PYETJA: Cili është qëndrimi i sheriatit ndaj marrjes me qira të një gruaje të martuar, mitrën e një gruaje tjetër, ashtu që merret spermatozoidi i burrit të njërës grua dhe qeliza vezë e saj, pastaj këto transferohen në mitrën e një gruaje tjetër?

Autor: Dr. Bashkim ALIU – anëtar i Unionit botëror të dijetarëve muslimanë.
PËRGJIGJA: Kjo çështje është gjurmuar në një nga konferencat të cilat i organizon Organizata Islame për Shkencat Medicinale në Kuvajt, ku si zakonisht mblidhen dijetarë të shquar të fushave islame dhe ekspertë të medicinës. Pas gjurmimeve dhe analizave të bëra, është miratuar fetva se lejohet për bashkëshortët, njërit apo të dy, t’i shfrytëzojnë mundësitë që ofron sot shkenca për ta ndihmuar procesin e lindjes, mirëpo, me kusht që spermatozoidi të jetë i burrit dhe qeliza vezë e gruas, dhe mos ndërhyjë asnjë palë e tretë në mes tyre. Kjo njihet te njerëzit si “Fëmiju i epruvetës”.
Nëse spermatozoidi është prej një mashkulli i cili nuk është bashkëshortë i gruas, pa marrë parasyshë a dihet se kush është apo jo, kjo është pa diskutim haram.
Po ashtu, të njejtin tretman e ka edhe nëse qeliza vezë është prej një femre tjetër e jo prej bashkëshortes.
Po këtë status e ka edhe nëse qeliza vezë është prej femrës, mirëpo mitra është prej një gruaje tjetër. Do të thotë, edhe kjo formë është e ndaluar.
Kjo, ngase këtu lind një pyetje konfuze

Cila do të jetë nëna?

A do të jetë nëna, gruaja prej së cilës është marrë qeliza vezë e cila i mban veçoritë gjenetike-gjenet, apo do të jetë gruaja e cila e ka mbajtur barrën dhe i ka përjetuar dhimbjet e lindjes?
Bile, edhe nëse këto dy gra janë ortake, pra të martuara për të njejtin burr, kjo nuk lejohet, ngase me këtë humb vërtetësia e amësisë ndërmjet këtyre dy grave, ashtu që parashtrohet pyetja se cila është nëna e vërtetë? Cilës grua do t’i atribuohet fëmija:Asaj nga e cila është marrë qeliza vezë, apo asaj që e ka mbajtur në mitër? Vetë juristët islamë nuk janë të një mendimi, për atë se cila është nëna e vërtetë, nëse ndodh me të vërtetë diçka e tillë. Disa kanë thënë se nëna e vërtetë është ajo prej së cilës është marrë qeliza vezë, e edhe unë jam më afër këtyre; ndërkaq disa tjerë kanë thënë se nëna e vërtetë është ajo që e ka mbajtur barrën dhe e ka lindur. Kuptimi aparent i ajetit Kur’anor është me këta:<<…nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata…>>. Sido që të jetë, të gjithë juristët islamë e ndalojnë një veprim të këtillë dhe e cilësojnë të ndaluar-haram.
