Pyetja: Shteti në Islam është shtet civil apo shtet fetar? Cilat janë standardet që kanë vendosur dijetarët për strukturën shtetërore në vazhdën e evoluimit që po përjetojnë shtetet sot?
Përgjigja vjen nga një grup dijetarësh:
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe cilindo që e ndjek atë, kurse më tej:
Frika që kanë disa persona nga termi qeveri fetare, referohet tek epoka e shtetit fetar nën hijen e qeverisjes kishtare si dhe tek paralizimi jetik që shkaktoi kisha asokohe, duke e shndërruar fenë një barrierë, që pengoi progresin civilizues të popujve të saj, prej nga ku erdhi edhe arsyeja se përse këta popuj implementuan ndarjen e fesë nga shteti.
Ndërsa Islami asnjë ditë nuk ka qenë barrierë për jetën. Përkundrazi ai ka nxitur civilizimin dhe ishte pikërisht ai, që u mundësoi muslimanëve të krijojnë shtetin e tyre. Islami u ka lënë muslimanëve dorë të lirë, sa i përket instrumentit të qeverisjes dhe sistemeve qeverisëse, me kusht që kjo gjë të vijë përgjatë boshtit të përgjithshëm islam dhe të mos bjerë ndesh me rregullat tërësore islame dhe as me objektivat juridike të tij.
Dijetari dr. Jusuf Kardavi thotë:
Shteti në Islam është shtet civil, që referohet tek Sheriati (Ligji) Islam. Fjala “burri i fesë-kler” nuk ka asnjë përkatësi në Islam, por në Islam kemi të bëjmë me “burra të fesë-klerikë”. Kleri nuk është boshti i Islamit, por ai i përket një profilizimi, që është njëlloj si profilizimet e tjera, Në Islam nuk vendoset si kusht, që shtetin ta qeverisin klerikët, por shteti qeveriset nga shkencëtarët e profilizuar në Sheriatin (Ligjin) e Allahut, duke qenë krahas tyre pjesë e pandarë e qeverisjes edhe të gjithë të profilizuarit në profilizimet vendimtare të jetës. Përzgjedhja e qeverisësit në Islam bëhet përmes besëlidhjes, me dëshirë, me zgjedhje të lira (votime). Në Islam kemi të bëjmë me një shtet vërtet demokrat (të zgjedhur nga populli), që e mbështet kushtetutën e vet tek Sheriati (Ligji) i Allahut.
Shteti në Islam nuk ngrihet mbi të drejtën karshi Hyjnores dhe as mbi faktin, se Allahu i Lartësuar i ka dhënë pushtetarit një pushtet absolut për të qeverisur. Këtë fakt e mbështet fjala e Ebu Bekrit r.a: “Unë jam emëruar mbi ju dhe nuk jam më i miri juaj. Nëse më shikoni t’i përmbahem drejtësisë, më ndihmoni. E nëse më shikoni se gaboj, më korrigjoni”. Në po këtë kontekst kemi edhe fjalën e Umerit r.a: “Kushdo prej jush që shikon tek unë lakim, le ta korrektojë atë”.
Po kështu nocioni i shtetit në Islam nuk presupozon kurrsesi, që shteti të mbyllet në vetvete, por shtetit i takon që të përfitojë nga ligjet e të tjerëve, të cilat i shërbejnë interesit dhe reformimit të tij, kur bëhet fjalë për çështje që nuk janë fiksuar juridikisht me ligj apo normë juridike nga ana e Kuranit dhe Sunetit (Traditës Profetike). Në këtë kontekst përmendim për shembull, se shtetit islam i takon që të shfrytëzojë nga shtetet e tjera joislame paketën ligjore të komunikacionit, të punësimit apo gjetkë, përderisa kjo paketë nuk bie ndesh me Sheriatin (Ligjin) Islam.
Islami i vërtetë, siç e ka legjitimuar Allahu, nuk mund të jetë veçse politik dhe nëse ti e zhvesh Islamin nga politika, kësisoj e ke bërë atë një fe tjetër, pra mund ta bësh budizëm, krishterizëm, një tjetër fe a ide, por kurrsesi Islam.
