E-zani
Të nderuar lexues të këtij blogu, nisur nga situata e tensionuar për shkak të ngjarjeve në Sirinë eafërt e nga zbulimet rrëqethëse mbi diellin që i vërtitet tokës, kemi menduar t’ju ofrojmë disa këshilla të përzemërta rreth mbrojtjes nga sëmundjet ideologjike dhe, mbi të gjitha, nga pasojat.
Së pari, përveç sixhadeve me motive nga Kandinskij, këshillohet të mos mbani në shtëpi materiale librare që përcjellin urrejtje, racizëm, homofobi të llojeve të ndryshme, revansh e mllef. Me fjalë të tjera, për shembull, Oriana Fallaci, me mllefin dhe krenarinë e saj, mund t’ju dhurojë faqet fotozhenike të mediave tona të nderuara, por kjo për arsyen e thjeshtë të përmbajtjes së librit. Meqenëse libri është shqipëruar nga Aurel Plasari, i lutemi organeve kompetente të konsiderojnë faktin se e kemi në cilësinë e ‘mobilies kombëtare’, pa të cilën vetë biblioteka qendrore e Shqipërisë nuk do të kishte kuptim të ekzistonte. Që të mos mbyllet Biblioteka, sepse me sa kuptohet – prej shkrimeve të shenjta – drejtor tjetër nuk mund të ketë, urojmë që Plasari të mos akuzohet si përkthyes i një autoreje që nxit urrejtjen fetare, kulturore, racore e njerëzore në përgjithësi. Le pastaj që Plasari ka evidentuar prej kohësh fundamentalistë si Enver Hoxha dhe, rishtazi,xhihadistë të maskuar me filozofinë fukoiane.
Së dyti, i duhet kushtuar kujdes natyrës së aktiviteteve private. Kështu, për shembull, një dyqan qoftesh, një tjetër me fara të zeza, ndonjë çajtore, janë përherë struktura të fuqishme ekonomike në sponsorizimin e turizmit në Lindjen e Mesme, se dihet, 400 miliardët (e deklaruar) që shpenzon SHBA në sferën ushtarake, janë një hiç përballë kapitaleve e potencialit të siguruar nga korporatat e misvakëve, takijeve dhe farave të zeza. Prandaj, tregtinë e këtyre farave shoqërojeni me fara luledielli, çajtoret dhe qoftoret pasurojini me kuqalashe, ndërsa dyqanet e celularëve të ekspozojnë postera të reklamave telefonike, me të cilat mund të vërtetojnë se janë mirë “në të gjitha drejtimet”. Mos harroni kuponin tatimor, pasi vetëm kështu pasuria është transparente, ani pse politikanët nuk veprojnë kështu dhe askush nuk di sasinë dhe burimin e milionave të tyre apo sa u kushton një fushatë elektorale e ku i marrin lekët për të blerë votat.
Së treti, materialet audio-vizive duhet t’i gërshetoni përherë në formë purifikimi shpirtëror. Pra, pasi të keni vozitur në ndonjë video ku Nënë Tereza shkon në ferr, dielli i sillet “unazës” e burrat nisen për turizëm në Siri, apo edhe pasi të keni dëgjuar ndonjë këngë nga Gold AG, është e udhës të keni në memorien e kompjuterit edhe zogun e Tunës, videon Meta-Prifti, natyrisht jo origjinalen, por jo, bie llafi, Aziz Dalipin me ‘ke selvitë e Namazgjasë’ sepse mund të rëndojë ndjeshmëri të gatshme, nga Shkreli në Cukal.
Së katërti, nëse në muret e brendshme të shtëpisë keni postera, portrete ose punime artizanale me pamje objektesh kulti, sugjerojmë që minaret të mos jenë kurrsesi me ekstremitet të rrumbullakosur, të bardha dhe bashkëngjitur me një ndërtim katër katësh; gjithashtu të mos jenë në stilin e atyre vendeve ku pranvera është iluzion i papërfunduar në kohë. Edhe mund të tolerohen foto-shopet turke, për momentin, derisa Erdogani ta mbajë premtimin e ndihmës ekonomike për qeverinë Rama, por e mira e të mirave do të ishte që këto punime të zëvendësoheshin nga portreti i ndonjë firmëtari të Pavarësisë, ndonjë Ismail Qemali, pa Bej, pa lesh, pa fes, por me kostum alla-franga, apo ndonjë Nikollë Kaçorri, rigorozisht me Dom përpara e rrasë veshur. Që të mos i mbetet hatri askujt, posterat dekorativë, nëse duhet të jenë pamje xhamish, të prezantojnë vetëm projektin në skicë dhe të parë nga lart – e mira e të mirave do të ishte të paraqitej ndonjë fotoshop coppy-paste nga turqia e shek. 17. Mund të zgjidhni edhe foto zëvendësuese me personazhe, si p.sh Ilir Kulla, vëllai trendy i ditëve të fundit (do të ishte mirë që KMSH-ja ta propozojë në listën e haxhinjve të këtij viti), apo Xhavit Shala, që të dy në gjysmë-profil, nga djathtas, tip Che Guevara.
Së pesti, më e rëndësishmja, kur të shkoni në shtrat, shtrihuni me kostum, të rruar, të krehur, se nuk i dihet kurrë, nata është e huaja. Nëse troket dera aty rreth orës 06:00, pas sabahut, pa merak, janë dëshmitarët e Jehovait, por nëse ju bie dera brenda, dijeni se kjo ndodh para sabahut ose kur jeni në sexhde, e atëherë taksirati i gruas të pastrojë dyshemenë, se patjetër duhet të kenë hyrë me këpucë. Në raste të tilla, sugjeroni edhe tifozerinë e rrugës, shoqëruese e fugonit blu 8+1, që më përpara të anëtarësohen në LSI ose, minimumi, gishtin tregues ta përdorin edhe për të shfletuar libra autorësh që zoti u ka vdekur me kohë.
Categories