Bajerni i Mynihut është kampion i Evropës për të pestën herë në histori.
Një gol i Arjen Robenit në minutën e 89-të u dha bavarezëve suksesin 2-1 përballë Dortmundit në finalen e luajtur në “Uembli”.
Finalen e parë gjermane në histori e nis më mirë Dortmundi, që shfaqet më e qartë se rivalët nga Mynihu.
Dalëngadalë Bajerni e balancon lojën, por, megjithë rastet e krijuara në të dyja portat, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura. Kjo për meritë edhe të portierëve Nojer e Vajdenfeler, gjithnjë të gatshëm për t’u përgjigjur në apel.
Minuta e 60-të sjell avantazhin e bavarezëve. Mandzukiç përfiton nga pasimi i Robenit nga e majta dhe me portën e boshatisur nuk e ka të vështirë të realizojë.
Epërsia e ekipit të Hajnkesit zgjat vetëm tetë minuta, pasi Dortmundi barazon me penallti. Dante rrëzon në zonë Rojsin dhe për gjyqtarin Ricoli nuk ka dyshim: 11-metërsh. Nga pika e bardhë Gyndoan është i saktë.
Me rezultatin 1-1 dhe me fantazmat e finales së humbur vjet me penallti, Bajerni shtyn drejt portës së Vajdenfelerit, derisa Roben përfiton nga pasimi me thembër i Riberisë dhe mes mbrojtësve verdhezinj shënon golin e triumfit.
Pas një karriere të tërë të karakterizuar nga raste të humbura në momentet më të rëndësishme, holandezi më në fund shfaqet vendimtar në çastin e shumëdëshiruar për popullin bavarez. Pas dy finaleve të humbura në tre sezonet e fundit, Bajerni ia del të ngjitet në majën e kontinentit duke iu bashkëngjitur Liverpulit në “klubin” e ekipeve që e kanë fituar pesë herë “kupën me veshë të mëdhenj”.
Sukses edhe për Jup Hajnkesin, në ndeshjen e parafundit si trajner i Bajernit (e fundit është finalja e Kupës së Gjermanisë ndaj Shtutgartit më 1 qershor). 68-vjeçari bën të vetin trofeun e dytë në Champions, pas atij me Realin në vitin 1998.
Në krahun tjetër ka zhgënjim dhe krenari: Dortmundi e mbyll kokëlart sezonin e shkëlqyer në Ligën e Kampionëve.
/Start/
 

 

ะ๑ธํ FOOTYROOM.COM by footyroom