Jeta sedentare apo qëndrimi ulur bën keq, shumë keq. Me sa duket nuk ka rëndësi se sa ushtrime fizike të moderuara bëni sepse çdo orë më shumë e qëndruar ulur e dyfishon rrezikun për aftësitë e kufizuara.
Paralajmërimi vjen nga një studim i ri i botuar në gazetën e aktivitetit fizik dhe të shëndetësisë, dhe i kryer nga hulumtuesit e universitetit “Northwestern Medicine”, të cilët kanë zbuluar se pavarësisht moshës, personi që qëndron ulur më shumë se një orë krahasuar me një person tjetër ka të ngjarë që të bëhet 50% më shumë i paaftë. Vëzhgimi është bërë duke analizuar efektet e jetës sedentare te 2,200 njerëz të moshës mbi 60 vjeç. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të pajisur me sensorë lëvizës që duhet t’i vishnin gjatë orëve kur ata qëndronin zgjuar për të paktën katër ditë në javë. Më pas pjesëmarrësit janë vëzhguar në këtë mënyrë për rreth tre vjet.
Sensorët masnin jo vetëm aktivitet fizike të lehta, por edhe ato të moderuarat, të tilla si bërja e pazarit, ecjet me hapa të shpejtë apo të rrjedhshëm. Në të njëjtën kohë sensorët masnin edhe periudhat kur pjesëmarrësit nuk bënin asnjë aktivitet. Rezultatet përfundimtare treguan se ata që ishin ende aktiv në kompleks paraqisnin shëndet më të mirë se ata që nuk ishin aktiv. Përveç kësaj, ata që qëndronin ulur rreth nëntë orë ose më shumë orë në ditë treguan një rënie të matshme në aftësitë fizike. Sipas shkencëtarëve qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë probleme të muskujve, ndërsa yndyra digjet më pak dhe gjaku rrjedh më me ngadalë. E gjithë kjo çon në pasoja të rënda për shëndetin dhe në zhvillimin e sëmundjeve të tilla si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, obeziteti, por edhe aftësitë e kufizuara fizike.
“Kjo është hera e parë që ne kemi treguar se si një sjellje sedentare lidhet me një mundësi të madhe të shkaktimit të aftësive të kufizuara, pavarësisht sasisë së ushtrimeve fizike të moderuara. Të jesh sedentar nuk është sinonim vetëm i pamjaftueshmërisë së aktiviteteve fizike”, shpjegon Dorothy Dunlop, profesoresha e mjekësisë së Universitetit “Northwestern Feinberg School of Medicine” dhe njëkohësisht udhëheqësja e këtij studimi. Në fund të fundit, ajo që studiuesit gjetën është se qëndrimi ulur është një faktor rreziku për aftësitë e kufizuara pothuajse aq sa edhe mungesa e aktivitetit fizik, qoftë i lehtë, i moderuar apo i fuqishëm. “Kjo do të thotë se të rriturit më të vjetër kanë nevojë që të reduktojnë sasinë e kohës që kalojnë ulur, qoftë para TV ose kompjuteri, pavarësisht nga pjesëmarrja e tyre në aktivitet fizike të moderuara ose të fuqishme”, përfundon Dunlop. / Top Channel
Categories