Nëse disa gra janë sprovuar me atë që nuk prodhojnë qelizë vezë, ato konsiderohen si gra të cilat nuk kanë mitër. Edhe burrat të cilët nuk prodhojnë spermatozoide të gjalla, apo prodhon spermatozoide të vdekura apo gati të vdekura, janë sprovuar me sterilitet të cilin Allahu i Madhërishëm e ka përmendur në librin e Tij:<<Vetëm i Allahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do, e i falë vetëm meshkuj atij që do (49) Ose u falë çift, meshkuj e femra, por atë që do e lë pa fëmijë (steril); Ai është i dijshëm, i fuqishëm (50)>>. Pra, ka disa që ka qenë vullnet i Allahut t’i bëjë steril, dhe nuk ka kush e kthen vullnetin e Allahut të Madhërishëm, dhe nuk ka shërim për këtë pos durimit në këtë sprovim nga Allahu dhe pajtimit me caktimin e Allahut. Të qenit baba dhe nënë, ata mund ta ushtrojnë duke marrur në mbikëqyrje jetima dhe fëmijë pa prindër, të gjuajtur në rrugë. Në këtë ka shpërblim të madh. Në hadith autentik qëndron se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:”Unë dhe mbikëqyrësi i jetimit, në Xhenet do të jemi si këto dy”, dhe tregoi me dy gishtat e tij:gishtin tregues dhe gishtin e mesëm. Paqa, shpëtimi dhe përshëndetjet e shumta të Allahut qofshin mbi zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
POASHTU PER KETE KA PERGJIGJE EDHE NE VENDIMIN E AKADEMISE SE FIKHUT ISLAM PRANE LIGES SE BOTES ISLAME QE ESHTE VENDIM I NGJATE PER FEMIJET E EPRUVETAVE POR MUND TE NXIRRET EDHE PER KETE CESHTJE VENDIMI I DYTË PËRKITAZI ME NGJIZJEN ARTIFICIALE DHE FËMIJËT E EPRUVETAVE
Falënderimi i takon Allahut, përveç të Cilit nuk ka tjetër, bekimi dhe paqa qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe pejgamberin tonëMuhammedin.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam në seancën e tetë të mbajtur në selinë e Ligës së botës Islame në Mekke duke filluar prej ditës së shtunë 28 Rebiu-l-Ahir 1405 e deri ditën e Hënë 7 Xhumade-l-Ula 1405h/ 19-28 Janar 1985, i shqyrtoi vërejtjet të cilat i paraqitën disa nga anëtarët rreth lejimit të asasj që u përmend në pasusin e katër të pikes së dytë të vendimit të pestë përkitazi me ngjizjen artificial dhe fëmijën e epruvetave, vendim ky i marrë në sesionin e shtatë të mbajtur prej 11-16 të muajit Rebiu-l-Ahir të vitit 1404h.
Në këtë pike, tekstualisht qëndron:
“Këshilli i Akademisë, mendon se edhe metoda e shtatë kur “Ngjizja eksterne bëhet në epruvetë në laborator mes farës së dy bashkëshortëve, pastaj qeliza vezë e ngjizur mbillet në mitrën e gruas së dytë të burrit nga i cili është marrë sperma, ashtu që ortakeja vullnetarisht e bart qelizën vezë të ngjizur të ortakes”, është e lejuar në rast nevoje, konform kushteve të përgjithshme të përmendura”.
Për këtë pikë, janë paraqitur disa vërejtje, e që do t’i rrumbullakojmë në sa vijon:
ü  Gruaja e dytë në të cilën është vënë qeliza vezë e ngjizur e gruas së parë, mund të ngelet edhe me një bare tjetër, gjatë marrëdhënieve me bashkëshortin, para se të mbyllet mitra, në një kohë të përafërt me mbjelljen e qelizës vezë të ngjizur, e pastaj të lind bineq. Në këtë rast, nuk dihet cila është nëna e fëmijut të lindur nga qeliza vezë e ngjizur, e marrur nga gruaja tjetër, dhe cila është nëna e fëmijut të lindur nga marrëdhëniet intime të gruas me bashkëshortin e saj.
ü  Poashtu, ndodh që njëri embrion të vdes dhe të del i vdekur kur do të lind embrioni tjetër. Në këtë rast, nuk dihet, ky që ka lindur, a është fëmiju i lindur nga qeliza vezë e ngjizur e marrur nga gruaja tjetër, apo është fëmiju i lindur nga marrëdhëniet intime të kësaj gruaje me bashkëshortin e saj. Kjo çon në përzierjen e gjenezës së të dy embrioneve për nga ana e nënës, e për rrjedhojë shkakton konfuzion edhe në dispozitat të cilat vlejnë për këtë rast.
E gjithë kjo determinon që Akademia mos të japë mendim për rastin në fjalë”.
