Në shoqëritë demokratike, të drejtat mbi flamurin dhe gjuhën njihen si të drejtat themelore të njeriut. Këtë të drejtë e gëzojnë shumë komunitete pakicë në Evropë. Përkundër kësaj, pavarësisht konfliktit të 2001, në pluralizmin e politikës në Maqedoni, gjatë gjithë kohës, partitë politike shqiptare flasin për gjuhën dhe flamurin. Në çdo tubim partiak, udhëheqësit s’kanë temë tjetër përveç binomit në fjalë. Por, pse ndodh kjo?
Ramadan Ramadani thotë se nuk është e vërtetë se qytetarët shqiptarë në Maqedoni interesohen vetëm për çështje etnike, por është fakt i hidhur se edhe pas kaq viteve të Marrëveshjes së Ohrit ende mbeten gjëra elementare të pazgjidhura denjësisht me ligj.
“Percepcionin për këtë e bëjnë partitë politike që shpesh herë nga mungesa e kuadrove dhe ekspertizës e herë edhe nga mungesa e vullnetit dhe aftësive elementare politike nuk artikulojnë tema të tëra politike dhe qytetare shumë të nevojshme dhe të dëshiruara nga qytetarët në vend”, shprehet Ramadan Ramadani nga instituti “Nisma”.
Për kryetarin e Shoqatës Joqeveritare, ADA, Albert Musliu, problem merr një dimension tjetër.
“Është pak normale, ashtu si rusët e Krimesë, turqit në Greqi, apo grekët në Shqipëri, kanë debate të tilla, mbi gjuhën dhe flamurin, por për dallim nga këto minoritete, shqiptarët në Maqedoni janë “shumicë jo e madhe”. Fajin në këtë mes e kanë partitë politike shqiptare, që duke mos pasur kreativitet për zhvillimin ekonomik, për evropianizimin e shoqërisë, ata merren me folklor. Po ashtu, për dallim nga shqiptarët e Kosovës, të cilët nga viti 1974 kishin koncept të saktë së ç’ka kërkonin – Pavarësi -, ne në Maqedoni nuk dimë se ç’farë kërkojmë – regjionalizim, federatë, apo diçka tjetër. Për këtë faj kemi të gjithë, si shoqatat joqeveritare, por edhe normal, pesha më shumë bie mbi partitë politike shqiptare, që nuk kemi krijuar debate më të gjëra mbi këto aspekte”, thotë Musliu. Ai shprehet se mjafton të shihen të drejtat e serbëve në Kosovë, për të kuptuar realitetin e shqiptarëve në Maqedoni.
Për analistin nga Kosova, Ardian Bytyqi, problemi i moszgjidhjes së këtyre çështjeve, ndër të tjera ndërlidhet edhe me faktin se partitë shqiptare, sidomos BDI – ja de PDSH – ja më shumë se sa me programe të mirëfillta politike, garojnë me njëra tjetrën se cila do të punësojë më shumë militantë partiak.
“Ndonëse ka kaluar më shumë se sa një dekadë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, shqiptarët e Maqedonisë janë larg të drejtave të tyre elementare, pavarësisht se tash e sa vite ekziston sekretariati për implementim të kësaj marrëveshje, i cili më sa duket më shumë ka karakter të punësimit të militantëve partiak se sa të lëvizjes së gjërave në drejtimin e duhur. Gjykuar nga ky këndvështrim, është i pashpjegueshëm edhe guximi i dy partive më të mëdha shqiptare, BDI – së dhe PDSH – së, të cilat e kërkojnë paturpësisht votën e shqiptarëve, ndërkohë që thirren në “meritat” e vetme që kanë deri më tani, përfitimin për interesa personale, “pyllëzimin” e Maqedonisë me përmendore përmes projektit qindra miliona eurosh “Shkupi 2014” – ku bën pjesë edhe përmendorja e Car Dushanit dhe shumë lëshime të tjera përballë partnerit maqedonas”, shprehet Bytyqi. Ai shton se Shkupi i sotshëm shqiptar gradualisht ka humbur çdo gjurmë shqiptare dhe nuk është e rastit që shqiptarët nuk gëzojnë as të drejtat themeltare në këtë shtet. Për këtë gjendje Bytyqi fajëson edhe qeverinë e Kosovës dhe Shqipërisë të cilat deri më tani nuk e kanë treguar as interesimin më të vogël për këtë gjendje të krijuar për shqiptarët e Maqedonisë.
Categories