Ismail Yasa
Kriza që ka shpërthyer ditët e fundit, midis qeverisë së Erdoganit dhe grupimit të Fethullah Gylenit ka shtyrë ata që merren me çështjen turke të bëjnë shumë pyetje në lidhje me natyrën e këtij grupimi dhe pikëpamjet që ai ka, si një përpjekje për të kuptuar realitetin e problemit që ka prishur marrëdhëniet midis aleatëve të djeshëm dhe ndikimet që kjo ka në arenën e politikës turke.
Tema ka tre dimensione, duhet patjetër të diferencohen për të pasur një pamje më të qartë. Këto dimensione janë: 1 – pikëpamjet e grupit dhe metoda e tij 2 – qëndrimet e tij politike 3 – Projekti për depërtimin dhe dominimin e pushtetit.
1. Pikëpamjet e grupit dhe metoda e tij
Grupimi i Fetullah Gylenit i përket shkollës së Sheih Badi’zaman Said Nursi, por ndryshon nga grupet e tjera nursije për shkak të ndikimit të gjerë që ai ka, cili i kalon kufijtë e Turqisë dhe shtrihet deri në marrëdhënie me Perëndimin. Gjithashtu është e vështirë të klasifikohet brenda grupeve sufiste të njohura.
Nuk ka dyshim se pikëpamjet e këtij grupimi si një grupim i konsideruar islamik, ka nevojë të studiohen më thellë nga specialistët dhe hulumtuesit, larg reklamave dhe publicitetit që i bëhen këtij grupimi, por ne do të përpiqemi të tregojmë diçka që nxjerrë në pah atë çka e karakterizon grupimin në fjalë:
Grupimi i Gylenit që nga shfaqja e tij dhe përhapja në arenën turke, dallon nga i ashtu- quajturi “Islami politik”, dhe ka mbështetur Partinë Mëmëdheu të udhëhequr nga Turgut Ozali dhe Partinë e Majtë Demokratike, të kryesuar nga Bulent Eçeviti dhe nuk ka mbështetur partitë e Nexhmedin Erbakanit. Fetullah Gyleni në një deklaratë të tij publike ka thënë: “Nëse unë do të kem të drejtën e ndërmjetësimit në botën tjetër, atë do ta përdorja për Eçevitin.”
Në Perëndim ky grupim klasifikohet brenda “grupimeve të moderuara islamike”, gjë që edhe vetë grupimi është gjithashtu i prirë ta ruaj si reputacion. Falë kësaj propagande, ai është përhapur nëpër botë duke hapur shkolla, në një kohë kur grupime të tjera islamike janë duke u luftuar.
Grupimi i Gylenit i sheh grupet e armatosura islamike, duke përfshirë edhe rezistencën palestineze si “terroriste” që denigrojnë Islamin. Fetullah Gylen ka vënë në dukje se në mesin e atyre që urren më shumë është edhe Osama bin Laden.
Grupimi mbështet dialogun dhe tolerancën mes qytetërimeve dhe feve. Në këtë kontekst, kreu i grupimit, Fetullah Gylen, vizitoi Vatikanin në vitin 1998, dhe u takua me Papa Gjon Pali II, dhe gjithashtu u takua me kreun e Anti-Defamation League, çifutin Abraham Foxman si dhe personalitete të tjera të feve dhe sekteve të ndryshme.
Autoritetet ruse patën akuzuar kompanitë e grupimit, shkollat e tij se punonin për CIA-n, por grupimi i ka mohuar këto akuza.
Grupimi gjithashtu ka lidhje me disa dijetarë dhe predikues të famshëm në botën arabe. Për shembull, por pa u kufizuar, me mendimtari egjiptian islamik Muhamed Amare, i cili shkruan në Gazetën e këtij grupimi “Hira” si dhe predikuesi i njohur në Arabinë Saudite, Shejh Selman el-Audah, i cili ka folur për korrespondencën midis tij dhe Fetullah Gylenit.
Grupimi i Gylenit, edhe pse llogaritet si grupim i shkollës nursije, por grupimet e tjera nursije nuk mbështesin atë në të gjitha pozicionet dhe pikëpamjet e tij. Ai është kritikuar nga figura të njohura nursie, të tilla si Profesor Ahmed Agondoz, për pozicion e grupimit së fundi ndaj qeverisë Erdoganit. Ndërsa një nga nxënësit më të njohur të Nursiut, Sheih Muhamed Kirkengji ka thënë se ai do Erdoganin dhe qeverinë e tij dhe e vlerëson atë.