Poashtu, Këshilli i dëgjoi edhe mendimet e gjinekologëve të cilët prezantuan në seancën e Këshillit, të cilët e mbështetin mundësinë e shtatzënisë së dytë nga marrëdhëniet intime të burrit me gruan e cila veç e mban një qelizë vezë të ngjizur nga gruaja tjetër. Me këtë, bëhet përzierje a gjenezës, ashtu siç theksohej në vërejtjet në fjalë. Pas debatimit të çështjes në fjalë dhe këmbimit të mendimeve për këtë problematikë,
Këshilli morri vendim:
Ta tërhek lejimin e rastit të tretë në metodën e shtatë, në vendimin e Këshillit të Akademisë në sesionin e shtatë të vitit 1404h, ashtu që vendimi i përmendur më parë, në sesionin e shtatë, tash do të jetë si vijon:
Falënderimi plotë i takon vetëm Allahut Nji, bekimi dhe paqa e Tij qofshin mbi atë pas të cilit nuk ka pejgamber tjetër, zotëriun dhe të dërguarin tonë Muhammedin. Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam e shqyrtoi studimin e paraqitur nga anëtari i Këshillit, Mustafa Ahmed ez-Zerka, përkitazi me ngjizjen artificiale dhe fëmijët e epruvetave, çështje kjo që i preokupon me të madhe njerëzit, si dhe paraqet një nga çështjet më aktuale në botë. Këshilli diskutoi rreth arritjeve shkencore në këtë fushë, si dhe asaj që ka arritur ta bëjë shkenca dhe teknologjia në kohën tonë në drejtim të lindjes së fëmijëve dhe evitimin e shkaqeve të ndryshme të sterilitetit, të cilat e pengojnë lindjen e fëmijëve.
Nga studimi i hollësishëm në fjalë, Këshillit iu bë e qartë se ngjizja artificiale (jo në mënyrë natyrale e cila bëhet përmes kontaktit seksual të drejpërdrejtë ndërmjet mashkullit dhe femrës), bëhet përmes njërës nga këto dy mënyra themelore:
Ngjizja interne, duke bërë injektimin e spermës së mashkullit në vendin e përshtatshëm në brendi të organeve të gruas.
Ngjizja eksterne, e cila bëhet me ngjizjen mes spermës së mashkullit dhe qelizës vezë të femrës në një epruvetë testuese në laboratoret mjekësore, pastaj mbjelljen e qelizës së ngjizur në mitrën e gruas.
Në të dy mënyrat, gruaja patjetër ta zbulojë trupin për atë që e kryen këtë veprim.
Nga studimi në fjalë për çështjen përkatëse, dhe nga diskutimet që u zhvilluan përkitazi me këtë çështje, Këshillit të Akademisë iu bë e qartë se;
Gjithesej janë shtatë format dhe mjete me të cilat bëhet ngjizja artificiale për shumim, me të dy mënyrat:interne dhe eksterne.
Ngjizja interne bëhet përmes dy metodave, ndërkaq
Ngjizja eksterne bëhet përmes pesë metodave, për nga aspekti praktik, pa mos u ndalur në atë se a janë të lejuara apo të ndaluara fetarisht.
Metodat janë si vijon:
1.NGJIZJA ARTIFICIALE INTERNE
Metoda e parë:
Merret sperma e burrit të martuar dhe injketohet në vendin e përshtatshëm në brendësi të organeve apo në mitër të gruas së tij, në mënyrë që spermatozoidi të takohet në mënyrë natyrale me qelizën vezë të bashkëshortes së tij. Në këtë mënyrë bëhet ngjizja, e pastaj ngjiten në murin e mitrës me lejen e Allahut të Madhërishëm, si në rastin e marrëdhënieve seksuale. Kjo metodë aplikohet kur burri, për ndonjë shkak të caktuar, është i pamundshëm ta çojë spermën e tij deri në vendin përkatës gjatë marrëdhënieve seksuale.
Metoda e dytë:
Merret sperma e një burri dhe injektohet në vendin përkatës te bashkëshortja e një burri tjetër, në mënyrë që të ndodh ngjizja interne dhe më pas ngjitja në murin e mitrës, si në rastin e parë. Kjo metodë aplikohet kur bashkëshorti është steril. Atëherë, sperma merret nga një mashkull tjetër, për ta injketuar në mitrën e gruas së tij.