Kjo vjen si pasojë e dy shkaqeve kryesore:
I pari: Islami ka një qëndrim të qartë dhe legjitimim të kthjellët në shumë prej çështjeve të jetës, që konsiderohen prej thelbit të politikës.
Islami nuk është kurrsesi një ideologji, besim apo ritual që ka të bëjë vetëm me anën teologjike dhe atë të adhurimit të individit. Ajo që nënkuptoj, është se Islami nuk është vetëm raport midis njeriut dhe Zotit të tij, i palidhur me strukturën e jetës dhe me orientimin e shoqërisë dhe shtetit; assesi, por Islami është ideologji (kredo) dhe adhurim, moral dhe kod penal i kompletuar, thënë ndryshe është program i kompletuar për jetën, falë parimeve që ai ka vendosur, rregullave që ka konsoliduar, ligjeve që ka legjitimuar, orientimeve që ka sqaruar, të cilat kanë të bëjnë me jetën e individit, çështjet e familjes, situatat e shoqërisë, themelet e shtetit dhe raportet me botën.
Kushdo që lexon Kuranin fisnik, Sunetin (traditën) e pastër (profetike) dhe librat e fikhut (jurisprudencës islame) në gjithë larminë e medhhebeve (akademive juridike) të pranishme, ka për ta gjetur qartë dhe me kthjelltësinë më të madhe këtë që thamë më sipër.
Edhe departamenti i adhurimeve të trajtuara nga fikhu (jurisprudenca islame), nuk është larg prej politikës, pasi do t’i gjesh muslimanët të unifikuar mbi faktin se lënësi i namazit, mosdhënësi i Zekatit, ngrënësi deklarativ që ha pa arsye në Ramazan, neglizhuesi i obligimit të Haxhit, që të gjitha këto sjellje fetare angazhojnë ndëshkim dhe penalitete për personin musliman të këtij rangu, madje çështja mund të avancojë deri në konflikt ushtarak me njerëz të tillë, nëse këta persona shfaqin hapur sjellje dhe mendësi të tilla problematike, ashtu siçtë veproi Ebu Bekri r.a. me anuluesit (mosdhënësit) e Zekatit.
Madje fukahatë (dijetarët e jurisprudencës islame) kanë thënë se: Nëse banorët e një treve islame lënë disa sunete (norma fetare jo të detyrueshme), që u përkasin simboleve dhe ritualeve të Islamit, sikurse ezanin, ose synetllëkun (rreth-prerjen) e meshkujve, ose namazin e dy Bajrameve (festave), atëherë del si detyrë që ata të thirren në zbatimin e këtyre riteve dhe tu jepet argumenti mbi këtë. Nëse ata pastaj insistojnë dhe refuzojnë, në këtë rast bëhet obligim konflikti ushtarak me ta, me qëllim që të kthehen tek uniteti me trupin e kombit, nga ku ata janë shkëputur.
Islami posedon rregulla, dispozita dhe direktiva: në politikën e arsimimit, politikën e medias, politikën e legjislativit, politikën e qeverisjes, politikën e financave dhe ekonomisë, politikën e paqes dhe armëpushimit, politikën e luftës dhe politikën e gjithë sa influencon në sferën e jetës. Islami nuk pranon kurrsesi që të jetë zero në të majtë, apo të jetë shërbëtor i filozofive dhe ideologjive të tjera, por ai insiston të jetë padroni, udhëheqësi, i pasuari dhe i asistuari.
Për më tepër Islami nuk pranon, që jeta të ndahet midis tij dhe një padroni tjetër, nuk pranon t’i japë dikujt tjetër ortakëri në orientim e legjitimim dhe nuk kënaqet me frazën që atribuohet tek Mesihu (Isai) a.s: “Pushtetarit jepi atë që i takon dhe Zotit jepi atë që i takon!”.