Grupimi përqendrohet në arsimin modern në të gjitha nivelet, dhe zotëron shkolla, institute, të përhapura në të gjitha kontinentet, ky grupim gjithashtu ka aktivitete kulturore që kritikohen nga grupet e tjera islamike, të tilla si ai i quajtur “Olimpiada e gjuhës turke”, një organizim ky që mbahet në Turqi çdo vit dhe ku konkurrojnë nxënësit dhe nxënëset e shkollave të grupimit nga vende të ndryshme të botës me këngë dhe valle turke.
Kur grupimet dhe lëvizjet islamike protestuan për ndalimin e shamive të kokës në universitete në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, Fetullah Gylen tha se veshja e shamisë nuk është prej parimeve të Islamit, por një nën-çështje, dhe u kërkoi studenteve ta hiqni shaminë dhe të vazhdonin studimet e tyre.
2 – Qëndrimet politike:
Grupimi dikur thoshte: “Kërkoj strehim tek Allahu të më ruaj nga politika”, por sot, politika thotë: “Kërkoj strehim tek Allahu të më ruaj nga grupimi”… Kështu thuhet këto ditë në Turqi, duke treguar kështu lidhjen dhe përfshirjen e grupimit me politikën, nga koka deri te këmbët. Grupimi e shfrytëzon politikën dhe marrëdhëniet e tij me partitë politike dhe qeveritë për të mirën e projektit të tij, që është depërtimi në organet e shtetit dhe institucionet e tij, si dhe për të ruajtur interesat e tij.
Grupimi ka qëndrime politike konform pikëpamjeve dhe qasjes së tyre dhe i shërben interesave të tij, ai i shpreh ato përmes mediave që ka në pronësi. Në këtë kontekst, ai mbështet qeverinë në politikat e saj dhe e kritikon atë për disa të tjera. Në mesin e kritikave më të shquara ndaj qeverisë së Erdoganit në kohën e fundit, qe dështimi në hartimin e një kushtetute të re, si dhe hapja e tij e gjerë me botën arabe dhe “hyrja në moçalin e Lindjes së Mesme”.
Grupimi Gylenit e akuzon qeverinë e Erdoganit për nxitje të problemeve me Tel Aviv-in, dhe mendon se provokimi i tensioneve në marrëdhëniet me Izraelin në kohën e tanishme nuk është në favor të Turqisë dhe e largon atë nga kampi Perëndimor dhe e afron më pranë Iranit, Rusisë dhe Lindjes së Mesme, siç e akuzon edhe për favorizim të Iranit dhe largim nga real politika e jashtme dhe ndjekja e një stili aventure me Sirinë dhe Egjiptin.
3 – Projekti i depërtimit dhe dominimit të shtetit:
Grupimi i Gylenit ka si projekt që synon të depërtojë në institucionet qeveritare dhe agjencitë shtetërore. Në një kasetë të vjetër që ka rrjedhur prej tyre në një mbledhje të Gyleni me krerët e grupimit të tij, Fetullah Gyleni kërkoi prej ndjekësve të tij të fshihen dhe të mos dalin në dukje para se ata mund të kontrollojë të gjitha organet dhe institucionet strategjike, siç edhe u kërkon atyre të “blejnë gjykatësit” për të fituar çështjet gjyqësore.
Grupimi ka punuar për shumë vite në heshtje për nxjerrjen e udhëheqësve dhe mbjelljen e tyre në gjyqësor, polici, shërbimin e inteligjencës…etj. Forcat laike kanë akuzuar vazhdimisht grupimin për përpjekjet e tij për të kontrolluar shtetin, madje disa gazetarë kanë shkruar libra për të zbuluar planin e grupimit, por grupimi gjithmonë i ka mohuar këto akuza.
Ky proces penetrimi arriti kulmin e tij pas aleancës që grupimi pati me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit, por qeveria më në fund e kuptoi dhe u përpoq ta kufizoj këtë depërtimi të grupimit.
Vëzhgues të ndryshëm besojnë se kriza e thirrjes së kreut të shërbimit të fshehtë të Turqisë, Hakan Fidan, nga prokurori, për të dhënë llogari si i dyshuar në rastin e takimeve me krerët e PKK, pas këtij rasti qëndronte grupimi i Gylenit, dhe synonte si shënjestër Fidanin, për rolin që ai luan në luftën kundër projektit të depërtimit të grupimit, si dhe për t’i dërguar një mesazh të qartë Erdoganit që të tërhiqet nga vendimi për të luftuar projektin e depërtimit.
