Nxënësit kërkojnë mbështetjen e familjes në periudhën e provimeve apo atëherë kur marrin vendime të rëndësishme për jetën e tyre.
Specialistët mendojnë se familja duhet të luajë rolin kryesor në këtë periudhë ku stresi arrin kulmin. Prindi duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos e lënë vetëm fëmijën gjatë periudhës së provimeve, të japë këshilla dhe mbështetje të fortë psikologjike e sociologjike në zgjedhjen e degës së dëshiruar. Prindërit nuk duhet t’i detyrojnë fëmijët të studiojnë në degë për të cilat ata nuk kanë prirje dhe dëshirë, sepse kjo ndikon negativisht në jetën e mëvonshme profesionale. Prindërit gjithnjë mund të gjejnë një fushë të përbashkët ku të përputhin dëshirat e tyre me të fëmijëve.
Specialistët pohojnë se nxënësit të cilët nuk arrijnë të menaxhojnë procesin e provimeve, nuk shfaqin dëshirën për të mësuar dhe nuk janë sistematikë në mësime, përjetojnë probleme me familjen. Familja  nuk duhet ta shohë provimin si një përgjegjësi të fëmijës, por duhet menduar si një lojë skuadre dhe secili duhet të bëjë detyrën përkatëse. Duke e motivuar fëmijën e tyre dhe duke e mbështetur deri në fund, familja bën të mundur një kalim të suksesshëm të provimeve. Nxënësi duhet të nxitet me mendime pozitive dhe të krijojë në vetvete besimin se mund t’ia dalë. Nëse fëmija ka një mangësi apo të metë, atëherë i duhet shprehur me një gjuhë të përshtatshme. Veçanërisht familja duhet të vizatojë një tablo realiste dhe pozitive në lidhje me të ardhmen.
Vëzhgojeni mirë fëmijën tuaj gjatë periudhës së provimeve. Kuptoni mendimet dhe ndjenjat e tij. Vlerësoni sjelljen. Përpiquni t’i kuptoni gjatë kësaj periudhe. Kuptoni sesi ndihet një nxënës i cili nuk arrin rezultatin e dëshiruar në provim. Nëse mund ta  kuptoni dhe ta ndani me të këtë gjë, atëherë do të ndikoni pozitivisht në anën psikologjike të fëmijës dhe do të nxisni tek ai dëshirën për të mësuar. Shikojeni provimin si një lojë skuadre dhe vlerësojeni. Përpiquni të bëni më së mire detyrën tuaj duke i mundësuar një mbështetje logjistike fëmijës. /Start/Aisa Kokiçi/