Categories
Lajme

Postierja: Më hoqën nga puna se falesha në xhami

Jeton e vetme prej shumë vitesh dhe tashmë, përveç problemeve të tjera, duhet të përballet edhe me papunësinë. Elisabeta Cara është një 55-vjeçare që pjesën më të bukur të jetës së saj e ka kaluar si e persekutuar. Në vitin 2007 Elisabeta do të niste punë në Postën Shqiptare, dega Fier, një punë që siç rrëfen ajo e ka bërë “me mish e me shpirt”. Por vetëm 5 ditë më parë do t’i komunikohej shkarkimi nga detyra e saj si postiere. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 55-vjeçarja deklaron se motivi i vetëm për të cilin është larguar nga detyra është besimi i saj. “Më hoqën sepse falesha në xhami. 10 minuta në ditë, shkëputesha dhe shkoja për t’u falur. Drejtori më tha se nuk i qëndroja punës në kokë, sorollatesha dhe kohën e harxhoja duke shkuar në xhami”, – është shprehur Elisabeta Cara. Nga ana tjetër, kreu i Postës Shqiptare në Fier, Irfan Hajdari, i kontaktuar me telefon nga “GSH”, deklaroi se “55-vjeçarja është shkarkuar për moskorrektesë në punë dhe thyerje në mënyrë të vazhdueshme të disiplinës. Edhe pse i është hequr vërejtje disa herë, ajo nuk është korrigjuar. Nuk është e vërtetë se është larguar nga puna se shkonte të falej në xhami. Ne disponojmë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe jemi të hapur që çdokush të bëjë verifikime”, – u shpreh Hajdari. Pa familje dhe tani edhe pa një burim të ardhurash, Elisabeta Cara pohon se do të kërkojë të drejtën e saj, duke e hedhur në gjyq postën e Fierit.
Elisabeta, pse ju kanë larguar nga puna? 
Prej shtatë vitesh unë punoja në Postën Shqiptare ku ndaja si fillim letrat zyrtare. Nuk kam pasur probleme as me drejtuesit e mi në punë, as ankesa nga qytetarët. Kam zbatuar orarin e punës. Kur gjeja kohë, sipas organizimit që unë i bëja ditës sime të punës, shkoja dhjetë minuta në xhami e falesha, sepse jam një besimtare e fesë islame. Kur erdhi drejtori i ri i Postës, Irfan Hajdari, më thërret në zyrë dhe më kritikon se nuk i qëndroja punës në kokë, sorollatesha dhe kohën e harxhoja duke shkuar në xhami.
Çfarë ndodhi më pas? 
Ata më kaluan në sektorin e letrave të thjeshta, nga letrat zyrtare ku isha. Çdo ditë merrja dy thasë me letra dhe i ndaja në katër lagje të qytetit të Fierit, së bashku me faturat e ujit, dritave dhe telefonit. Punoja deri në orën 18 pasdite çdo ditë. Nuk arrija t’i ndaja të gjitha sepse lëvizja më këmbë. Kjo gjë u përdor si pretekst nga drejtori për të më larguar nga puna. “Ti duhet të punosh, – më tha drejtori, – sepse dua të ha unë, duan të hanë të tjerët”, por unë nuk e kuptoja këtë gjë. Në postë ka punonjës që shpërndajnë ndoshta pesë zarfe në ditë dhe bëjnë punë private duke i lënë pjesën drejtorit.
Tashmë që jeni pa punë, si do jetoni, keni të ardhura të tjera? 
Unë jam ish-e përndjekur politike. Pronat na i kishin marrë dhe me shumë luftë e mundim ata që e kishin zënë pronën tonë e kishin bërë pallat, dhe më dhanë një hyrje ku banoj sot. Familje nuk kam. Kam qenë e martuar për shtatë vjet por jam ndarë për shkak të pamundësisë për t’u bërë nënë. Jetoj e vetme. Nëse nuk më rimarrin në punë, do kërkoj të drejtën time dhe do hedh ndërmarrjen në gjyq.

Exit mobile version