Categories
Lajme

Problemi kur ke shumë më tepër para, Norvegjia

Me miliardat e pasurisë të krijuara nga nafta, norvegjezët po punojnë më pak e po shijojnë jetën më shumë. Pagat dhe kostot e prodhimit po rriten, duke krijuar një problem të ri
Norvegjia
Balazs Koranyi dhe Victoria Klesty, Reuters
Pasuria e krijuar nga nafta sipas llojit të shteteve të Lindjes së Mesme e kombinuar me shtetin bujar të mirëqenies sociale tipike për Norvegjinë po gllabëron ngadalë pjesën më të madhe të ekonomisë së Norvegjisë, duke kërcënuar historinë e suksesit më të madh të Europës Perëndimore.
Në sipërfaqe, Norvegjia është vendi që ka zili gjithë bota: rritja ekonomike është e fortë, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është mbi 100 mijë dollarë dhe ky komb ka mbi 700 miliardë dollarë rezervë valutore, ose 140 mijë dollarë për çdo burrë, grua apo fëmijë.
Por kjo mund të jetë një pasuri e tepërt për shkak se norvegjezët, më të prirur për kënaqësi dhe jetë familjare, po punojnë gjithnjë e më pak. Emigrimi nuk po plotëson hendekun te pjesa e specializuar e forcës së punës dhe rrjedhimisht produktiviteti është në stanjacion, pagat po rriten me shpejtësi dhe kompanitë po rrisin çmimet aq sa po dalin nga vetë tregu i vet.
“Nafta është metaforë për fitoren e lotarisë”, thotë Ivar Froeness, një profesor sociologjie në Universitetin e Oslos. “Mirëqenia ka rënë ngadalë mbi shoqërinë… njerëzit thjesht nuk arrijnë ta vënë re për shkak se është kaq graduale. Në këto ditë, më shumë njerëz largohen nga Oslo të enjten pasdreke se sa të premten, duke marrë fundjava të gjata”, tha ai. “Ne e marrim të mirëqenë se mund të kemi një shtëpi apo një kasolle në mal apo ndoshta edhe një shtëpi tjetër në plazh”.
Kostoja e pagave është rritur me 63 për qind që nga viti 2000, rreth gjashtë herë më shumë se sa në Gjermani apo Suedi, ndërsa norma e punësimit është 61 për qind, më poshtë se kudo tjetër në vendet nordike dhe madje më poshtë se sa në Greqi, thotë banka qendrore.
Megjithatë, papunësia është e padukshme, në nivelin 3 për qind, për shkak se shumë njerëz parapëlqejnë punën me kohë të pjesshme.
“E pse duhet të punoj më shumë kur nuk kam nevojë?”, thotë Elise Bakke, 36 vjeçe, e cila së fundmi e shkurtoi ditën e saj të punës te një kompani telekomi në vetëm 6 orë.
“Ndoshta është fat, ndoshta ne e kemi fituar atë, kjo nuk ka rëndësi. Ne kemi para për të jetuar një jetë nordike: shkoj te kasollja në mal, bëj ski, biçikletë dhe kaloj kohë me fëmijët”.
Qeveria paralajmëroi se në rast se orari i punës nuk rritet me së paku 10 për qind brenda disa vitesh, shteti do të mbërrijë në pikën kur do të përdorë një pjesë të kursimeve. Banka qendrore paralajmëroi gjithashtu se modeli i mirëqenies sociale po i nxit njerëzit të largohen nga tregu i punës.
“Numri i orëve të punës për punësim me kohë të plotë në Norvegji ka rënë me 270 orë në vit që nga viti 1974”, thotë Jostein Hansen, drejtor i politikave të punësimit në Shoqatën Norvegjeze të Mikpritjes. “Norvegjezët duhet të ndjekin shembullin e Islandës dhe të punojnë 100 orë në vit më shumë”.
Nafta nën kërcënim
Sektori i naftës, origjina e problemit, po bëhet gjithashtu viktimë e suksesit të vet. “Aker Solutions” (AKSO.OL), kompania më e madhe e shërbimeve të naftës në këtë vend, do të punësojë 4 mijë inxhinierë këtë vit, por vetëm një e treta e tyre do të jenë norvegjezë. Asaj i duhet të shkojë në qendrat e mëdha të inxhinierisë në Kuala Lumpur, Londër dhe Mumbai për të gjetur punëtorë të kualifikuar në sasi të mjaftueshme.
