeve në zhvillimet historike dhe kulturore, përmban dallime thelbësore me përvojat politike të lëvizjeve islame në rajone të tjera, sidomos ato arabe. Islamikët turq jo vetëm që nuk ndihen keq me epitetin “islamik”, por ata po bashkëjetojnë në paqe me parimin e shekullarizimit të shtetit, duke u orvatur ta shndërrojnë atë në një shekullarizim të paqtë, siç thonë.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, që nga ardhja në pushtet në 2002 e gjer tani, ka korrur sukses të madh në sferën ekonomike, duke e radhitur ekonominë turke në vend të gjashtëmbëdhjetë në rang ndërkombëtar dhe të gjashtin në rang evropian. Me ritmet aktuale, pritet që ekonomia turke të zërë vendin e pestë, apo të katërt, në rang evropian, sidomos kur kemi parasysh rënien ekonomive të vendeve evropiane për shkak të krizës.
Kjo arritje ekonomike mahnitëse, u ka mundësuar islamikëve në Turqi, punësimin e të rinjve dhe lindjen e shpresës për ngritjen e një shoqërie në bazë të drejtësisë dhe shanseve të barabarta. Për nga aspekti shpirtëror, përvoja turke rizgjoi ambiciet dhe shpresën e myslimanëve për mundësinë e daljes nga prapambetja dhe regresi ku është zhytur bota islame.
Veç sa përmendëm, ndërhyrjet e Turqisë në disa rajone me konflikte të botës islame, si në Somali p.sh, i ka dhënë një peshë politike, duke e bërë kandidate për tu bërë aktore në arenën ndërkombëtare. Gjithë këto arritje nuk do të ishin arritur, pa politikën “zero konflikt” me fqinjët të mendimtarit Ahmed Dautoglu, ministër i jashtëm i vendit. Kjo teori politike, i ofroi Turqisë shansin e revolucionit ekonomik, pa pasur nevojë për buxhete ushtarake të superfryra me shpenzime për konfliktet me fqinjët.
Megjithatë, misioni për ta ruajtur këtë linjë suksesi, mbetet i vështirë. Politika e “zero konflikt” është përballë një testi tepër të vështirë për shkak të qëndrimit ndaj krizës siriane dhe shkëmbimit të “grushteve” mes dy palëve, e mishëruar në mbështetjen ndaj opozitës sunite nga njëra palë, dhe mbështetjes së kurdëve nga pala tjetër.
Po ashtu, shohim që muaji i mjaltit mes Turqisë dhe Irakut është në përfundim e sipër, për shkak të konflikteve lidhur me çështjen kurde. Zhvillimet mbi konfliktin në Siri, kanë lënë pasoja negative edhe në marrëdhëniet me Rusinë, por në një shkallë më të reduktuar edhe me Iranin. Nga ana tjetër, ruajtja e rritjes ekonomike nën hijen e krizës ekonomike botërore, është një mision tjetër pothuaj i pamundur.
Përvoja turke nuk i korri arritjet e saj falë standardeve të njohura islame. Turqia vazhdon të jetë një vend laik, është anëtare e NATO-s, njeh Izraelin dhe lejon SHBA-të të mbajnë bazën e tyre ajrore në Angerlek.
Partia për Drejtësi dhe Zhvillim nuk bën thirrje për zbatimin e sheriatit dhe nuk ka adaptuar një ligjërim islamik, përveçse lidhur me çështjen e të drejtës për të mbajtur shami për gratë.
Megjithatë, shumica e vëzhguesve insistojnë në konsiderimin e përvojës turke, si përvoja e vetme islame e suksesshme gjer tani. Mos vallë këta vëzhgues e bazojnë gjykimin e tyre mbi të shkuarën e liderëve aktualë turq dhe identifikimin e tyre me linjën islame? Apo e kanë injoruar fokusimin tek standardet normative islame, duke u fokusuar tek arritjet në sferën ekonomike dhe drejtësinë sociale? Mos e kanë parë përvojën e suksesshme të islamikëve turq si një kontribut të vyer në shërbim të çështjes islame nëpërmjet krijimit të një sistemi politik konsultativ, aktiv dhe të drejtë? Cilado qoftë përgjigja, përvoja turke në duart e liderit Erdogan, do të mbetet mbresëlënëse për disa, e çuditshme tek disa dhe hutuese për disa të tjerë.
Përktheu: Elmaz Fida
EDITOR
12 years ago
previous article
Unë ta përplasa makinën, kërkoj falje!
next article