Zëdhënësja e presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani, Irma Toptani tha për “Lajm” se për momentin nuk kanë asnjë përgjigje rreth kësaj çështjeje, ndërkaq analistët në Shkup janë të mendimit se Ivanovit dhe Maqedonisë duhet ti jepet një mësim i mirë nga Shqipëria.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka gjasa që të bojkotojë Samitin e shefave të shteteve dhe qeverive nga vendet e përfshira në Procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore (PBEJL) i cili do të mbahet më një qershor në Ohër për shkak të mos ftesës së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga në këtë Samit nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov i cili është nikoqir i këtij samiti.
Zëdhënësja e presidentit Nishani, Irma Toptani tha për “Lajm” se për momentin nuk kanë asnjë përgjigje rreth kësaj çështjeje, ndërkaq analistët në Shkup janë të mendimit se Ivanovit dhe Maqedonisë duhet ti jepet një mësim i mirë nga Shqipëria. “Nëse presidenti Nishani e refuzonte ftesën, siç e refuzuan presidenti grek dhe ai bullgar do të dërgonte një mesazh të qartë, do ti jepte një porosi të mirë Maqedonisë dhe do ti tregonte se mos ftesa e presidentes së Kosovës ndikon jo vetëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por në marrëdhëniet në përgjithësi në Ballkan. Të paktën duhet të ketë një mesazh të qartë deri te Ivanovi, se marrëdhëniet ndër fqinjësore nuk janë si në pazar”, tha për “Lajm”, analisti Edmond Ademi. Sipas tij mos ftesa e presidentes së Kosovës në këtë Samit është një akt pa precedent, që tregon se presidenti Ivanov dhe Qeveria e Maqedonisë i frikësohen mos pjesëmarrjes së presidentit serb Tomisllav Nikoliq.
Ademi thotë se edhe partia shqiptare që është në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ishte dashur që të reagojnë për mos ftesën e Kosovës në këtë samit.
“Pse nga BDI nuk ka asnjë reagim? Është e udhës që të paktën të kishte reaguar Musa Xhaferi dhe Ali Ahmeti, të cilët gjatë gjithë kohës flasin për bashkëpunim me Kosovën”, tha ai. Sipas Ademit, Samiti në Ohër ka dështuar që në start, pasi në të nuk do të marrin pjesë dy presidentë, shtetet e të cilëve janë anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Ndërkaq, Ministri i Punëve të Jashtmë të Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj deklaroi se Maqedonia po sillet në mënyrë anti-evropiane.
“Maqedonia, në këtë samit, nuk e ftoi presidenten e Republikës së Kosovës. Isha në kontakt me Ministrinë e Jashtme të Republikës së Maqedonisë, mirëpo edhe krahas insistimeve tona, ata akoma nuk na kanë nisur ftesë. Një gjë e tillë është shumë shqetësuese për marrëdhëniet Kosovë – Maqedoni”, tha kreu i diplomacisë së Republikës së Kosovës Enver Hoxhaj.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka porosit Maqedoninë që ti tejkalojë paragjykimet e të kaluarës për shqiptarët në rajon.
“Edhe Maqedonia duhet ti tejkalojë paragjykimet e të kaluarës. Kur ne takohemi në nivel të kryeministrave dhe presidentëve, edhe Maqedonia duhet ti tejkalojë paragjykimet e të kaluarës për shqiptarët në rajon”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov kanë treguar qartë se Kosova nuk është ftuar në Samitin e Ohrit, pasi po të ftohej Kosova, Serbia nuk do të merrte pjesë në Samit.
“Samiti për bashkëpunim rajonal në Evropën Juglindore tashmë ka formatin dhe strukturën e konfirmuar të pjesëmarrësve. Ftesa nuk është dërguar për presidenten e Kosovës, për shkak se nuk ishte pengesë për këtë vetëm një shtet, kundër dëshirës së Maqedonisë për të ftuar Kosovën në këtë samit. Në përputhje me aktet themelore dhe praktikat e deritanishme, Republika e Maqedonisë nuk mund të bëj ftesa, për shkak se do të rrezikon që disa nga vendet anëtare të SEECP (Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore) do të refuzonin pjesëmarrjen”, informojnë nga kabineti i presidentit Ivanov.
Duke komentuar deklaratat dhe reagimet e Prishtinës lidhur me mos ftesën për Kosovën, nga kabineti i presidentit Ivanov kanë theksuar se deklaratat e caktuara janë drejtuar në adresë të gabuar.
Categories