Imam Muhamed Sytari Myfti i Zonës Shkodër
Temën time të kësaj nate të madhnueshme, dua ta fokusoj në pesë ndalesa, nëpërmjet të cilave, shpresoj të hedh sadopak dritë në leximin e drejtë, që pason kuptimin dhe nxjerrjen e mësimeve nga ndodhia e Israsë dhe e Miraxhit, mrekullisë së përjetësuar në dy prej sureve të Kur’anit, në “El-Isra” dhe në “En-Nexhm”. Së pari: Fillimisht, duhet të kuptojmë drejtë se kushtet dhe rrethanat në të cilat ndodhej Resulull-llahi (a.s), pas dhjetë viteve thirrje plot përkushtim, të kurejshëve dhe banorëve të Mekkës, drejt Thirrjes së Teuhidit, ishin rënduar maksimalisht.
35 ditë pas vdekjes së nënës tonë Hadixhe, gruas së tij fisnike, ndërroi jetë edhe axha i pejgamberit tonë, Ebu Talibi. Ai njihej si përkrahësi dhe mbrojtësi i tij kryesor nga cytjet dhe agresioni i kurejshëve. Në ato ditë të vështira për moralin dhe gjendjen emocionale të profetit, kurejshët nisën ta intensifikojnë armiqësinë e tyre ndaj të dërguarit, duke i shtuar fjalëve, vepra konkrete. Dy janë personazhet e palës idhujtare që spikasin me arrogancën e tyre kundër Resulull-llahit (a.s), Ukbe ibn Ebi Muajjit dhe Ebu Xhehl ibni Hisham. I pari, arriti deri në atë gradë sa ta thojë shehadetin në tallje dhe më pas të pështyjë në fytyrën e Resulull-llahit (a.s), natën kur i dërguari mori pjesë në gostinë e shtruar nga Ukbe, me rastin e martesës së të birit[1]. Ndërkohë, Ebu Xhehli, një ditë teksa Resulull-llahi (a.s) falej para Qabes së Madhnueshme, urdhëroi dikë që kur profeti të shkonte në sexhde, t’i hidhte mbi shpinë e kokë të brendshmet e disa deveve të therrura një ditë më parë, dhe ashtu u veprua.[2]
Ibni Is’haku tregon se pasi vdiq Ebu Talibi, kurejshët nisën ta lëndonin shumë Resulull-llahin (a.s), sa një ditë, njëri prej tyre i hodhi një grusht dhé mbi kokë. Ashtu në atë gjendje, i dërguari hyri në shtëpinë e tij dhe teksa e bija, që qante nga kjo pamje, i pastronte kokën, ai (a.s), i thoshte: “Mos qaj moj bijë, se All-llahu e ruan babën tënd!”.[3] Pra, një armiqësi e dukshme dhe një mungesë dialogu i pashpresë! Së dyti: I dërguari i All-llahut, është shembull dhe si i tillë, me veprën e tij na mëson se thirrësi drejt të vërtetave, asnjëherë nuk ndalet në rrugën e tij. Ai rend nga një vend në një tjetër, por asnjëherë nuk heq dorë nga thirrja drejt së vërtetës!
