Categories
Lajme FRI

Pollogu migron nga fshati në fshat

 Në kohën kur një numër i madh i banorëve vendas vazhdon të braktisë fshatrat me shpresë se qyteti do t’u sigurojë një jetesë më të mirë, rajonin e Pollogut i cili është dominuar nga shqiptarët, e karakterizojnë migrimet nga një fshat në një fshat tjetër. Janë të dhënat e Entit shtetëror të statistikës ato që bëjnë të ditur se zhvendosjet nga një fshat në një fshat tjetër marrin pjesë me mbi 61 për qind të migrimit në rajonin e Pollogut. Të dhënat mbi migracionin e brendshëm zbardhin se edhe më tej më të preferuara mbeten zhvendosjet fshat-qytet, ndërsa shqetëson dyndja në qytetet më të madha, që në fakt zbraz pjesët më të varfra të vendit.
“Rreth gjysma e zhvendosjeve fshat-qytet vitin e kaluar është regjistruar në rajonin Verilindor të vendit. Për sa i përket rajonit të Pollogut, vlen të theksohen migrimit fshat-fshat, që marrin pjesë me mbi 61 për qind të lëvizjeve të popullatës. Ndërkaq, rajoni i Shkupit në vazhdimësi shënon një saldo migrimi pozitive, si nga aspekti i migrimeve të brendshme, po ashtu edhe nga aspekti i migrimeve të jashtme”, thuhet në raportin e Entit shtetëror të statistikës, në të cilin janë sublimuar të dhënat e vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e foshnjave të lindura vitin e kaluar janë lindur nëpër qytetet. Nëpër zonat urbane vjet mësohet të jenë lindur mesatarisht rreth 37 bebe në ditë, ndërsa nëpër fshatrat e vendit çdo ditë janë lindur rreth 28 bebe të tjera. Sipas këtyre të dhënave, vjet pjesa më e madhe e lindjeve janë regjistruar në rajonin e Shkupit.
“Nëpër qytetet e vendit vjet janë lindur 13379 foshnja ose rreth 57 për qind të numrit të përgjithshëm të foshnjave, ndërsa nëpër fshatrat kanë lindur 10189 fëmijë ose rreth 43 për qind të fëmijëve të lindur të njëjtin vit. Për sa i përket kryeqytetit, rreth 34 për qind të numrit të përgjithshëm të bebeve të lindura vitin e kaluar janë lindur pikërisht në rajonin e Shkupit”, thuhet në analizën e Entit të statistikës. Ndërkaq, rajoni më i varfër me lindje vjet ka qenë ai i Maqedonisë lindore, që konsiderohet edhe si rajoni më i varfër nga aspekti ekonomik, në të cilin brenda vitit janë lindur vetëm shtatë për qind të numrit të përgjithshëm të foshnjave. Të dhënat zyrtare gjithashtu zbardhin se nënat e zonave rurale ose ato që jetojnë në fshat vendosin të lindin më herët beben e parë. Analiza përkatëse zbardh se femrat që jetojnë në qytet zakonisht kanë lindur pasi kanë mbushur moshën 27 vjeçe, për dallim nga femrat që kanë jetuar në fshat, të cilat kanë vendosur të lindin fëmijën e parë pa e mbushur moshën 25 vjeçe. 
Të njëjtin vit, sipas të dhënave të Entit të statistikës, qytetet kanë dominuar edhe për nga numri i vdekjeve. Brenda vitit të kaluar nëpër qytetet e vendit është regjistruar vdekja e 12082 personave të moshave të ndryshme ose rreth 60 për qind të numrit të përgjithshëm të vdekjeve, ndërsa nëpër fshatrat e vendit kanë vdekur 8052 persona ose mbi 22 vdekje në ditë. (koha)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version