Forumi Rinor Islam në bashkëpunim me Komunën e Kumanovës për herë të nëntë me radhë organizuan iftarin e përbashkët tradicional me rastin e muajit të shenjtë, Ramazanit. Edhe sivjet, nën moton “Të festojmë së bashku për të njëjtin qëllim, të ndajmë kënaqësinë e unitetit, vlerave të përbashkëta dhe respektit të ndërsjellët”, ky iftar u mbajt në qendër të qytetit.
Prezent në iftar ishin mbi 600 persona, qytetarë të Kumanovës dhe Likovës të përkatësive të ndryshme fetare e kombëtare, përfaqësues të institucioneve lokale e nacionale, sektorit civil, përfaqësues të organizatave joqeveritare si dhe përfaqësues nga kisha ortodokse e Kumanovës.
Me organizimin e këtij iftari, Forumi Rinor Islam ka për qëllim bashkimin e qytetarëve të Kumanovës që të paktën në një ditë të vetme të shijojnë bashkërisht vlerat e këtij muaji si dhe njohjen e kulturës dhe bindjeve të bashkëqytetarëve në mes vete.
Fjalë përshëndetëse, pas iftarit, pati kryetari i Forumit Rinor Islam, Fisnik Shabani, kryetari i FRI-së Dega në Kumanovë, Liridon Ismaili si dhe Arbër Ademi, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, i angazhuar për çështje evropiane.