Sipas burimeve të afërta me qeverinë, grupimi i ka kërkuar Erdoganit që qeveria t’i lërë atij shërbimin e inteligjencës dhe policinë si dhe të ketë rol udhëheqës në “politikën e jashtme të Turqisë”. Dhe gjithashtu ka kërkuar 150 vende në Parlament nga partia në pushtet, ndërkohë që forca votuese e vetë grupimit varjon midis 2 % dhe 5 %.
Me fjalë të tjera, nëse grupimi themelon një parti politike dhe futet në zgjedhje ai nuk e kapërcen pragun prej 10 % për të hyrë në parlament dhe nuk fut dot as edhe një deputet të vetëm.
Në pak fjalë, grupimi i Gylenit dëshironte të zëvendësonte “shtetin paralel”, por a ishte ky një iluzion i tyre se kishin mundësi ta zëvendësonin të njëjtën forcë paralele që u thye pas spastrimit të infiltrimit të tyre në shtet, apo dikush tjetër ua kishte premtuar atyre këtë? Këtë nuk e dimë …?
Ku qëndron problemi?
Problemi i krizës së fundit nuk është në metodën e grupimit dhe pikëpamjet e tij, ai është një nga grupimet që kanë pikëpamje dhe ideologji të ndryshme. Qeverisë nuk i intereson fare qasja e grupimit dhe pikëpamjet e tij fetare, as edhe dhe qëndrimet politike, dhe nuk është e thënë të përputhet me qëndrimet e tyre politike. Është e drejtë e grupimit të kritikoj qeverinë dhe të mbështes atë parti politike që dëshiron. Por, problemi këtu qëndron në dimensionin e tretë, pra në projektin për të depërtuar dhe futur në kontroll shtetin.
Grupimi nuk dëshiron të ketë një fasadë politike, sepse në qoftë se ata themelojnë një parti dhe partia e saj fiton zgjedhjet – dhe kjo pak gjasa ka- do të jetë përgjegjës për çdo gjë, në dallim me faktin që grupimi kontrollin levat e pushtetit pa pasur asnjë përgjegjësi për atë që bën, sepse partia që është në pushtet ajo e mban të gjithë ngarkesën. Kështu, qeveritë ndryshojnë dhe ndërkohë grupimi mbetet duke drejtuar vendin nga prapa perdes. E kjo është diçka që nuk mund të pranohet në asnjë sistem demokratik.
Populli turk nuk hyri në betejë kundër tutelës ushtrisë për ta zëvendësuar atë me tutelën e grupimit. Më shumë se një nga shkrimtarët dhe opozitarë laik e kanë cekur këtë pikë, duke thënë se edhe qeveria më e korruptuar e zgjedhur është më e mirë sesa tutela e një grupimi klandestin, sepse e para mund të hiqet me anë të kutisë së votimit, por edhe mund të ndëshkohet, në dallim me të dytën.
Demokracia është e bazuar në parimin e ndarjes së tre pushteteve, në pavarësinë e gjyqësorit, dhe ekzekutivi nuk pranon të ndërhyjë në punët e gjyqësorit, por refuzon kategorikisht edhe ndërhyrjen e grupimit në punët e gjyqësorit dhe drejtimin e tyre në bazë të interesave të tyre. Në një sistem demokratik prokurori dhe gjykatësi funksionojnë si autonom, por brenda kuadrit ligjor.
Në një sistem demokratik asnjë gjykatës nuk i dërgon dosjet për në Pensilvani të SHBA, ku edhe jeton Fetullah Gyleni për ta pyetur sesi të gjykojë, prokurori publik dhe gjykatësi dhe as policia nuk krijojnë celula sekrete për të përgjuar dhe fotografuar dhomat e gjumit dhe as merren me arrestime dhe tortura në favor të grupimit, të cilit ata i përkasin.
Ndoshta arsyeja e zemërimit të grupimit prej Erdoganit në një shkallë të tillë vjen sepse ai mendonte se ishte në prag të arritjes së objektivit të tij pasi qe në gjendje të depërtonte në të gjitha institucionet dhe agjencitë shtetërore në mënyrë dramatike dhe se ndërhyrja e Erdoganit, erdhi në minutën e fundit duke ua prishur planin.
