Categories
Lajme

Poligami, homofobi, drogë… moral dhe imoralitet, ofertat më ekstreme zgjedhore në Shqipëri

Poligamia – Një parti aleate me Berishën premton shtet moralist, ndalimin e pornografisë dhe lejimin e poligamisë në vendin tonë
Droga – Një parti aleate me PS premton shtetëzimin e bujqësisë dhe legalizimin e marijuanës, socializëm dhe marksizëm-leninizëm
Homofobia – Ndërsa Berisha shprehet me forcë pro-LGBT, dy parti aleate të tij kërkojnë ndalimin me ligj të “propagandës”
 

Fushata
Disa parti politike kanë kaluar përtej çdo imagjinate në premtimet e tyre, ja disa më pikantet
Ekstremizëm apo makiavelizëm! Disi larg vëmendjes së medias kryesore, por jo aq larg votuesve, në këto zgjedhje një luzmë idesh ekstremiste po propagandohen. Aleanca Kuqezi mund të jetë më e famshmja, partia që ankohet se pse vajzat shqiptare po martohen me burra nga vendet fqinje. Por natyrisht nuk është e vetmja. Kristianë ekstremë islamofobikë, parti homofobike, apo parti me ide drejtpërsëdrejti islamike. Parti që premtojnë legalizimin e marijuanës dhe parti që kërkojnë dënimin me burg të homoseksualëve. Parti që kërkojnë rivendosjen e monarkisë, (përpos legalitetit). Dhe kjo është çfarë mund të mbledhësh pa u thelluar gjatë në programet e disa dhjetëra partive që kanë hyrë në garë, (duke u regjistruar në KQZ ose thjeshtë duke konkurruar për “like” në Facebook) më së shumti në aleancë me dy partitë e mëdha, të cilat prezantohen si më pranë qendrës, më të orientuar nga vlerat që konvencionalisht i njohim si të mira dhe europiane. Logjika ta do që të priresh të besosh se asgjë serioze nuk ka në këtë mes, se ide të tilla hidhen vetëm si pjesë e metodave makiaveliste. Por fakti është që sistemi aktual zgjedhor për fat të keq ka bërë të rëndësishme çdo votë, veçanërisht në qarqet me numër të lartë deputetësh, gjë që i ka shtyrë dy partitë e mëdha të pranojnë çdo lloj partie në koalicion, ndërsa partitë e vogla janë shtyrë drejt kërkimit të çdo vote, duke kërkuar vëmendjen e publikut me të gjitha mënyrat.
Poligami
Partia Lëvizja Shqipëria e Re është shumë aktive në shpërndarjen e trakteve. Dhe në një trakt të tillë, premton se do të legalizojë poligaminë, sipas modelit islamik, një burrë me deri në katër gra. Në faqen e saj të internetit, kjo parti thotë se e kërkon këtë masë “për të shpëtuar kombin”.
“Ndryshimi i kodit të familjes, pranimi i poligamisë (martesat një burrë me deri në katër gra, me kushtin që secilës prej grave t’i krijohen kushte dhe përkujdesje proporcionale dhe të barabartë) si zgjidhje e mundshme për t’u bërë ballë shumë ndryshimeve demografike të ndodhura në këto 22 vitet fundit (emigracioni masiv kryesisht i meshkujve shqiptarë dhe boshatisja demografike nga meshkujt në Shqipëri, martesat e grave shqiptare në vendet fqinje në kombe të cilat historikisht kanë qenë të interesuar për asimilimin dhe eliminimin e Kombit tonë)”, thotë ajo.
Është e qartë se një propozim i tillë është reminishencë e botës islamike dhe synon të marrë ndonjë votë nga më ekstremistët e myslimanëve, por prezantimi nuk bëhet në këtë mënyrë. Kjo parti është në aleancë me Partinë Demokratike për zgjedhjet e 23 qershorit.
Homofobi/homodashuri
