Categories
Lajme FRI

Pse-të e tejkaluara mbi mbulesën

Bruna Zadeja
Pyetjet mbi mbulesën  e vajzave dhe grave me shami ende nuk e kanë kaluar pragun e kuriozitetit sot e rreth 20 vite më parë kur ajo filloi të shfaqej si dukuri e manifestimit të besimit islam në Shqipëri. Përveç kësaj as mënyra e formulimit të pseve mbi mbulesën nuk i është përshtatur dhe aq emancipimit, gjithsesi të mundimshëm shoqëror postkomunist. Janë të njëjtat pyetje e dyshime që hidhen, tashmë të tejkaluara, – jo një,  por shumë herë, – ato që i adresohen femrës së mbuluar, pavarsisht habisë që shkaktojnë. Kjo vjen për shkak se, së pari sepse e “detyrojnë” të ofrojë gjithmonë të njëjtën përgjigje, së dyti sepse tregojnë që, në thelb, vizioni për t’i  parë gjërat mbetet për tu zgjeruar, (ky është një tregues se emancipimi ka ndodhur vetëm në dukje), dhe së treti, mundësia për të kuptuar të vërtetën brenda këtij konteksti është e pamundur, sepse realisht kësaj mundësie nuk i paraprin kushti i dëshirës për të kuptuar vërtetë të vërtetën. Të referuara në këtë mënyrë pyetje të tilla kanë shërbyer si tregues negativ më tepër sesa si funksione reale emancipuese. Kjo do të thotë se përbërja tendencioze dhe thjesht kurioze e tyre është fill dëshpërues që lidh ende periudhën komuniste me atë gjojamoderne në Shqipëri. Megjithatë është krejt normale të pranohet kurioziteti si reagim fillestar ndaj së panjohurës, por është e papranueshme që këto reagime të ndalen këtu.
Gjatë gjithë këtyre viteve ka ndodhur pikërisht kjo çudi! Ende dhe sot, pyetjet në lidhje me mbulesën janë po ato, të tipit: pse, kur, si u mbuluat, – të tilla që kërkojnë shtjellim ngjarjesh të zakonta, të cilat gjithsesi krijojnë një farë impakti tek njerzit,  por që  maksimumi shkojnë në reagime keqardhjeje, urrejtjeje apo abstenuese. Pra nervi kolektiv për të kuptuar diçka më shumë rreth një dukurie apo fenomeni që ndodh në shoqëri ka ngecur në nivelin e reagimit të pandërgjegjshëm pa kaluar dot tek qëndrimi subjektiv i vetëdijshëm. Në këtë mënyrë bllokohet procesi i natyrshëm i zhvillimit të një shoqërie e cila si një shoqëri që aspiron Europën, i ka gati përgjigjet kundërshtuese ndaj çdo dukurie që (në dukje) e pengon këtë aspiratë.
Në këtë kontekst problem nuk është kontestimi në vetevete apo miratimi gjithashtu i mbulesës, por modelet e gatshme sipas së cilës ndodhin këto qasje. E drejta për të reaguar individualisht është një e drejtë e mohuar dhe e zëvendësuar me të drejtën për të reaguar kolektivisht me mënyra identike në thelb. Çfarëdolloj ndjesie  që mund të të shkaktojë një zonjë e mbuluar, sado pozitive qoftë ajo (ndjesia), nëse tingëllon e huaj brenda sistemit të vlerave të përligjuara që kushtëzojnë zhvillimin, ajo automatikisht rezulton të jetë e padobishme dhe e papranueshme. Një qëndrim i argumentuar kundërshtues ndaj mbulesës do të ishte më i vlerësuar se një qëndrim i pa argumentuar miratues ndaj saj. Duke marrë mbulesën si pikë referimi, – e jo vetëm atë në fakt, por çdo lloj ndryshimi që ndodhi në shoqërinë tonë me daljen nga komunizmi, – të menduarit kritik lë për të dëshiruar.
E gjithë kjo parantezë shpjegon habinë time personale e cila përfaqëson dhe shumë habi të tjera gjithashtu. Të orientuara kështu e bën bashkëveprimin e ndërsjelltë të shkëmbimit të pseve dhe përgjigjeve më të prekshëm, më të natyrshëm dhe më efektiv. Në këtë kontekst pyetjesh jotendencioze edhe përgjigja nuk vjen si një  nevojë e thatë për t’iu përgjigjur oratorisë me oratori, por vjen si një parashtrim krejt i natyrshëm, i cili të lejon ta thuash të vërtetën pa komplekse dhe, ç’është më e rëndësishmja, si një përvojë individuale, e cila nuk ngjan me tjerën. Ruajtja prej përgjigjeve rutinë dëshmon cilënsinë e pyetjes dhe lejon shtjellimet e duhura.