2.NGJIZJA ARTIFICIALE EKSTERNE
Metoda e tretë:
Merret sperma nga bashkëshorti dhe qeliza vezë nga bashkëshortja e tij dhe vendosen në epruvetë në laborator mjekësor nën kushte të caktuara në mënyrë që spermatozoidet e bashkëshortit ta bëjnë ngjizjen e qelizës vezë të bashkëshortes së tij në epruvetën përkatëse në laborator. Më pas, qeliza vezë e fekonduar, kur do të fillojë të ndahet dhe të shtohet, në kohë të përshtatshme, transferohet nga epruveta e laboratorit në mitrën e bashkëshortes nga e cila është marrë qeliza vezë që të ngjitet në murin e mitrës që të zhvillohet dhe të formësohet si çdo embrion tjetër. Pastaj, në fund të kohës së shtatzënisë natyrale, gruaja e lind këtë embrion foshnje, mashkull apo femër. Ky është “Fëmiju i epruvetës”, një arritje e shkencës me lehtësimin e Allahut të Madhërishëm. Në këtë mënyrë kanë lindur deri më sot një numër fëmijës:meshkuj, femra e bineqë. Për këtë kanë shkruajtur gazetat botërore dhe kanë informuar mediumet anembanë botës. Kjo metodë aplikohet në rast se gruaja është sterile për shkak të mbylljes së kanalit që bën lidhjen e vezorit dhe mitrës së saj (tuba fallopiane).
Metoda katërt:
Fekondimi ekstern bëhet në epruvetën e laboratorit në mes spermës së marrë nga bashkëshorti dhe qelizës vezë të marrë nga një femër e cila nuk është bashkëshorte e këtij burri (këtë femër e quajnë dhuruese). Më pas, qeliza e ngjizur mbillet në mitrën e bashkëshortes së burrit në fjalë. Kjo metodë aplikohet kur vezori i femrës është hekur, apo nuk funksionon, por mitra e saj është e shëndoshë dhe qeliza vezë e ngjizur mund të ngjitet në të.
Metoda e pestë:
Fekondimi ekstern bëhet në epruvetën e laboratorit mes spermës së burrit dhe qelizës vezë të një femre e cila nuk është bashkëshorte e tij (të dy këta që quajnë dhurues). Më pas, qeliza vezë e ngjizur mbillet në mitrën e një gruaje tjetër të martuar. Kjo metodë aplikohet atëherë kur gruaja e martuar, në të cilën është mbjellur qeliza vezë e ngjizur, është sterile për shkak të asgjësimit të vezorit, por mitra e saj është e shëndoshë. Poashtu, edhe bashkëshorti i saj është steril, e që të dy dëshirojnë të kenë fëmijë.
Metoda e gjashtë:

Ngjizja eksterne bëhet në epruvetë në laborator mes farës së dy bashkëshortëve, pastaj qeliza vezë e ngjizur mbillet në mitrën e një gruaje tjetër, e cila vullnetarisht pranon ta mbart në mitrën e saj këtë embrion. Kjo metodë aplikohet kur gruaja nuk ka mundësi të jetë shtatzënë për ndonjë mangësi që ka në mitër, por vezorin e ka të shëndoshë dhe produktiv. Apo, kjo grua nuk ka dëshirë të ngel shtatzënë që mos e prish pamjen e jashtme. Atëherë, del një grua tjetër dhe vullnetarisht e mbart shtatzëninë në vend të saj.

Këto janë metodat e ngjizjes artificiale që arriti t’i aplikojë shkenca për shërimin e shkaqeve të mosshtatzënisë.
Këshilli i Akademisë i morri në shqyrtim edhe zërat që u përhapën se këto metoda- realisht aplikohen në Evropë dhe Amerikë- përdoren për qëllime të ndryshme:komerciale, për atë që quhet “zbukurim i llojit njerëzor”, për t’ua plotësuar dëshirën femrave të pa martuara që të kenë fëmijë, apo të grave të martuara të cilat nuk mund të ngelin shtatzënë për ndonji të metë që është prezente tek ato apo te bashkëshortët e tyre, etj., e që për këto qëllime janë themeluar edhe banka të spermës së njeriut, ku merret sperma nga njerëz të caktuar, apo nga njerëz që këtë e bëjnë vullnetarisht, apo me kompenzim, dhe ruhet në këto banka në mënyrë adekuate, ashtu që ajo është e aftë të bëjë ngjizje të qelizës vezë për një kohë të gjatë.
