Një grup qytetarësh protestuan sot në Tetovë kundër ndotjes së ajrit. Në mënyrë demonstrative, ata kishin vendosur edhe maska kundërgazi. Organizatorët e kësaj proteste parashtruan kërkesa ndaj qeverisë dhe Ministrisë së Ekologjisë për përmirësimin e gjendjes, duke i kujtuar autoriteteve se çdo ditë që i shtohet kësaj situate, do të thotë shtim të sëmundjeve kancerogjene.
“Stop ndotjes kancerogjene të ambientit ku jetojmë! Ne duhet të reagojmë që të ndërpritet ky gjenocid ekologjik që po i ndodh Tetovës dhe rrethinës së saj, me qëllim që të afërmit tanë, familjarët dhe gjithë banorët e kësaj ane, të paktën të thithin ajër të pastër. Ky mision duhet të përmbushet patjetër, si parandalim i sëmundjeve kacerogjene”, tha Xhelal Neziri, organizator i protestës.
“Shpresoj që së paku masat që u përmendën, të merren parasysh dhe së paku të bëhet diçka që të gjithë ne që jetojmë këtu në Tetovë të kemi një ajër më të pastër, gjëja më elementare për jetë”.
“Unë kam dalë kundër ndotjes së ajrit sepse ne si studentë të rinj, në ardhmëri duam të kemi shëndet e jo sëmundje. Shteti duhet të na e sigurojë neve këtë, e jo të lërë fabrikat pa filtra”.
“Kemi dalë të protestojmë sepse Tetova nuk e meriton një gjendje të tillë. Mendoj që duhet të merren masa më konkrete që edhe qarkullimi rrugor të lirohet”.
Organizatorët e protestës kërkuan gjithashtu që inspektorët e ambientit të ndëshkojnë më ashpër ata që djegin lëndë toksik, apo çfarëdo lloj ndotësi tjetër të ajrit.
“Qeveria të urdhërojë Jugohromin dhe të gjithë ndotësit e tjerë të mëdhenj, të ndalin prodhimin deri në vendosjen e filtrave. Qeveria të subvencionojë me 30 % faturat e rrymës së amvisërive gjatë sezonit të ngrohjes, me qëllim të zvogëlimit të përdorimit të lëndëve djegëse si druve dhe qymyrit. Urgjentisht të zgjidhet çështja e pikave të paligjshme të grumbullimit të mbeturinave në rajonin e Pollogut”, u shpreh Xhelal Neziri, organizator i protestës.
Në qoftë se këto kërkesa nuk do të merren parasysh, organizatorët paralajmëruan se do të marrin masa më radikale protestuese. /Alsat-M/
Categories