Forumi Rinor Islam – Dega Shkup filloi me realizimin e projekteve të platfomës “Mozaiku Rinor”.

Këtë fundjavë filloi projekti “Eureka” i cili realizohet tanimë disa vite dhe ka për qëllim krijimin e një gjenerate profesionale në sferën e tyre, aftësimin në drejtime të ndryshme, zhvillimin e personaliteteve në shkallë të udhëheqjes, krijimin e një kulture të zgjeruar, posedimin e njohurive të ndryshme etj.
Pjesëmarrës në këtë projekt janë nxënësit më të dalluar të klasave të IX të disa shkollave fillore të qytetit.
Fillimisht të gjithë pjesëmarrësit u prezantuan dhe si temë e kësaj jave ishte: “Vlera dhe aktivitetet e Forumit Rinor Islam” e prezantuar nga sekretari gjeneral pranë FRI – së, Abdulhamid Mustafa. U fol për rëndësinë e organizatave joqeveritare, për vlerat e FRI – së që janë: besimi, bashkëpunimi, vullnetarizmi, uniteti etj. Nuk munguan edhe disa lojëra atraktive dhe një kuiz i vogël me dhurata simbolike.

Në kuadër të kësaj platforme realizohet edhe projekti “Talentium” i cili në esencë është një program i detajuar i cili u dedikohet ekskluzivisht të rinjve, më saktësisht nxënësve të shkollave të mesme dhe i cili ka për qëllim zbulimin, shfaqjen dhe zhvillimin e aftësive dhe shkathtësive të ndryshme tek ata.
Ky projekt do të realizohet nëpërmjet një vargu të trajnimeve dhe ligjëratave në tre fusha bazike: komunikim, media dhe lidership.
Ligjërata e parë ishte “Komunikimi verbal dhe joverbal” të cilën e ligjëroi Fisnik Shabani. U fol për hyrje në kursin e komunikimit dhe spjegimi i konceptit, kategoritë e komunikimit verbal dhe joverbal, diskutim rreth paraqitjeve të komunikimit joverbal dhe rëndësisë së saj, gjithashtu u luajtën edhe disa lojëra të ndryshme.