Publicisti Halil Matoshi vitet e fundit ka tentuar të shfaqet në mbrojtje të ideve liberale, i rokut, por mbi të gjitha i kosovarizmit, e po ashtu ka goditur kohë pas kohe në kolumnet e tij në Koha Ditore edhe nacionalizmin shqiptar.
Asgjë të keqe deri këto.
Por, në kolumnën e fundit, Matoshi ka rrëshqitur në racizëm.
Kështu, në një shkrim për debatin mes Rexhep Qosjes dhe Hevi Islamit, Matoshi ia lejon vetës t’i quaj ata “kosovarë të natyralizuar”. Siç dihet, Qosja ka lindur në Vuthaj të Malit të Zi, kurse Islami në Bujanoc. Për më tepër, Matoshi i akuzon “shqiptarët e natyralizuar” si kontaminues (helmues) të ambientit në Prishtinë.
Ja çfarë shkruan ai, ndër të tjera.
“Dhe, në anën tjetër, ta lexosh një profil për Qosjen dhe pyetësorin prej 55-pyetjeve, që kosovari po aq i natyralizuar Hivzi Islami (nga katundi Letovicë i Bujanocit) ia bë Qosjes, s’ke se si t’i shmangesh një ligështimi – e të të mos rrok një sëkëlldi – e të pështysh në këtë tokë të nëmur, e t’bërë lëmë thiu. E ritheksoj, ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë”, shkruan Matoshi.
Për korrektësi, ne po e botojmë të plot këtë tekst, që për bindjet tona, është racist.
Qosja vs Islami: Ndërgjegjshmëritë e sëmura të akademikëve

Halil Matoshi


Pse akademikët Rexhep Qosja dhe Hivzi Islami nuk kanë shkëmbyer ide dhe argumente e kundërargumente, por grushte metaforike, mësymje vrastare dhe thirrje për dhunë? Pse fjalët e tyre mbajnë erë të rëndë dhe e kontaminojnë ambientin kulturor, arsimor dhe qytetar në këtë vend? Pse njerëzit me ndërgjegje nuk duhet t’i besojnë asnjërit, por “të vërtetat” e tyre duhet të injorohen?

T’i lexosh e t’i dëgjosh pandehmat me duhmë të rëndë, spekulimet dhe të pavërtetat e kryekosovarit të natyralizuar, (i lindur në Vuthaj) Rexhep Qosja, kundër të gjithëve (ai nuk rreket me idetë, por me njerëzit që i përfaqësojnë ato), dhe kundër gjithçkaje që buron nga mendja e këtij hinterlandi; deri tek lëvizja më e madhe dhe më kompakte për liri e të drejta kombëtare, Ibrahim Rugova. A është ky mllef i përmasave legjendare në thelb antikosovar, që njeriun me ndërgjegje e bë të stepet dhe pastaj të ndihet se po përpëlitet në një pellg ujërash të zeza që ia zë frymën.
Nuk thuhet kot se burimi i terrorizmit klasik dhe i së keqes universale rëndom banon në gjuhë.
Në anën tjetër, ta lexosh një profil dhe pyetësorin prej 55-pyetjeve që kosovari po aq i natyralizuar Hivzi Islami (nga katundi Letovicë i rrethit të Bujanocit) ia bë Qosjes, të rrok një sëkëlldi e të bën të pështysh në këtë tokë Kosove, të nëmur, e t’bërë lëmë thiu, e ritheksoj kryesisht prej kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre, e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë.
Pra, e shihni, s’ka të vërteta, të gjitha janë interpretime.

