Pyetje: Fërkova kokën e një qeni me dorë, në këtë rast a më është prishur abdesi?
Emri i Myftiut: Këshilli Egjyptian për fetva
Përgjigjja: Me emrin e Allahut, falënderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.
Imam Ibnu Tejmije ka folur për mendimet e dijetarëve rreth pastërtisë së qenit. Ai ka thënë: Në këtë çështje dijetarët kanë dhënë tre mendime të ndryshme:
Mendimi i Parë: Ai është i gjithi i pastër, madje edhe jargët e tij. I këtij mendimi është imam Maliku.
Mendimi i Dytë: Ai është i gjithi i papastër, madje edhe qimet e tij. I këtij mendimi janë imam Shafi’ij dhe imam Ahmedi në një transmetim
Mendimi i Tretë: Qimet janë të pastra dhe jargët janë të papastra. Të këtij mendimi janë imam Ebu Hanifja dhe imam Ahmedi në një transmetim tjetër.
Pastaj ndërmjet këtyre tre mendime ai ka zgjedhur mendimin e tretë si më të saktin.
Kështu që, nëse qimet e qenit të prekin në trup apo në rrobë, ti vazhdon të jesh i pastër. Nëse qeni pi ujë nga një enë, atëherë është e domosdoshme larja e enës. Duke u nisur nga kjo themi se: mbajtja e qenve në shtëpi është e lejuar, kur është e domosdoshme një diçka e tillë, si psh: mbajtja e tyre për ruajtjen e shtëpisë apo për gjueti apo diçka tjetër. Mirëpo mbajtja e qenit pa ndonjë arsye apo domosdoshmëri nuk është e lejuar.
Pra, qimet e qenit janë të pastra, kështu që abdesi i atij personi që fërkon trupin e qenit nuk prishet. Ndërsa jargët e tij janë të pista, prandaj nëse jargët e tij e prekin një njeri, atëherë ai është i papastër. Ky është medh’hebi i imam Ebu Hanifes dhe një transmetim i medh’hebit Hanbeli. Edhe ne këtë mendim zgjedhim si përgjigje të pyetjes së sipërpërmendur.
Allahu e di më së miri.
Categories