Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucion (QMBI), me rastin zgjedhjeve presidenciale në Republikën e Maqedonisë, organizoi debatin publik me temë: “Zgjedhjet presidenciale – a është i mundshëm konsensualiteti?”, ku nga ekspertë e politikanë të orientimeve të ndryshme politike u diskutua mundësia e gjetjes së një kandidati konsensual për kryetar të shtetit, nevoja dhe domosdoshmëria për një gjë të tillë, respektivisht fakti se çfarë fiton dhe çka humb Republika e Maqedonisë nga një president eventual konsensual.
Debati u organizua në Hotelin “Stone Bridge” në Shkup, kurse si panelistë ishin të ftuar Prof. Dr. Vllado Popovski, ish-ministër në disa përbërje qeveritare dhe aktualisht këshilltar i VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit; deputetja e BDI-së, znj. Ermira Mehmeti; z. Hari Lokvenec, anëtar i Kryesisë Qëndrore të LSDM-së, si dhe profesoresha universitare dhe ish-deputetja, Dr. Flora Kadriu.
Pas hapjes së debatit dhe fjalës hyrëse të drejtuesit të këtij debati, Dr. Afrim Osmanit, fjala iu dha Prof. Vllado Popovskit, i cili e vlerësoi pozitivisht propozimin e BDI-së për zgjedhjen e një presidenti konsensual, por duke plotësuar këtë ide me nevojën e arritjes së një konsensusi të tillë në një nivel më të gjerë politik, e jo vetëm me partnerin maqedonas në koalicionin qeveritar. Sipas tij, ende është herët të flitet për një kandidaturë të mundshme të kësaj natyre, e paarritshme për zgjedhjet e radhës, por që ka gjasë të kurorëzohet me sukses në një të ardhme të afërt, nëse partitë politike ngulmojnë në një ide dhe qëndrim të tillë.
Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, znj. Ermira Mehmeti, e vlerësoi si politikisht mjaft të guximshëm dhe të pjekur nismën e partisë së saj për një kandidat konsensual për kryetar shteti, propozim ky i cili, sipas saj, ka kontribuar për ngjalljen e një debati konstruktiv edhe në kampusin shqiptar, përfshirë këtu edhe debatet e këtij lloji që po organizohen fillimisht nga shoqëria civile shqiptare. Sipas znj. Mehmeti, kjo flet për një vetëdijësim edhe më të madh të shqiptarëve, të cilët në zgjedhjet e fundit presidenciale treguan se kanë ndryshuar dukshëm si elektorat që nga periudha para 10 apo 20 viteve, dhe nuk lejojnë që të orientohen shumë lehtë me urdhra partiakë kundër interesave të tyre.
Panelisti nga LSDM-ja, z. Hari Lokvenec, u shpreh se shumë më me rëndësi është që figura e presidentit të ardhshëm të shtetit të analizohet më tepër në bazë të personalitetit të tij dhe kapacitetit politik për të drejtuar shtetin dhe përfaqësuar të gjithë qytetarët e vendit, sesa të shikohet ekskluzivisht prapavija e tij politike ose etnike. Sipas tij, shumë me rëndësi është që presidenti të jetë një figurë reprezentative e cila do të veprojë më mençuri në bazë të ingerencave që ia garanton kushtetuta. Ai po ashtu sqaroi se LSDM-ja është duke punuar në përzgjedhjen dhe nominimin e një kandidature të pranueshme për të gjitha palët, dhe se në këtë rast ata shpresojnë në sigurimin e mbështetjes edhe nga partitë politike shqiptare, përfshirë këtu edhe BDI-në.
Ish deputetja, znj. Flora Kadriu gjatë prezantimit të vet u ndal më tepër në formën e zgjedhjes së presidentit të shtetit, duke kontestuar mënyrën e tanishme të zgjedhjes së tij me vota të qytetarëve. Ajo u angazhua për ndryshime kushtetuese në këtë drejtim, në kuptimin që kryetarin e shtetit në të ardhmen ta zgjedhë parlamenti, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet deri te një president konsensual. Po ashtu, ajo me këtë rast shfaqi dyshimet e saj mbi sinqeritetin e BDI-së për gjetjen e një kandidati konsensual për president me partinë më të madhe maqedonase, VMRO DPMNE-në, duke insistuar se konsensualiteti duhet të ngërthejë edhe opozitën dhe subjektet tjera politike.
Në pjesën e dytë të këtij debati, pjesëmarrësit nga publiku patën rastin të parashtrojnë pyetje dhe të bëjnë komente të tyre. Krejt në fund, QMBI paraqiti edhe disa qëndrime të veta sa i përket temës së trajtuar, siç janë mes tjerash si vijon:
1. Subjektet politike të mos shfrytëzojnë fushatën parazgjedhore presidenciale dhe status quonë në lidhje me përzgjedhjen e kandidatit konsensual, për përfitimin e poenëve politikë, forcimin e pozitave partiake dhe tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare.
2. Të rritet cenzusi për zgjedhjen e kryetarit të shtetit në 60%, me qëllim të fitimit të legjitimitetit të vërtetë të tij nga qytetarët.
3. Republika e Maqedonisë ka nevojë për një kryetar shteti i cili do të përfaqësojë jo vetëm interesat e partive politike, por edhe të gjithë qytetarëve të saj. Një president i tillë do të siguronte stabilizimin e skenës politike dhe forcimin e elementeve të bashkëjetesës.
4. Presidenti i ardhshëm konsensual duhet të përshpejtojë reformat e vendit, të garantojë pavarësinë e të gjitha institucioneve shtetërore, të marrë mbi supe zgjidhjen e kontestit të emrit dhe të vazhdojë paluhatshëm proceset euro-integruese dhe hapërimin e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian.

“Zgjedhjet presidenciale, a është i mundur koncensualiteti dhe çka e humb e çka fiton Maqedonia nga ai?”

“Zgjedhjet presidenciale, a është i mundur koncensualiteti dhe çka e humb e çka fiton Maqedonia nga ai?”