Në mjediset e SHF “Çajla”, në prani të banorëve të fshatit Çajlë dhe mysafirëve të ftuar, u bë promovimi i librit monografik “Çajla” e autorit Sali Jonuzi.
Në ceremoninë e rastit, foli sekretari i komunës së Gostivarit – Naxhi Xhelili, i cili në emër të kryetarit të komunës Rufi Osmani, përshëndeti të pranishmit dhe uroi autorin për punën e e shkëlqyer që ka bërë.
“Komuna e Gostivarit, e mbështeti financiarisht këtë projekt të autorit Sali Jonuzi, sepse vlerësoi se ky libër monografik është i një rëndësie të veçantë, si dhe inkurajojmë edhe studiuesit tjerë që të publikojnë vepra të këtilla për vendbanimet tjera nga treva jonë”, theksoi sekretari Xhelili.
Recenzenti  i librit – doc.dr Resul Hamiti tha se për botimin e këtij libri autori ka punuar shumë dhe ka shfrytëzuar materiale dhe të dhëna të shumta në terren.
“Në këtë monografi autori ka përdorur metoda hulumtuese dhe vrojtime në terren dhe me kujdes të veçantë ka bërë përzgjedhjen e çështjeve dhe nënçështjeve me interes për lexuesit. Ky punim le t’i shërbejë si hyrje autorit në fushën e studiuesve dhe të mos ndalet vetëm me ketë monografi”, theksoi doc. Hamiti.
Autori Sali Jonuzi, u prit nga kryetari Rufi Osmani, të cilit I dhuroi një libër me nënshkrimin e autorit.
Sali Jonuzi ka lindur në vitin 1985 në fshatin Çajlë. Ka diplomuar në vitin 2009 në Fakultetin e shkencave humane dhe arteve pranë USHT-së – dega gjeografi. Aktualisht punon si mësimdhënës në SHF “Çajla”, ndërsa monografia “Çajla” është libri I tij I parë.