Filozofia (tërësia e parimeve metodologjike doktrinore) islame ngrihet mbi parimin, se pushtetari dhe pushteti i tij i takojnë Allahut, Një, të Vetmit, që sundon gjithë sa ka në qiej dhe në tokë, pasi të gjitha këto janë dominim vetëm i Tij.
Ideja e njëshmërisë apo njësimit të Zotit në Islam, ngrihet mbi të vërtetën, se muslimani nuk kërkon dhe dëshiron për zot tjetërkënd veç Allahut, nuk merr për të parë dhe padron askënd veç Allahut, nuk kënaqet me ligjvënës tjetër veç Allahut, gjë e cila vjen e sqaruar qartë në suren (kaptinën kuranore) e teuhidit-njësimit të Zotit, e njohur me emrin “El En`am”.
Ideologjia e njësimit në realitetin e vet është vetëm një revolucion për realizmin e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë së njerëzimit, që njerëzit të mos e marrin njëri-tjetrin për zota veç Allahut, që të asgjësohet adhurimi i njeriut për njeriun. Prandaj i dërguari fisnik a.s. i përmbyllte mesazhet e tij drejtuar mbretërve prej ithtarëve të librit, me thënien fisnike kuranore: “Thuaju atyre (o i dërguar): ‘O ithtarë të librit (Teuratit dhe Ungjillit), ejani (të bashkohemi) në një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë veç Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos e konsiderojmë njëri-tjetrin zota veç Allahut!’ E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: ‘Dëshmoni pra (o ithtarët e librit), se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!’” [Ali Imran: 64]
Këtu qëndron sekreti i pozicionimit, që idhujtarët dhe paria e Mekës mbajtën kundër thirrjes islame që ditën e parë, direkt me ngritjen e parë të flamurit “La ilahe il Allah-Nuk e meriton të adhurohet askush veç Allahut”, sepse ata e kuptonin sa çfarë vinte pas saj, i kuptonin kuptimet e transformimit që ajo bart për jetën shoqërore dhe politike, në krah të transformimit fetar të ditur pa pikë dyshimi.
Personaliteti i muslimanit është një personalitet politik:
Shkaku i dytë: Personaliteti i muslimanit, ashtu siç e ka trajtësuar atë Islami dhe e ka përpunuar besimi, ligji, adhurimi dhe edukimi i tij, nuk mund të jetë veçse politik, përveçse nëse Islami kuptohet ose praktikohet gabim.
Islami ka vendosur në qafën e çdo muslimani një obligim, që e ka emrin “urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja”, që mund të formulohet me etiketimin: Këshilla për liderët musliman dhe masën e gjerë të tyre, që në hadithin e saktë vjen nën konsideratën se kjo përbën tërë fenë. Një tjetër formulim që mund t’i bëhet këtij obligimi është “Këshillimi në të drejtë dhe këshillimi në durim”, që janë dy kushtet themelore për të shpëtuar nga dështimi i dynjasë dhe Amshimit, siç e sqaron këtë gjë kaptina kuranore “Asr”. (Mbaroi fjala e tij).
Para se të japim dispozitën mbi qeverinë fetare apo konsideratën e Sheriati Islam si motorin e qeverisjes në shtet islam, na duhet medoemos të dimë paraprakisht, se cilat janë kërkesat e Islamit sa i përket qeverisjes, me qëllim që pastaj të arrijmë të japim gjykimin për sa në fjalë.
Pikërisht sa i përket sistemit qeverisës në Islam, dijetari i shquar Muhamed el Gazaliu [Allahu e mëshiroftë!] thotë:
“Sa për ilustrim, Islami nuk ka vendosur një skicë të përcaktuar për metodën e qeverisjes, por ai ka vendosur për të disa morale, që mbrohen me të madhe, disa vlera që garantojnë mënyrën e zgjedhjes së një qeverisësi të denjë, në mënyrën se si ta shkarkojmë atë, si ta marrim atë në llogari apo survejojmë, cilat janë instrumentet e konsultës apo këshillimit, si të bindemi nëse në konsultën e bërë janë hedhur mendime të pjekura, si të vijohet në rrjedhën e konsultës larg terrorit dhe joshjes, etj.
