Bota islame, të cilës i përkasin rreth 1,5 miliardë njerëz nga të katër anët e rruzullit tokësor, javën e kaluar nga njëra anë u mundua të përmbushë detyrimet fetare të pelegrinazhit (haxhi) dhe flijimit (kurbani), ndërsa nga ana tjetër vijoi të përjetojë dhimbjet e problemeve në disa vende të hapësirës gjeografike myslimane.

 
Në shumë vende islame, në krye të së cilave renditen Siria, Egjipti, Iraku dhe Palestina, ndërkohë që një pjesë e myslimanëve iu përgjëruan Allahut që t’u pranojë lutjet dhe pendimin nga gabimet e mëparshme, disa myslimanë nuk nguruan aspak për të vrarë njëri-tjetrin. Njerëzit festuan bajramin teksa fëmijët, të moshuarit dhe gratë në disa vende jetojnë në kampe refugjatësh. Fotografia e kësaj situate, që përmban në vetvete edhe shumë paradokse të tjera, është tepër e qartë. Bota islame gjendet përballë një krize dhe fatkeqësie shumë të madhe. Në lidhje me shkaqet dhe zgjidhjet e këtij problemi mund të gjenden një numër i madh librash, projektesh dhe studimesh. Mirëpo, pavarësisht gjithë këtyre studimeve dhe përpjekjeve, përse vallë nuk marrin fund problemet në botën islame? Pse nuk u vjen fundi këtyre paradokseve?
Problemet në botën islame burojnë nga një sërë arsyesh: Pamjaftueshmëria e sistemeve arsimore, shprehia e dobët e të lexuarit, niveli i ulët i zhvillimit të infrastrukturës në trekëndëshin transport-komunikacion-informacion, mungesa e investimeve në industri dhe shkencë, mosmarrëveshjet politiko-shoqërore, rivalitetet etnike dhe sektare, regjimet autoritare që kufizojnë liritë, mosekzistenca ose pamjaftueshmëria e sistemeve politiko-administrative demokratike, korrupsioni dhe mungesa e rendit në shumë vende, mungesa ose prania minimale e organizatave joqeveritare. Kësaj liste të gjatë mund t’i shtojmë edhe shumë probleme të tjera, por zgjatja e kësaj liste nuk e thjeshton konceptimin e problemeve, përkundrazi e vështirëson atë. Edhe pse çdo problem i renditur në këtë listë ka veçori e mënyra zgjidhjeje specifike dhe tipike, duhet bërë një klasifikim i përgjithshëm, mbi të cilin mund të përqendrohemi.
Këto probleme në mënyrë të rëndomtë mund t’i ndajmë në tri grupe: Në grupin e parë zë vend pozita e botës islame në sistemin global; në grupin e dytë përfshihen kushtet dhe situatat brenda vet vendeve islame; ndërsa në grupin e tretë renditen veçoritë e individëve myslimanë. Grupet në fjalë, të cilat bashkëveprojnë vazhdimisht dhe në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën, shkurtimisht mund t’i shpjegojmë si më poshtë:
Së pari, problemi më themelor i botës islame është se ajo nuk ka arritur ta ngrejë veten në një pozitë të fortë dhe efikase në sistemin global. Pjesa dërrmuese e botës islame nuk i ka ndjekur dot plotësisht dhe në mënyrë të drejtë që nga shekulli i 19-të zhvillimet në vendet e zhvilluara të pjesës tjetër të botës. Në veçanti nuk arriti të hyjë në rrugët e zhvillimi të Perëndimit dhe nuk e rinovoi dot veten siç duhet, pra në mënyrë të shëndoshë. Edhe pse në disa vende u ndërmorën nisma të rëndësishme për rinovim, rezultatet nuk ishin ato që priteshin. Si pasojë e kësaj, në politikat ekonomike, tregtare, teknologjike, shkencore dhe ndërkombëtare filluan të dalin në pah probleme serioze. Në krye të këtyre problemeve renditen pushtimi i vendeve islame nga shtetet imperialiste perëndimore, që për pasojë solli humbjen e pavarësisë, duke i vendosur ato në kategorinë e vendeve pak të zhvilluar në sistemin ndërkombëtar të shekullit të 20-të.
