Forumi Rinor Islam ka realizuar aktivitete të rëndësishme rinore në Tetovë dhe Shkup, duke shënuar përmbylljen e projektit “Eureka” dhe nisjen e projektit të ri “Incept”, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për edukimin dhe fuqizimin e të rinjve.

Në Tetovë u mbajt takimi i fundit i projektit “Eureka”, ku u trajtua tema “Të dëgjuarit aktiv”. Ligjërata u udhëhoq nga Munibe Qamili, e cila theksoi rëndësinë e kësaj aftësie në komunikimin e përditshëm, ndërtimin e marrëdhënieve të shëndosha dhe zhvillimin personal të të rinjve. Takimi shënoi edhe përmbylljen zyrtare të projektit, me ç’rast u bë shpërndarja e certifikatave për pjesëmarrësit, si vlerësim për angazhimin e tyre gjatë gjithë projektit. Aktiviteti u përmbyll me një koktel të përbashkët, duke krijuar një atmosferë miqësore dhe bashkëbiseduese mes të rinjve.

Ndërkohë, në Shkup, FRI ka nisur realizimin e projektit “Incept”, në kuadër të platformës “Mozaiku Rinor”. Takimi i parë iu dedikua nxënësve të shkollave të mesme dhe u mbajt në qytetin e Shkupit. Në hapje të aktivitetit u bë prezantimi me ekipin punues, ku kryetari i FRI – dega Shkup, Afrim Demiri, foli rreth rolit dhe rëndësisë së organizatave joqeveritare, projekteve rinore dhe aktivizimit të Forumit Rinor Islam ndër vite.

Më pas, ligjëruesi trajtoi temën “Ndikimet e rrjeteve sociale”, duke u ndalur në ndikimet pozitive dhe sfidat që ato paraqesin në jetën e përditshme të të rinjve, si dhe duke i inkurajuar për një përdorim të ndërgjegjshëm dhe të balancuar të tyre. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune, ku diskutuan mbi ndikimin e rrjeteve sociale në komunikim, edukim dhe aktivizëm rinor, si dhe mbi ide konkrete për aktivitete të ardhshme. Takimi u përmbyll me një lojë njohëse, me qëllim forcimin e lidhjeve dhe krijimin e një atmosfere sa më miqësore mes nxënësve.

Këto aktivitete dëshmojnë përkushtimin e Forumit Rinor Islam në zhvillimin e projekteve që adresojnë nevojat, interesat dhe sfidat e të rinjve, duke krijuar hapësira edukative, bashkëpunuese dhe motivuese për ta.

Tetovë & Shkup, 03 janar 2026