Kombet në tërë këto lëmenj kanë dorë krejtësisht të lirë, që të përpiqen në vendosjen e atij sistemi që realizon interesin e tyre” [Dusturul Uahde eth Thekafije: 42-43. Shiko edhe “El Islam fi Uexhhi ez Zehfil Ehmar” faqja 192].
“Islami ia kanë lënë në dorë bijve të tij, që ata ta zgjedhin vetë qeverisësin e tyre, me metodën që ata dëshirojnë dhe me kriteret që ata vetë vendosin. Islami ka rekomanduar, që qeverisja të gjenerohet nga një besëlidhje e respektuar dhe dinjitoze, apo të burojë nga dëshira e vullnetshme e kombit islam dhe të jetë e lidhur me dëshirën e tij, larg tiranisë, manipulimit dhe terrorit. Qeverisja duhet të jetë mbi bazën e marrëveshjes dhe konsultës, duke mos u lejuar vendosja e pushtetit të tiranëve dhe as dispozitat dhunuese.
Profeti i Islamit a.s i konsolidoi kulmet e besimit (ideologjisë islame), adhurimit dhe moralit, si dhe dirigjoi tekste kategorike, që standardizojnë ecejakun e individit dhe imitacionin e grupit. Këto themele dhe orientime nuk pësojnë ndryshim në varësi të faktorit kohë dhe fortifikatat e tyre janë të padepërtueshme.
Ndërsa sa i përket çështjeve, që janë përtej kësaj – e që janë vërtetë të shumta –, ato janë lënë në garanci të mendjes njerëzore, e cila ka liri konfirmimi dhe anulimi lidhur me to.
Sa i përket lëmit të shkencave dhe lëvrimeve me karakter material, çështjeve të jetës dhe zhvillimeve civile, është mendja ajo që vlerëson aktivizimin në to, gjë për të cilën feja nuk vendos asnjë kusht. Kjo vlen për të gjithë lëmenjtë në fjalë, ku lypset përcaktimi i principeve dhe hetimi i instrumenteve. Pra mendja mund të veprojë në gjithë këtë pa u privuar.
Në këtë kontekst kemi për shembull konsultën, që është një princip fetar, i cili pengon dhe privon vendosjen e totalitarizmit politik, privon kultin e individit dhe mundëson kombin të imponojë monitorimin e atij, që emërohet si qeverisës. Mendjes i takon që të vendosë norma ligjore, që bëjnë të mundur realizimin e këtij qëllimi madhor.
Gjithashtu kemi drejtësinë, që është një princip fetar, që privon tiraninë dhe persekutimin. Mendjes i takon dhe ka dorë të lirë, që të legjitimojë norma e ligje juridike, si dhe të krijojë gjykata, që realizojnë këtë qëllim madhor në të gjitha planet, në atë administrativ, shoqëror dhe ekonomik.
Përcaktimi i kohës së emërimit të presidencës (qeverisjes):
Islami nuk ka vendosur asnjë përcaktim kohor, sa i përket emërimit të kryetari të shtetit. Ai gjithashtu nuk privon, që shteti islam të shfrytëzojë eksperiencat e shteteve të tjera, që nuk kanë fe Islamin dhe nuk gjykojnë me të.
Përzgjedhja e kalifit (qeverisësit) në Islam:
Sa i përket historikut të kalifatit (qeverisjes) së udhëzuar, përzgjedhja e kalifit (qeverisësit) në të nuk i është nënshtruar një programi unik. Kësisoj, Ebu Bekri r.a. u përzgjodh nga “Ehul Hal-li uel Akdi-Kompetentët e Alternativës dhe Marrëveshjes”, duke u zgjedhur drejtpërsëdrejti pre tyre. Umeri r.a. mbeti në besëlidhjen e kalifit të mëparshëm të Ebu Bekrit r.a., pasi ai r.a. mbi këtë emërim bëri një konsultë të përgjithshme, gjë e cila pati të bëjë shumë me situatën, në të cilën po kalonte shteti, duke qenë se shteti islam asokohe ishte ngërdheshur në një luftë kritike edhe me romakët e edhe me persët. Uthmani r.a. u përzgjodh midis një gjashtësheje, që e caktoi Umeri r.a., pastaj njerëzit erdhën dhe i dhanë besën atij, prej ku erdhi edhe emërimi i tij si kalif (qeverisës). Aliut r.a. ia dha besën masa e gjerë e populli, pikërisht pas vrasjes së Uthmanit r.a., përmes një besëlidhje të lirë dhe pa boshllëqe!