Kryeministri Sali Berisha, prej disa vitesh, ka mbështetur aktivisht të drejtat e komunitetit LGBT, duke premtuar (por vetëm duke premtuar) tre vjet më parë legalizimin e martesave brenda të njëjtit seks si dhe duke folur disa herë publikisht kundër homofobisë dhe duke u takuar publikisht me aktivistët e të drejtave të bashkësisë LGBT. Përkundër këtij qëndrimi, kryesocialisti Edi Rama refuzoi të mbështesë bashkësinë LGBT, ndërkohë që dy aleatë të Berishës kanë ide krejt të tjera.
Ekrem Spahia, i cili u kthye në vëmendjen e medias vitin e kaluar rastësisht dhe vetëm për këtë temë, e ka futur në programin e tij elektoral duke thënë se “shteti shqiptar nuk duhet ta njohë homoseksualitetin”, por pa sqaruar se çfarë nënkupton kjo gjë.
PLSHR, ajo e poligamisë, ka një mendim pak më ndryshe. Ajo deklaron se do të nxjerrë jashtë ligji promovimin publik të homoseksualitetit, por lë të ligjshme “homoseksualitetin në sferën private).
Drogë dhe socializëm
Frymëzuesit e tij ndaluan seksin, minifundet, mustaqet dhe pantallonat e shkurtra, por Marko Dajti, kryetar i një partie që deklaron se dëshiron të rivendosë rendin socialist marksist-leninist në Shqipëri, thotë se dëshiron gjithashtu të legalizojë marijuanën. Në një intervistë mediatike, Dajti, nga Partia e Punës e Riorganizuar, deklaroi se Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e vendeve të zhvilluara sa i përket legalizimit të marijuanës. Dajti nuk ka të njëjtin mendim për aspekte të tjera të botës së zhvilluar, e cila përpos legalizimit të marijuanës, ka edhe ekonomi tregu etj. Në programin e tij të publikuar në internet, ai premton rikthim të drejtpërdrejtë në socializëm, ekonomi shtetërore, shtetëzim të bujqësisë etj. Dukshëm në Shqipëri kanë mbetur disa komunistë të pareformuar, por ka edhe shumë të rinj që pinë bar e ndoshta, mund të rrëmbehen nga ideja.
Islamofobi
Fronti Demokristian Shqiptar nuk është një parti politike e regjistruar në zgjedhje. Ai është një grup në “Facebook” që ka rreth 2500 anëtarë. Fryma e kësaj lëvizjeje është dukshëm, antikomuniste, por edhe antiislamike, prokristiane dhe… monarkiste. Ai deklaron se dëshiron që Shqipëria të bëhet mbretëri. “MDC kërkon që populli shqiptar të shprehet me referendum për kthimin e Shqipërisë në Monarki Kushtetuese, me mbret Madhëria e tij Gjergj Maria Kastrioti, Mbret i Shqipërisë, Dardanisë, ILIRIDËS, dhe Epirit”, – thotë ai. Se kush është ky mbreti, nuk e dimë. Një parti që duket se lidhet me këtë faqe dhe me një blog me emrin “Votra”, njoftoi pak ditë më parë se i qe refuzuar regjistrimi si subjekt zgjedhor në KQZ.
Kodi magjik
Ekstremizma ka në të gjithë historinë dhe gjithandej, por etja me të cilën këto ekstremizma hynë në aleancë me politikën kryesore në vend, duket se lidhet ngushtë me faktin se sistemi aktual zgjedhor i proporcionalit rajonal ka bërë që një grusht votash të bëjnë diferencën nga një në dy apo tre deputetë. Rrjedhimisht nuk duhet të çuditesh kur sheh se pati njëfarë gare mes palëve për të nënshkruar aleanca parazgjedhore me sa më shumë parti të jetë e mundur, pa u menduar dy herë dhe pa pyetur se çfarë përmbajnë programet e këtyre partive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version