Me mbarimin e fushatës parazgjedhore, Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) nga Shkupi, doli me një deklaratë për shtyp ku vlerësuan rrjedhën e fushatës parazgjedhore si dhe bëri apel deri te votuesit dhe të gjithë institucionet relevante në vend.
Në vijim ju paraqesim deklaratën në tërësi:
“Në përfundim të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 24 marsit, përgjithësisht mund të konstatojmë se patëm një fushatë të qetë dhe korrekte parazgjedhore, me disa përjashtime dhe mangësi që po na përcjellin vazhdimisht dhe të cilat doemos duhet të eliminohen nga jeta jonë politike.
Me këtë rast, QMBI edhe njëherë shprehë shqetësimin e vet lidhur me:
– Presionin e vazhdueshëm institucional mbi qytetarët dhe format e ndryshme të joshjes materiale të tyre;
– Shpërdorimin e mjeteve buxhetore për nevojat e fushatës parazgjedhore;
– Konkurset e shpallura dhe punësimet joligjore gjatë kësaj periudhe kohore;
– Shkeljet ligjore të disa medieve, në kuptim të informimit të njëanshëm dhe tejkalimit të kohës së paraparë për programin e paguar politik;
– Dyshimet e shfaqura në opinion mbi ekzistimin votuesve fiktivë në disa njësi zgjedhore dhe komuna;
– Dhe, gjithsesi, nga blloqet e krijuara etnike në disa qytete e komuna, veçanërisht në Kërçovë dhe Strugë, pozicionime këto të shoqëruara edhe me një fjalor të rëndë nacionalist, i cili mund të rrezikojë bashkëekzistëncën dhe të dëmtojë edhe më shumë marrëdhëniet edhe ashtu të acaruara ndëretnike dhe ndërfetare.
Në këtë drejtim, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, QMBI bën thirrje publike deri te:
– Subjektet politike, që të shmangen prej çfarëdo dhune apo keqpërdorimi gjatë ditës së zgjedhjeve;
– Institucionet shtetërore dhe organet zgjedhore, që të sigurojnë një proces të qetë dhe të rregullt zgjedhor;
– Qytetarët e RM, që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore dhe demokratike për të dhënë votën e lirë dhe për të përzgjedhur më të merituarit sipas tyre, për të udhëhequr me vendbanimet dhe komunat ku ata jetojnë;
– Misioni vëzhgues ndërkombëtar i OSBE-ODIHR, që të shtojë numrit e vëzhguesve nëpër vendvotime dhe të bëjë një mbikëqyrje më aktive të ditës së zgjedhjeve dhe procesit të numërimit të votave.
Me përkushtimin dhe angazhimin e të gjithë faktorëve të lartëpërmendur, urojmë që me 24 mars të kemi një ditë te qetë zgjedhore, pa dhunë dhe pa keqpërdorim të vullnetit të lirë të qytetarëve.
Një proces i rregullt zgjedhor, me zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike, është i nevojshëm, para se gjithash, për të treguar nivelin e lartë të kulturës sonë qytetëruese. E pastaj, sigurisht, edhe për të argumentuar zhvillimin e mjaftueshëm demokratik të vendit dhe për të plotësuar parakushtin e vendosur për një Raport pozitiv të radhës për Maqedoninë nga Komisioni Evropian, i cili pritet të miratohet muajin e ardhshëm, u tha në konferencën për shtyp të organizuar nga QMBI.
Categories