Një studim i porositur nga qeveria tregon se nga viti 2016, vendi do të ketë 6 mijë inxhinierë më pak nga sa ka nevojë ndërsa investimet në naftë arrijnë në rekorde të reja dhe kompanitë e naftës shfrytëzojnë rezerva në zona që dikur mendoheshin se kishin shteruar. Kostot janë rritur kaq shumë sa disa kompani për shërbimet e naftës nuk janë në gjendje të konkurrojnë në shtëpi.
“Kvaerner”, e cila ndërton pajisje të rënda si platforma nafte, së fundmi humbi një kontratë të rëndësishme nga kompania shtetërore “Statoil” në konkurrencë me “Daewoo Shipbuilding & Marine Engineering”, për shkak se oferta e tyre ishte tepër e shtrenjtë. Kjo ishte vetëm një nga shumë problemet për kompanitë.
“Niveli i kostos së Norvegjisë është sfida jonë”, thotë Jan Arve Haugan, drejtori i saj ekzekutiv. “Cilësia e lartë nuk mund të kapërcejë diferencën në çmim”, tha ai, duke shtuar se çmimet e tyre janë 7-15 për qind më të larta se ato të konkurrentëve.
“Norwegian Air Shuttle” kërcënoi se do të lëvizë avionët e saj në Tailandë dhe do të operojë në Europë me ekuipazhe aziatike për shkak se thotë se nuk mund të përballojë kostot nordike.
Problemet e Norvegjisë nuk janë unike: Bumi minerar në Australi që ndodh 1 herë në 150 vjet e ka deformuar ekonominë, duke rritur pagat, duke nxitur emigrimin dhe duke ulur orët mesatare të punës në nivelin më të ulët në 30 vjet, ndërkohë që mirëqenia rritet.
Megjithatë në mesatare, australianët punojnë 19 për qind më shumë se sa norvegjezët. Dhe sektori i naftës në Norvegji zë një të pestën e ekonomisë, tri herë më shumë se sa sektori minerar në Australi, duke gjeneruar një të katërtën e të ardhurave shtetërore.
Grupet e biznesit thonë se orët e punës duhet të rriten përmes incentivave shtetërore dhe përfitimeve, veçanërisht duke reduktuar disa pushime. Megjithëse partitë politike në parim janë dakord, çështja zë një hapësirë të ulët në axhendë, veçanërisht në prag zgjedhjesh.
Emigrimi
Norvegjia ka filluar të kërkojë emigrantë si një masë për ndalimin e rritjes së kostove, por banka qendrore thotë se kjo nuk e ka zgjidhur problemin. “Të matur në bazë për frymë, ne nuk gjenerojmë më shumë vlerë të shtuar sot se sa gjeneronim pesë vjet më parë”, tha guvernatori i bankës qendrore, Oeystein Olsen, në një fjalim së fundmi.
Norvegjia ka një popullatë prej 5 milionë banorësh dhe tërheq rreth 50 mijë emigrantë në vit, por produktiviteti nuk po rritet. “Ne tërheqim llojin e gabuar të emigrantëve”, thotë Dag Aarnes, një ekonomist. “Ne nuk jemi veçanërisht tërheqës për punën e kualifikuar, veçanërisht inxhinierët”.
Pagat me prirje drejt barazisë në Norvegji sjellin pagesa të larta për punëtorët e pakualifikuar në krahasim me mesataren europiane, por paguan punëtorët me kualifikim të lartë më pak se sa tregu ndërkombëtar. Banka qendrore parashikon se pagat do të rriten dy herë më shpejt se sa PBB-ja për shumë vite, ndërsa dobësimi i produktivitetit do të pengojë ekonominë.
Me një surplus buxhetor prej 12 për qind të PBB-së, Norvegjia mund të përballojë aktualisht çdo gjë, por nëse nuk ul përfitimet nga skemat e ndihmave siç veproi Suedia në vitet 1990, ky surplus nuk do të mbijetojë gjatë.
Por përfitimet bujare dhe një balancë e mirë mes punës dhe jetës si dhe pabarazi të kufizuara në paga janë pjesë të rëndësishme të modelit të dashur të norvegjezëve dhe ndryshimet do të jenë të vështira.
“Mendoj se ka një mirëkuptim politik mbi këtë dhe unë jam optimist, – thotë Aarnes. Por nuk ka krizë të menjëhershme dhe kjo gjë do të kërkojë kohë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version