Por pyetja që lind është: “A do t’i japë grupimit ai që do të vijë pas Erdoganit të gjitha ato që ata duan, policinë dhe shërbimin e inteligjencës?” Përgjigjja është: “Jo”. Sepse kjo është tradhti e vullnetit të popullit dhe këtë nuk do të pranojë asnjë forcë demokratike, dhe as ushtarake.
Për sa i përket asaj që thuhet këto ditë në lidhje me çështjet e korrupsionit, ato janë vetëm një mbulesë për përpjekjet që bëhen për një grusht shteti ndaj qeverisë dhe veprojnë si një “silenciator” arme, që ata duan ta përdorin për të arritur rrëzimin e qeverisë. E gjithë ajo që thuhet përveç luftës për pushtet janë hollësi për të mbuluar thelbin e problemit. Sikur Erdogani t’iu përgjigjet kërkesave të grupimit dhe t’ia japë atë që ata dëshirojnë, për ta ai do të ishte udhëheqësi më të mirë në sytë e tyre dhe do të kishin vënë në punë të gjitha mediat e tyre për ta mbrojtur Erdoganin dhe qeverinë e tij, ashtu siç bënë në kohën e aleancës.
Më 30 mars 2010, forcat e sigurisë arrestuan një ish- kryetar bashkie, anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim si dhe 51 të punonjës bashkie, për një rast korrupsioni, por gazeta Zaman e grupimit të Gylenit nuk e përmendi në atë kohë këtë proces as në margjina dhe as në faqen e parë të saj, por në një nga faqet e saj të brendshme si një lajm të dorës së dytë, pa bërë asnjë koment për të. Sikur këto arrestime të ishin zhvilluar sot, ajo do t’i kushtonte faqe të veçanta dhe do të kishin folur për një periudhë të gjatë të gjithë shkruesit e saj.
Redaktor i gazetës Ekrem Domanli, ka theksuar në artikullin e tij të botuar nga gazeta Zaman më 29 dhjetor 2008 me titull “Strategjia e zgjedhjeve u provua, le ta demaskojmë atë”, se strategjia e opozitës qëndron në faktin se ata për të përhapur panik në prag zgjedhjesh hapin dosjet e korrupsionit pak përpara zgjedhjeve. Domanli kritikon këtë strategji, të cilën ai e përshkroi si “tendencioze” në atë kohë, por gazeta Zaman, që ai kryeson sot po adopton të njëjtën strategji sot.
Çfarë do të ndodhë më tutje?
Duket se qeveria e ka ndjerë masën e intrigës dhe e ka dështuar me intervenim të shpejtë, ndërkohë që popullariteti i partisë në pushtet nuk është prekur shumë, përkundër fushatës mediale dhe dorëheqjes së disa anëtarëve të parlamentit besnikë të grupimit dhe të afërm me të, por është shtuar përkrahja popullore për kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan, sepse populli e ndjen rrezikun që i kanoset sistemit demokratik dhe të ardhmes së vendit.
Gazetari turk Abdul Rahman Dilibak, i afërt me qeverinë, në një shkrim në gazetën “Jeni Akid” e ditës së hënë përmend se një nga udhëheqësit e grupimit -të cilit nuk ia ka dhënë emrin, por e përshkroi si “një njeri që ishte i përgatitur që të zëvendësojë Gylenin në krye të grupimit”, -nxori të dhëna rreth depërtimit të jashtëm brenda grupimit dhe gjeti se fijet e tij arrinin deri te CIA dhe Mosadi, dhe kur ai zbuloi përmasat e lojës dhe infiltrimit u hoq nga funksioni i tij në grupim, por ai kishte mbledhur ndërkohë të gjitha provat dhe dokumentet dhe shkoi me to tek Erdogani.
Dilibak shkruante se qeveria tani ka një sasi të madhe të provave dhe dokumenteve në lidhje me këtë grupim, sekretin sesi është organizuar brenda ushtrisë, policisë, shërbimit të fshehtë e të tjera. Qeveria është ende duke marrë informacione rreth grupimit nga brenda tij, dhe tani janë duke u vlerësuar dhe klasifikuar këto dëshmi dhe dokumente, dhe se qeveria po përgatitet për të ngritur një padi kundër grupimit në muaj janar të vitit të ardhshëm (2014) njëlloj si çështja e rrjetit Ergenikon, duke theksuar se grupimi e ka marrë vesh këtë gjë dhe nisi këtë fushatë të fundit kundra qeverisë si sulm paraprak …
Categories