Shkëmbimet tregtare ndërmjet vendeve islame përbëjnë vetëm 10 për qind të vëllimit tregtar botëror, që do të thotë se vendet islame importojnë nga Perëndimi 90 për qind të nevojave të tyre ekonomike. Kjo varësi ekstreme pengon zhvillimin e vendeve islame në fushat e kapitalit, industrisë, shkencës dhe njohurive praktike (know-how). Ndërkaq, në vend që të luftojnë për zgjidhjen e këtyre lloj problemeve, vendet islame nuk ngurojnë të përplasen dhe të krijojnë mosmarrëveshje me njëra-tjetrën. Lufta disavjeçare Iran-Irak dhe tashmë krizat në Irak e Siri janë vetëm disa shembuj. Misionet e tyre nuk i përmbushin siç duhet as Organizata e Bashkëpunimit Islamik me Ligën Arabe, dy organizata këto të themeluara nga vendet islame. Njëkohësisht këto janë në të vërtetë një pasqyrim i problemeve brenda botës islame.
Po t’u hedhim një sy problemeve të renditura në grupin e dytë, do të vërejmë se shumica e vendeve islame nuk zotërojnë kushte politike, sociale, ekonomike dhe shkencore të standardeve universale. Një problem më i përgjithshëm në këtë pikë është ajo që bota islame dhe vendet e saj veç e veç nuk kanë arritur dot të prodhojnë një model origjinal dhe unik, që integron e harmonizon detyrimet dhe kushtet e fesë islame me ato moderne universale. Shumë vende islame ka prodhuar modele të përshtatshme për kushtet e tyre, por këto modele ose nuk i kanë integruar aspak domosdoshmëritë e islamit me ato universale, ose kanë qenë të pamjaftueshme. Myslimanët, të cilët sipas Kuranit të Madhërishëm “duhet të jenë shoqëria me cilësitë më të mira në mesin e njerëzimit”, nuk kanë mundur të shpalosin një karakteristikë në përputhje me këtë lëvdatë hyjnore. Padyshim që shkaku i këtij problemi nuk është mesazhi hyjnor, por e vërteta se myslimanët nuk kanë arritur dot të prodhojnë një model, që i përshtatet këtij mesazhi kuranor.
Dhe së treti, në të gjithë botën jetojnë mbi 1,5 miliardë myslimanë. Kjo shifër korrespondon me gati ¼ e popullsisë botërore. Nga këtu duhet të dalë përfundimi se individët myslimanë duhet të zotërojnë ¼ e burimeve, prodhimit, konsumit dhe aktiviteteve të tjera të botës në çdo sektor. Pra pritet që myslimanët të kenë në dorë 25 për qind të Produktit Kombëtar Bruto (GNP) në shkallë botërore, lëvizjeve turistike në botë, çmimeve shkencore botërore dhe të prodhimit të njohurive praktike. Por, për fat të keq, e vërteta nuk është kështu. Individët myslimanë nuk zotërojnë mesatarisht ¼ e asnjë prej këtyre fushave. Ato vende islame, që kanë arritur t’i kapin këto norma, janë shumë pak dhe përbëjnë përjashtim.
Mirëpo, duke marrë për bazë shifrat e mësipërme, çdo individ mysliman duhet të zotërojë të paktën 25 për qind të “thelës” apo “hises” botërore. Dhe më e rëndësishmja, çdo individ mysliman duhet ta organizojë jetën e tij nën dritën e kësaj perspektive. Por vallë a është kështu? Për fat të keq, jo. Ja pra, problemi i tretë i botës islame është mungesa e arsimit dhe mundësive të nevojshme për individë, të cilët mendojnë, punojnë, prodhojnë dhe ndajnë secili në këto nivele.
Nga ana tjetër, duhen analizuar gjithashtu se cilat mund të jenë zgjidhjet e këtyre problemeve. Pyetja esenciale për këtë është: “Si duhet t’i integrojë dhe harmonizojë bota myslimane detyrimet dhe kushtet e islamit me ato universale?” Në rast se kësaj pyetjeje i gjendet përgjigje duke nxjerrë mësime nga përvojat aktuale, atëherë do të jetë bërë një progres i rëndësishëm.
 
Autor: Prof. Dr. Ramazan Gozen, Universiteti “Yıldırım Beyazıt”, Ankara