Pasi mekasit e refuzuan thirrjen e tij, hz. Muhammedi (a.s) u drejtua nga qyteti i Taifit, 75 km larg Mekës. I shoqëruar edhe nga Zejd ibni Harithe, u largua nga vendlindja drejt një realiteti tjetër, me shpresë së dikush do të udhëzohej në besimin e Njësisë së Zotit! Fillimisht trokiti në dyert e zotërinjve të Taifit, Abd Jalejl, Mesud dhe Habib, të bijtë e Amr ibn Umejr Thekafiut. I pari i tha: “Unë e shqyej mbulesën e Qabes, nëse All-llahu të ka dërguar ty profet!”. I dyti i tha: “A nuk ka gjetur All-llahu dikë tjetër pos teje që ta dërgojë profet?!”. I treti, nuk denjoi as ta priste, por i nxori një nga shërbëtorët e tij dhe i tha: “Nëse ti je profet, nuk i takon një njeriu si unë të flasë me profetë. E, nëse je mjeran, një si unë nuk denjon të flasë me mjeranë!”.[4] Pasi kërkoi prej tyre ta lejonin qoftë edhe të jetonte i izoluar në mes tyre, t’u mësonte fenë e All-llahut njerëzve përreth, ata e refuzuan dhe urdhëruan fëmijët ta gjuanin me gurë, derisa i ra të fikët. Nuk u mjaftuan me kaq, e kapën për krahësh dhe vazhduan ta godisnin e ta gjuanin, sa i rrodhi gjak nga koka tek këmbët… Me ndihmën e Zejdit u largua e, pasi u zgjua nga ajo gjendje e rëndë, i mërzitur, i thyer, i lënduar iu drejtua Zotit të tij me një lutje, që është pikë referimi për secilin prej nesh, kur kaplohet nga padrejtësia dhe hallet në jetë: “All-llahumme ty të ankohen për dobësinë e fuqive të mia dhe situatën e rëndë në të cilën gjendem… Të lutem të më mbrosh nga poshtërimi njerëzor. Ja Errhamerr-Rrahimine! Ti je Mbrojtës i të dobtëve. Ti je Zoti im. Në dorë të kujt po më lë?… O Krijuesi im, nëse Ti nuk je i hidhëruar me mua, atëherë nuk mërzitem për të gjitha këto vuajtje…”[5] Në ato momente, kur e ngriti kokën, kishte mbërritur Xhibrili dhe meleku i maleve. Tashmë fatet e Taifit ishin në dorën e Resulull-llahit (a.s), i cili përzgjodhi mëshirën dhe shpresën e brezave të ardhshëm, që do ta lartësonin Fjalën e Teuhidit, dhe ashtu ndodhi… Së treti: Nata e 27- të e muajit Rexheb. Kishte mbërritur nata e shpërblimit të durimit, nata e mrekullive, nata e shpërblimeve universale. Atë natë e përshkruajnë ajetet e para të sures El-Isra: “I pa të meta është Ai që bëri të mundur udhëtimin natën të robit të Tij nga Mekka në Kuds, rrethinat e të cilës i kemi begatuar, që t’i tregojmë Atij prej argumenteve tona…”.[6]
Atë natë, librat e historisë rrëfejnë namazin e Zotërisë së bijve të Ademit, si imam i krejt pejgamberëve[7]! Ky argument është thirrje që muslimani të jetojë me krenari, si pasues i Muhammedit (a.s). Prandaj, është e domosdoshme t’i themi njëri-tjetrit: “Ngrije kokën se profeti yt është Muhammedi (a.s)”. Së katërti: Lartësimi nga Kudsi drejt hapësirave qiellore, sipas rrëfimit të Malik ibni Sa’sasë, që dëshmon se kur i dërguari fliste për Isranë dhe Miraxhin, ndër të tjera thoshte: “… Pastaj u fala dy rekate në Bejtul-Makdis dhe dola. Xhibrili më solli dy enë, njëra me qumësht dhe tjetra me verë; zgjodha qumështin. Xhibrili më tha: Zgjodhe fitran (natyrën e pastër me të cilën i ka krijuar Zoti krijesat e Tij)”. Pastaj u ngritëm në qiellin e parë, ku u takova me Ademin, i cili më mirëpriti dhe u lut për mua. Pastaj në qiellin e dytë, ku u takova me Isain të birin e Merjemes dhe Jahja ibni Zekerijanë. Pastaj në qiellin e tretë, me Jusufin. Pastaj në të katërtin, me Idrisin. Pastaj në të pestin, me Harunin. Pastaj në të gjashtin, me Musain. Dhe në të shtatin, me Ibrahimin që kishte mbështetur shpinën e tij te Bejti Ma’muri, në të cilin hynin çdo ditë 70 mijë melekë, që nuk dilnin më prej aty. Pastaj u mora drejt pemës së Sidretul-Muntehasë me gjethe të