 

SI SHIHET KJO ÇËSHTJE NGA KËNDI I TË DREJTËS ISLAME

Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam, pasi i shqyrtoi informatat valide nga shkrimet dhe publikimet e ndryshme për çështjen në fjalë, dhe pasi bëri aplikimin e rregullave dhe synimeve të të drejtës islame për çështjen në fjalë, në mënyrë që ta konstatojë dispozitën e këtyre metodave të prezantuara dhe konsekvencat e tyre, arriti në vendimin e detajuar vijues:

 I-DISPOZITA TË PËRGJITHSHME:
a) Nuk lejohet në asnjë mënyrë zbulimi i trupit të femrës muslimane, për personin me të cilin nuk e ka të lejuar të ketë marrëdhënie intime nga aspekti fetar. Përjashtim bën vetëm nëse për këtë ka një shkak të justifikueshëm fetarisht që e lejon zbulimin e trupit.
b) Nevoja e gruas për shërim nga një sëmundje që e mundon, apo nga një gjendje jonatyrale në trupin e saj që e shqetëson, konsiderohet shkak i arsyeshëm që ia lejon zbulimin e trupit për personin që nuk e ka bashkëshort me qëllim mjekimi. Në këtë rast, zbulimi mbetet në kufijtë e së domosdoshmes.
c) Në rastet kur femrës i lejohet fetarisht ta zbulojë trupin e saj për një person me të cilin nuk e ka të lejuar të ketë marrëdhënie intime, për shkaqe të justifikueshme, duhet që mjeku të jetë me këtë renditje: të jetë mjeke muslimane, nëse ka mundësi, e nëse jo, atëherë mjeke jomuslimane, e nëse edhe kjo nuk është e mundshme, atëherë duhet të jetë një mjek i besueshëm muslim,an, e nëse edhe kjo nuk është e mundshme, atëherë mund të jetë një mjek jomuliman. Nuk lejohet që mjeku i cili bën mjekimin e femrës, të mvetësohet vetëm me të, por duhet të jetë prezent burri i saj, apo një grua tjetër.
II-DISPOZITA E NGJIZJES ARTIFICIALE:
a)Nevoja e gruas së martuar, e cila nuk mund të ngelet shtatzënë, dhe nevoja e burrit të saj për fëmijë, konsiderohen qëllim legjitim që e lejon kurimin e kësaj gruaje përmes rrugëve të lejuara të ngjizjes artificiale.
b) Metoda e parë e ngjizjes artificiale interne, kur “Merret sperma e burrit të martuar dhe injketohet në vendin e përshtatshëm në brendësi të organeve apo në mitër të gruas së tij ”, është metodë e lejuar fetarisht konform kushteve të përgjithshme që u përmendën pak më parë. Kjo, pasi të vërtetohet nevoja e gruas për këtë operacion me qëllim që të mbetet shtatzënë.
c) Metoda e tretë kur “Merret sperma nga bashkëshorti dhe qeliza vezë nga bashkëshortja e tij dhe vendosen në epruvetë në laborator mjekësor nën kushte të caktuara në mënyrë që spermatozoidet e bashkëshortit ta bëjnë ngjizjen e qelizës vezë të bashkëshortes së tij në epruvetën përkatëse në laborator. Më pas, qeliza vezë e fekonduar, kur do të fillojë të ndahet dhe të shtohet, në kohë të përshtatshme, transferohet nga epruveta e laboratorit në mitrën e bashkëshortes nga e cila është marrë qeliza vezë që të ngjitet në murin e mitrës”, është metodë e pranuar në parim si e tillë nga aspekti fetar. Mirëpo, kjo metodë nuk është plotësisht e mbrojtur nga dyshimet në drejtim të konsekvencave dhe rrethanave në të cilat zhvillohet. Së këtejmi, kjo metodë mund të aplikohet vetëm në rastet ekstrem të domosdoshme, dhe pasi të plotësohen kushtet e përgjithshme që u përmendën pak më parë.
