Zgjedhjet lokale në Maqedoni kaluan pa incidente të mëdha, por me një sërë parregullsish. “Lufta” për një votë kësaj radhe ka qenë shumë e madhe dhe janë vënë re mënyra të ndryshme të manipulimit të votës së lirë dhe blerjes së saj me nota, me ushqime, me para, etj. Jehona e këtyre zgjedhjeve ka qenë shumë e madhe, ku deri në orën 17 kishin votuar 57, 5 për qind e trupit votues, ndërkaq që dhjetëra qytetarë mes tyre edhe deputetë dhe kryetar partish janë fshirë nga lista zgjedhore.
Iniciativa Qytetare “CIVIL” ka evidentuar një numër të madh parregullsish gjatë procesit zgjedhor. Ja çfarë ka vërejtur CIVIL gjatë monitorimit të procesit zgjedhor: “Votimi i organizuar me autobusët nga Pusteci i Shqipërisë, ku i kanë dërguar qytetarët e Pustecit për të votuar në Resnjë. – Ryshfeti për votat me para dhe paketa ushqimi, në komunitetet e varfra, kryesisht në komunitetet rome (ka foto dhe deklarata). – Një numër i mësimdhënësve nga shkollat e mesme në Shkup kërkuan nga nxënësit të cilët kanë të drejtë për të votuar që me pamjet e telefonit celular të paraqesë prova të votimit për një parti të caktuar politike, pasi u ishin premtuar se do tua ndryshonin notat. – Në shumë vende votuesit nuk mund të gjejnë emrin në listat zgjedhore. – Aktivistët partiak kanë regjistruar votues që hyjnë dhe dalin në votime. – Dhuna dhe rrahje në vendvotime.
– Si vëzhgues në qendrat e votimit janë caktuara zyrtarët e lartë politikë”. CIVIL monitoron zgjedhjet me 140 vëzhgues statik dhe me ekipe mobile.
Parregullsi të ndryshme ka vërejtur edhe asociacioni “Most” i cili monitoron zgjedhjet me numrin më të madh të mbikëqyrësve.
Megjithatë të gjitha këto parregullsi nuk i kanë bërë aspak Ministrisë së Punëve të Bren duhme (MPB), e cila vlerëson se zgjedhjet vendore po zhvillohen në një atmosferë të qetë, të drejtë dhe demokratike, pa asnjë incident më serioz.
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka informuar se numri më i madh i vendvotimeve apo mbi 99 për qind janë hapur me kohë dhe se votimi po rrjedh pas asnjë problem dhe në një atmosferë demokratike. “Deri në orën 14 nuk është regjistruar asgjë incident më serioz dhe nuk kishte nevojë për intervenim të posaçëm të policisë. Votimi në vendvotimet po zhvillohet pa probleme dhe pa shkelje të së drejtës për votim”, deklaroi Kotevski.
Jehonë më e madhe po shënohet në komunat maqedonase në krahasim me komunat shqiptare, gjykuar sipas të dhënave zyrtare të KJSHZ-së, të prezantuara për jehonën deri në ora 17, që u prezantuan nga nënkryetari i këtij institucioni, Subhi Jakupi. Në nivel republikan është shënuar jehonë prej rreth 57 për qind, kurse në Shkup rreth 54 për qind.
Ja jehona në disa komuna e prezantuar prej KSHZ-së:
Aerodrom 56.84, Haracinë 55 përqind, Butel 51 për qind, Manastir 62 për qind, Gazi babë 49 për qind, Gostivar 48.9, Dibër 45 për qind, Karposh 60.3 për qind, Kisella Kërçovë 71.8 për qind, Kumanovë 52 për qind, Saraj 50 për qind, Prilep 67 për qind, Strugë 57 për qind, Strumicë 68 për qind,. Cair 4.6 për qind, Shtip 66 për qind.
Jehona deri në ora 17 në këto zgjedhje është dukshëm më e madhe në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009 kur deri në ora 17 ka pas jehonë prej 48 për qind. Jakupi ka njoftuar se deri tani procesi zgjedhor është zhvilluar pa devijime më të mëdha.
Rreth 300 qytetarë të Tetovës janë fshirë nga lista zgjedhore
Kryetar i komisionit komunal zgjedhor në Tetovë, Iljaz Halimi tha se rreth 300 qytetarë nuk e kanë gjetur emrin në listat votuese. “Procesi i votimit ka filluar mbarë dhe në orën 7.00 janë hapur të gjitha 92 vendvotimet. gjatë ditës mjaft votues (rreth 300) nuk kanë mundur që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit për arsye se nuk janë në listat e votimit edhe pse shumica e tyre kanë dokumente biometrik qoftë pasaporta qoftë letërnjoftime. Këto raste janë evidentuar dhe komisioni komunal zgjedhor do ti paraqes tek Komisioni Shtetëror Zgjedho”, tha Halimi.
Capa: Goollobërdasit invazion në Kërçovë dhe Strugë
Aktivisti i Lëvizjes Civile Taulant Capa ka paralajmëruar përmes profilit të vet në facebook për manipulimet që janë bë nga pushteti maqedonas, duke shfrytëzuar gollobërdasit dhe torbeshët e Shqipërisë.
“Sot gjatë ditës së zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoni, kanë marshuar një numër i madh votuesish nga Gollobërda e Republikës së Shqipërisë për të votuar në Komunën e Strugës dhe Kërçovës pasi ky komunitet njihet si i vetë-deklaruar si maqedonas ku dhe Gruevski për këtë qëllim kohë më parë i pajisi ato jashtë normave kushtetuese si shtetas të Maqedonisë. Kjo është një padrejtësi dhe diskriminim i radhës ndaj votimeve demokratike në Maqedoni ku qeverisja e Gruevskit po tenton të fitojë duke manipuluar me zgjedhjet me ndihmën e torbeshëve te Gollobërdës duke ju shmangur dhe mbuluar të vërtetën e shumicës dhe fitoreve që ju takojnë shqiptarëve. Këtë lajm ma konfirmuan ca miq të mi shqiptar që sot qëllimisht kanë monitoruar lëvizjet e këtij grupimi njerëzish që kanë kaluar nga pikat e ndryshme kufitare në Maqedoni, si në pikën kufitare të Qafë Thanës, Bllatës dhe Xhepishtes për të votuar më pas për kandidatët maqedonas në Strugë dhe Kërçovë,ku Gruevski përveç këtij rasti, ka angazhuar çdo instrument të pushtetit te tij korruptiv, manipulues dhe antidemokratik për të fituar këto dy komuna që ju takojnë shqiptarëve”, ka shkruar të dielën në facebook Taulant Capa, i cili për opinionin e këtushëm u bë i njohur pas sulmit me vezë në Tiranë, ndaj kryeministrit maqedonas Nikolal Gruevski./lajm/
Categories