Metoda në fjalë e rinovuar në vazhdimësi (në çështjen e përzgjedhjes së kreut të shtetit) aludon për lejimin e çdo metode, të çdo forme qoftë, që privon autoritarizmin totalitar. Muslimani nuk guxon të ndalojë një veprim, për ndalimin e të cilit nuk ka ardhur asnjë tekst as nga Kurani, as nga Suneti (Tradita Profetike), as nga analogjia (kijasi) i qartë ose nga një analizim i qartë, që lë të përftohet se ky veprim është i ndaluar. Përkundrazi, ajo që mund të thuhet në këtë kontekst është se: Sheriati (Ligji) i Allahut është aty, ku është interesi dhe dobia më e madhe!
Kur studiojmë kalifatin (qeverisjen) jashtë epokës së qeverisjes së udhëzuar (të kohës së katër kalifëve të udhëzuar që janë Ebu Bekri r.a., Umeri r.a., Uthmani r.a. dhe Aliu r.a.) dhe marrim në konsideratë shkeljet flagrante që i janë bërë Sheriatit (Ligjit) Islam në ato kohëra, kjo na bën që të anojmë tek vendosja e një kufiri kohor në qeverisjen e kalifit (qeverisësit) dhe ta ekspozojmë atë para një votimi masiv kohë pas kohe.
Nuk grishet ky gjykim nga fakti se të huajt na kanë paraprirë në diçka të tillë, që i vjen përshtat kurimit të autoritarizmit dhe totalitarizmit politik, prej të cilit edhe e pësuan. Falë kësaj metodologjie në përzgjedhjen e qeverisësit ata shpëtuan nga pasojat e tij, teksa ne nuk shpëtuam” (mbaroi fjala e tij).
Studiuesi i shkencave politike, Jusri Abdul Gani Abdullahu, në artikullin e tij “Fondamenti i Pushtetit të Qeverisësit në Shtetin Islam”, në revistën “El Fikh es Sijesi-Jurisprudenca Politike” thotë:
Sistemi politik i qeverisjes në shtetin islam referohet kryesisht tek dispozitat dhe normat juridike të Kuranit fisnik dhe Sunetit (Traditës) të pastër profetik. Këto dy burime shquhen për fleksibilitetin e tyre, që përkon me të gjitha kohërat dhe shoqëritë, për garantimin e parimeve tërësore që sjell Kurani fisnik dhe për shtjellimin dhe sqarimin që ka marrë përsipër të bëjë Suneti (Tradita) i pastër profetik, që mund të përmblidhen në treshen në fjalë: “Drejtësi – barazi – konsultë”.
Dihet se principet themelore, mbi të cilat ngrihet shteti islam dhe mbi të cilat bazohet sistemi qeverisës i tij, kanë ardhur nga Allahu i Lartësuar, në tekstet kuranore, në fjalët, veprimet dhe aprovimet e të dërguarit Muhamed a.s. (pra Traditën Profetike), në principet tërësore të përgjithshme, të cilat i përmendëm më parë, si dhe orientimet e mësimet e tjera që kanë ardhur në këto dy burime.