d) Akademia konstaton se në të dy rastet e lejuara të ngjizjes artificiale:
gjeneza e fëmijut u atribuohet të dy prindërve si burim i dy spermave, e kjo pastaj ndiqet nga e drejta e trashigimisë dhe të drejtat tjera që dalin nga vërtetimi i gjenezës. Kur konstatohet gjeneza e fëmijut prej burrit apo gruas, atëherë konstatohet edhe trashigimia dhe dispozitat tjera në mes fëmijës dhe personit të cilit i është atribuar fëmiju.
e) Për sa u përket metodave tjera të ngjizjes artificiale, në të dy rastet, edhe në at interne edhe eksterne, e që u përmendën më parë, të gjitha janë të ndaluara sipas fesë islame. Nuk ka hapësirë që këto të lejohen, ngase sperma mashkullore dhe qeliza vezë, nuk janë prej dy bashkëshortëve, apo për atë se gruaja e cila vullnetarisht e bart embrionin, nuk ka asgjë të përbashkët me të dy bashkëshortët nga të cilët janë marrë këto gjëra. Mirëpo, marrë parasyshë josigurinë që ekziston në rastin e ngjizjes artificiale në përgjithësi, bile edhe kur janë në pyetje metodat e lejuara, si p.sh., mundësia për përzierjen e spermave apo të matrialeve të ngjizura në epruvetën e laboratorit, në veçanti, nëse ky veprim ushtrohet me të madhe, Këshilli i Akademisë i këshillon ata që janë të kujdesshëm në parimet fetare që këto metoda të lejuara t’i aplikojnë vetëm në raste shumë të domosdoshme, dhe me kujdesin e vëmendjen maksimale që mos vijë deri te përzierja.
Këshilli i Akademisë këtë arriti ta konstatojë për këtë çështje aktuale mjaft të ndieshme në aspektin fetar, dhe i bën lutje Allahut që ky të jetë qëndrim i drejtë. Allahu i Madhërishëm është më i dijshmi, dhe Ai udhëzon në rrugën e drejtë, Ai mundëson sukses.
KRYETARI I KËSHILLIT TË AKADEMISË SË FIKHUT Abdu-l-Aziz Abdullah ibën Baz (nuk ka mendim për rastin e pare dhe të tretë, ndërkaq katër rastet tjera, nuk ka dyshim se janë të ndaluara)
ZAVENDËSKRYETARI Dr.Abdullah Omer Nesif. Pasojnë nënshkrimet e anëtarëve tjerë: Muhamed ibn Xhubejr, Abdullah Abdurrahman el-Bessam, Muhammed Mahmud Es-Savaf, Salih ibën Uthejmin, Muhammed ibën Abdullah ibën Sebil(nuk ka mendim për lejimin e metodës së tretë), Salih ibën Feuzan ibën Abdullah El-Feuzan, Mebruk Mes’ud El-Avadi (nuk ka mendim për të gjitha rastet), Muhammed Esh-Shadhli En-Nejfer, Mustafa Ahmed Ez-Zerka, Ebu Bekër Mahmud Xhumi, Ahmed Fehmij Ebu Sunne (pajtohem me rastin e parë, por jo edhe me rastet tjera), Muhamed Habib ibn El-Hoxha, Bekër Ebu Zejd (nuk ka mendim), Muhammed Kabbani (nuk ka mendim për tre rastin e tretë të lejuar), Muhammed ibën Salim ibën Abdu-l-Vedud. Talal Omer BaFekih (Sekretar i Këshillit të Akademisë së Fikhut Islam). Në këtë seancë munguan:dr.Jusuf el-Kardavi, Dr.Muhamed Rushejdij, Abdu-l-Kudus el-Hashimij, Mahmud Shit Hattab, Hasenejn Muhamed Mahluf dhe Ebu-l-Hasen Ali el-Hasenij en-Nedvij