Salah Sultan, një profesor fakulteti, i arrestuar nga forcat ushtarake, pohon se si ai dhe shokët e tij torturohen me mënyra jonjerëzore nga autoritetet e krimit të organizuar.
Nga një birucë e errët e burgut më të rreptë të forcave militare, Dr. Salah Sultan dërgon këtë mesazh: “Puçistët nuk do të thyejnë vendosmërinë apo moralin tonë… Ne ju thamë atyre gjatë kohës që na merrnin në pyetje: ‘Që prej tani na konsideroni si dëshmorë’!
Tani, ne jemi në burgun famëkeq me siguri të lartë, Aqrab (Akrepi). Kushtet janë shumë të këqija. Jemi rreth 21 të burgosur së bashku, përfshirë dhe Hajrat Al-Shater (Nënkryetar i Vëllazërisë Muslimane të Egjiptit), Esam ek-Hadadin (Këshilltarin e Presidentit Mursi) dhe të birin e tij.
Po vuajmë një proces të qëllimshëm të vdekjes së ngadaltë dhe torturës. Asnjëherë nuk kemi mundur të shohim diellin, as rrezet e diellit. Përderisa ditët në qelitë tona janë të njëjta sikur mbrëmjet dhe netët, nuk na lejohet të kemi as orë për të kuptuar kohën (p.sh. për të falur namazin). Duke mos pasur asnjë çast lehtësimi, po qëndrojmë në qeli të errëta pa kurrfarë ventilacioni, për 24 orë në ditë.
Qelitë tona janë të mbyllura dhe të ftohta, ndërsa edhe uji që përdorim për të larë fytyrën është pothuajse i ngrirë. Për ushqim marrim nga 3 lugë oriz, një fetë të patatës ose një lugë thjerrëzash. Ky është i tërë ushqimi për një ditë.
Nëse familjet tona na vizitojnë, ne nuk mund t’i shohim ata. Nëse na dërgojnë ushqim, nuk mund të marrim asgjë prej tij, as të marrim ndonjë trajtim mjekësor, edhe pse disa nga të burgosurit këtu vuajnë prej sëmundjeve kronike dhe kanë nevojë për barëra. Sa i përket veshmbathjes, na lejohen vetëm rrobat e holla që i kemi veshur tani, të cilat nuk na mbrojnë fare nga ashpërsia e të ftohtit që mbretëron këtu. Nuk na jepet dhe nuk na lejohet të kemi batanije apo dyshekë, përveç një batanije burgu për të fjetur mbi të dhe për t’u mbuluar njëkohësisht”.
Përktheu: Arsim Jonuzi