Sa i përket çështjes së qeverisësit në shtetin islam, përmes një studimi të kujdesshëm, na del në pah, se shteti islam është qeverisur nga i dërguari Muhamed a.s. në preludin e tij dhe se ai a.s. nuk është përzgjedhur nga asnjë njeri në këtë mision të tijin, por ishte vetë Allahu i Lartësuar Ai që e përzgjodhi atë, që ia ngarkoi atij amanetin e ngritjes në shërbim të çështjeve të fesë dhe dynjasë, në shtetin e sapolindur islam. Ky Profet është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij, të cilit i lihet në besë kjo çështje, por kjo nuk iu la atij në mënyrë absolute por ai a.s. u emërua në këtë gjë brenda kornizës së dispozitave të Shpalljes Hyjnore, të teksteve kuranore dhe principeve kuranore që ia zbriti Padroni i Tij Lavdiplotë dhe i Madhërishëm, në dobi dhe të mirë të njerëzisë përgjatë gjithë kohëve, vendeve dhe situatave. Ky themel ishte i kufizuar vetëm në situatën e Profetit a.s., në epokën e tij. Kurse pas vdekjes së Profetit a.s. puna rrodhi në një kah tjetër. Profeti a.s., udhëheqësi dhe mësuesi më i madh, ia la në dorë muslimanëve të gjithë çështjen sa i përket zgjedhjes së pasuesit të tij. Ajo që ndodhi është se muslimanët u udhëzuan në rrugën konsultative në përzgjedhjen e liderit apo kalifit (qeverisësit) të tyre.
Sistemi qeverisjes në Islam përqendrohet mbi themelin e ideologjisë së lidershipit (imamit). Në fakt çështja e lidershipit është objekt debati midis muslimanëve, por konkluzioni ku përfunduan novatorët e mendimit (muxhtehidët – veç shijave) është, se konfirmimi i lidershipit kryhet përmes akordimit dhe përzgjedhjes, jo shkrimit (testamentit) dhe emërimit autoritar. Tekstualisht me implementimin e lidershipit presupozohet që emërimi i tij të jetë nga ana e Allahut, por duke qenë se kjo gjë nuk mund të realizohet dhe duke qenë se mbi një metodologji të tillë nuk është se ka argumente të qëndrueshme, nuk mbetet gjë tjetër, veçse që lideri (imami) të zgjidhet nga mesi i popullit.
Kuptimi i kësaj është, se është pikërisht populli ai që e zgjedh atë, i cili do të marrë në dorë çështjet e tij dhe përzgjedhja e këtij personi bëhet përmes dhënies së besës brenda kuadrit korrekt ligjor.
Këtë besëlidhje e ndërmarrin një grup muslimanësh (përfaqësuesit e kombit islam) të emëruar si “Ehul Hal-li uel Akdi-Kompetentët e Alternativës dhe Marrëveshjes”, të cilët dijetari islam El Meuerdiu në librin e tij “El Ehkem es Sulltanie-Dispozitat Qeverisëse” i quan “Të Kualifikuarit (Komisionerët) e Zgjedhjeve”.
El Meuerdiu sa i përket “Të Kualifikuarve (Komisionerëve) të Zgjedhjeve” thotë, se kriteret që duhen në marrë në konsideratë lidhur me autoritetin e tyre janë tre, konkretisht:
Së pari: Drejtësia e tij, që tubon kriteret e: integritetit (drejtqëndrimit), besnikërisë, devocionit, përkushtimit fetar dhe moraleve të denja.
Së dyti: Dituria përmes së cilës ky person do të mund të arrijë deri tek njohja e liderit të merituar, mbi bazën e kritereve që duhen marrë në konsideratë e që gëzojnë konsensus tek dijetarët e Islamit.
Së treti: Inteligjenca dhe urtësia e këtij personi, që do i dhurojnë atij aftësinë që të përzgjedhë liderin, i cili është më me interes për kombin islam dhe më i dobishëm për administrimin e interesave të tij, liderin që është më potent dhe që është njohës më i afirmuar për këto interesa dhe përfitime.
Përmbledhja e çështjes është, se qeverisja në shtetin islam bazohet tek vullneti i kombit, vullnet ky që funksionon në përputhje me kornizën e Sheriatit (Ligjit) Islam Solid dhe kjo qeverisje konsiderohet legjitime dhe e justifikuar, përderisa ajo është në kornizën e Sheriatit (Ligjit Islam).
Allahu është më i dijshmi.
Categories