mëdha si veshë elefanti…, derisa e mbuloi urdhëri i Zotit dhe askush prej krijesave nuk mund ta përshkruajë më bukurinë e saj… Aty All-llahu më urdhëroi faljen e namazit 50 namazeve në ditë…”[8] Së pesti: Kthimi në Mekkë dhe lajmërimi për ndodhinë. Kush do ta besonte një ngjarje të tillë, që ndodh brenda një nate, rreth 1420 vite më parë? Për këtë All-llahu urdhëron në suren El-Enam, 111: “Edhe sikur t’u dërgonim atyre melekët, t’i bënim të vdekurit t’u flisin atyre dhe t’u tubonim të gjitha gjërat para tyre[9], ata përsëri nuk do të besonin, nëse All-llahu nuk do të donte; por shumica e tyre janë të paditur”.[10] Të nderuar lexues! Ajo që dua të nxis nëpërmjet kujtimit të këtyre stacioneve, në leximin e Israsë dhe Miraxhit, është vullneti për të shikuar secili në zemrën e tij, për të gjetur dashurinë e All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Më pas, i udhëhequr nga kjo dashuri, të ndërtojë jetën, sado që ta ketë shkatërruar më parë, sepse All-llahu është falës dhe udhëzimi është vetëm në dorën e Tij! Duke lexuar Isranë dhe Miraxhin, muslimani në çdo kohë, mëson se All-llahu (xh.sh), nuk e lë në baltë robin e Tij, të përulurin, atë që i ka kushtuar jetën dhe ka vendosur ta ndërtojë atë sipas pëlqimit të Tij. E, pëlqimi i All-llahut është miradia e njeriut në këtë botë dhe në tjetrën! Si jo, kur në Kur’an ka urdhëruar zënien e dijes dhe perfeksionimin e shkencave. Ka nxitur pastërtinë, martesën, fitimin e hallallit, dhënien dhe solidarizimin me të varfërit. Ka urdhëruar ndërtimin e një shteti të fortë, bindjen ndaj prijësit të drejtë, këshillën në shoqëri, ruajtjen nga thashethemi dhe distancimin nga përfolja. Ka ndaluar në mënyrë kategorike konsumimin e pijeve dehëse. Ka nxitur ruajtjen e nderit dhe të kurorës, mbulimin e femrës dhe ruajtjen e shikimit. Ka shenjtëruar vëllazërimin dhe dashurinë për hir të Tij, si dhe ka udhëzuar drejt harmonisë dhe dialogut ndërtues me pasuesit e Librit. Ka urdhëruar respektin ndaj prindit dhe na ka ndaluar t’u themi qoftë edhe “uf”. Të gjitha këto e të tjera, të përshkuara nga lidhësa e përmendjes së vazhdueshme e All-llahut, në të mirë dhe në të keqe. Në këmbë e të shtrirë. Në qetësi e në lëvizje.
A mund ta bëjmë ne këtë, që të meritojmë të quhemi muslimanë, apo e kemi të vështirë të ndahemi nga zakonet dhe veset e rëndomta që na përkufizojnë si njerëz primitivë dhe të paqytetëruar?
Përgjigjen më të drejtë duhet ta dëshmojë sjellja dhe vepra e secilit prej nesh! Mubarek Isranë dhe Miraxhin!
Shkodër, 15 qershor 2012
[1] Muhammed El-Habesh, “Siretu Resulil-lah”, Damask, 1996, fq. 84. [2] Po aty, fq. 84-85. [3] Safijjurr-rrahman El-Mubarekfuri, “Siretu Resulil-lah”, Bejrut, 1997, fq. 118. [4] Muhammed Rida, “Muhammedun Resulull-llah”, Bejrut, pa vit botimi, fq. 136-137. [5] Ibn Hisham, “Es-sirretun-nebevijje”, Bejrut, 1996, botimi i tretë, vëll. II, fq. 47. [6] Kur’ani, sureja “El-Isra”, ajeti: 1. [7] Dr. Mervan Shejkhulerd, “Es-sirretun-nebevijje”, Damask, 2003, vëll. I, fq. 274. [8] Sipas transmetimit të Bukhariut. [9] Dmth: “T’u tubonim para syve krej mrekullitë e kërkuara prej tyre” – Grup autorësh, “El-meusuatul-Kur’anijjetul-mujessere”, Damask, 2002, botimi i dytë, fq. 143. [10] Kuptimet e këtij ajeti janë marrë nga: “Kurani i madhërishëm”, përkthyer nga prof. Hasan Nahi, botim i AIITC, Tiranë, 2008, botimi i VI-të, fq. 181. Duhet të theksoj se në përkthimin e kërtij ajeti në këtë botim, ka një gabim të dukshëm: “dhe t’i tubonin”, që në fakt duhet të jetë: “dhe t’u tubonim”, siç e kam shkruar më lart. Vall-llahu a’lem. Prandaj, lexuesi të jetë i kujdesshëm me këtë fakt! Autori.