Kështu në këtë kontekst pyetjesh të dëshiruara për t’mu parashtruar po preferoj të tregoj përvojën time personale në lidhje me mbulesën, e cila  ka ndodhur përmes ndjesish e përjetimesh të lidhura sigurisht me ambjentin familjar e shoqëror. Kur vendosa të mbulohem isha duke bërë hapin e fundit në lidhje me dakortësinë time me Islamin. Mund të them se isha e mahnitur prej qetësisë që të ofronte mënyra se si shiheshin gjërat përmes kësaj feje të mrekullueshme. Isha fare e re për të thënë se Islami erdhi tek unë përmes një ndërgjegjie të plotë. Ishin ndjesitë pozitive që më shkaktonte kjo fe, ato që më shtynë të mos heq më dorë prej saj, qysh prej momentit të kontakteve të mia të para me këtë mrekulli, e cila më plotësonte çdo mungesë për të cilën as që e dija se kisha nevojë deri në momentin kur, përmes kuriozitetit dhe dëshirës për të mos qëndruar indiferente, fillova të zbuloj se si një gjë që dukej aq e largët i shërbente përpikmërisht natyrshmërisë dhe njohjes time si qenie njerëzore. Mendoja se isha duke zbuluar diçka që s’e njihja, por natyrshëm kuptova se përmes Islamit, për herë të parë në jetën time po prezantohesha me veten. Çfarë isha në këtë botë, në raport me të (veten) , të tjerët dhe Zotin vetë.
Të përqafuarit e Islamit erdhi si reflektim  pritshmërishë  të munguara në fakt që shoqëria s’mi ofronte dot. Dua të them se nevoja për sinqeritet e vërtetësi përgjithsisht në kontaktet ndërnjerëzore e me rradhë, kontaktet njeri-natyrë, apo njeri-botë etj etj, në rrethin shoqëror laik ishte privilegj i një pakice të vogël, e cila në rastin më të keq konsiderohej e pavlerë, sepse në rastin më të mirë, ishte si “aksesor i nuses në prag martese”. Por në Islam kjo nevojë ishte qëllim në vetvete, ishte një virtyt pa të cilin nuk e gëzoje dot statusin e të qenurit njeri pozitiv, i cili ka çfarë të japë dhe di çfarë të marrë.
Ja kështu duke u përballur për herë të parë me një përkufizim të saktë mbi vlerën njerëzore, forca për të mos dalë më jashtë konturesh, tanimë të sigurta, ishte e vetvetishme. Unë nuk kisha nevojë ta pregatisja veten për të qenë e fortë, unë zbulova se isha e tillë. Mua më bënte të fortë pozitiviteti i vlerave njerëzore që përcillte Islami, respekti dhe dashuria  për të cilin vendosa të mbulohem gjatë kohës kur studjoja në fakultet. Gjithçka erdhi në mënyrë krejt të natyrshme dhe rrodhi jo aq lehtë, përmes gjykimesh të shpejta që shoqëria formulonte në lidhje me imazhin e Islamit. Me këtë nënkuptoj se riintegrimi im edhe njëherë nga e para në shoqëri, tanimë si diçka e ndryshme, ishte pak i çuditshëm, sepse njerëzit zgjodhën thelbësisht të më shohin ndryshe, nisur nga veshja ime e cila s’bëri gjë tjetër, përveçse përmirësoi marrdhënien time me të tjerët.
Megjithatë këtë impakt që për mua tingëllonte absurd fillimisht, fillova ta mendoj më pas si diçka krejt të natyrshme, në një shoqëri që e njihte aq pak Zotin. Dhe këtë e them me një keqardhje të thellë, duke patur parasysh se sa larg dhe sa pak të ngjashëm ishin sistemet e vlerave që unë po njihja, tanimë paralelisht. Pikërisht këtu nisin dhe shumë probleme reale që kanë të bëjnë me integritetin e gruas së mbuluar. Përputhshmëria e saj me shoqërinë i ngjante dhe vazhdon t’i ngjajë gjumit që bënte Borbardha mbi krevatin e xhuxhave. Natyrisht në këtë rast faji nuk është i Borbardhës por i shoqërisë që duhet të zgjatet edhe pak fare për të parë më mirë, duke dashur të them se  shoqëria jonë ka patur fatin e madh që në pjesën dërrmuese të saj t’i përkasë besimit islam, pavarsisht 50 viteve të mbrapshta që ia mohoi shqiptarëve anën më njerzore të tyre, nevojën për Zot. Ndërprerja në mënyrë befasuese e kësaj nevoje shpjegon shumë “egërsi” të cilat do të duhej t’i zbuste sërish malli për këtë nevojë.
Po! Shoqëria shqiptare, por jo vetëm ajo në fakt, ka nevojë për diçka më të fortë se vetja që të përmirësojë realitetin e saj, së cilës me sa duket, vizioni për të ardhmen i ka humbur në mjergullën  e përditshmërisë moderne që njeh vetëm kohën e tashme si distancë ku projektohen nevojat tona. Sytë për tek e ardhmja i janë lënë rastësisë, siç mendon dhe çdo fëmijë naiv… ka kohë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version