Sepse, ky vend dhe njerëzit e tij e kanë braktisur idenë themeltare të komunikimit, rregullin e epërm – siç thotë filozofi Giani Vattimo – sepse, “nëse flas, duhet t’i respektoj disa rregulla, e para së gjithash, rregullin siperan që dikton t’i njihen bashkëbiseduesit tim të njëjtat të drejta dhe i njëjti dinjitet që i jep vetvetes”.
Kur Universiteti i Harvardit ua dorëzon studentëve diplomat, ua rikujton atyre se duhet të mendojnë për ligjin si “për një kufizim të mençur, i cili u jep mundësi njerëzve të jenë të lirë.”
Thjesht, sipas Fared Zakarias, ligji “ua mëson” njerëzve lirinë individuale.
Himni kombëtar amerikan “Amerika e bukur” thotë: “Amerikë, Amerikë/Zoti t’i fal ty gabimet/prandaj fali shpirtit tënd urtësinë/besoj ligjit lirinë./
Jo “të mëdhenjtë e një kombi”, por ligji e bë balancën mes demokracisë dhe lirisë.

Theodor Ë.Adorno mendonte se arsimimi duhej të ishte ai që do t’i përshtatej shpirtërisht individit të lirë, me ndërgjegje të plotë dhe veprues në shoqëri.
Arsimimi ka vlejtur si premisa e një shoqërie autonome: sa më të kthjellët individët, aq më e kthjelluar shoqëria.
Mirëpo, në kontekstin kosovar, arsimimi që në themelet e tij iu përshtat kazermës, kuesturës, rendit prej zori e jo prej qejfit, pra nuk u përshtat me vullnetin për dije, por me vullnetin për pushtet!?
Prandaj, çfarë sot po ndodh me Universitetin e Prishtinës është pasojë direkte e mendësisë së akademikëve (në këtë rast po përmend vetëm Qosjen dhe Islamin, sepse janë në fokus të këtij shkrimi) dhe para së gjithash është produkt i “mendjes” së turmave.
Dhe gjuha e këtyre të dyve vlen si pasqyrë reflektimi për profesorët, studentët dhe popullin.
Ajo është gjuhë e kontaminuar me mujshi, spekulim, manipulim dhe fabula që vlejnë në çarshi, si “sekrete publike”, por që nuk mund të faktohen.
Për arsye se shqiptarët mbajnë mend e nuk shkruajnë, nuk kanë as varre të dinjitetshme e lëre më një arkiv, një raft me dokumente, burime, faksimile, incizime, dëshmi e dëshmitarë…

Sepse nuk është një shoqëri politike e mbështetur në ligj.
Po çfarë të thuhet për vendin e paligjësisë!?

Aty ku nuk respektohet ligji, viktima e parë është e vërteta.
Prandaj mos u turrni t’i jepni të drejtë as Qosjes, as Islamit.
Ky “shkëmbim heshtash” mes tyre s’ka se si të cilësohet ndryshe pos pështymje mes kolegësh sedërlinj e më ndërgjegje të sëmurë.
Jetojmë në një botë ku ka shumë informacione dhe shumë gjëra që ndodhin.

Njerëzit ndoshta edhe duan të bëjnë gjënë e duhur, të drejtë, por ndonjëherë, janë aq të hutuar nga jeta e përditshme, nga vështirësitë e saj, dhe priren jo nga ndërgjegjja e tyre, por nga joracionaliteti.
Nga mendja e errësuar.

Janë të prirë nga mujshia egërshane – që jeton brenda egos së njeriut – dhe në këtë mësymje nuk nisën gjithaq në një ekspeditë ndëshkuese për ta zhvlerësuar tjetrin sa për ta mbrojtur veten!?.
Për ta përkëdhelur unin e tyre që manifeston çrregullime e patologji.
Psikologu Charles Shelton thotë: “Merre shtruar dhe thuaj: Unë jam një njeri me ndërgjegje, dhjetë ose pesëmbëdhjetë herë në ditë, dhe ky akt i thjeshtë mund të nisë një revolucion brenda teje. Kjo krijon ndërgjegje. Kjo krijon gjërat që duhet të bëhen dhe fjala ‘duhet’ ka një goditje morale dhe detyruese tek ndërgjegjja.”

Qysh Fridrich Nietzsche kur bënte fjalë për vullnetin për pushtet, thoshte se vullneti më i fuqishëm dhe më i lartë për jetë nuk e gjen shprehjen në luftën e mjerueshme për ekzistencë, por në vullnetin për luftë – vullnetin për pushtet – për sundim.
Dhe gjuha është leva qenësore mbi të cilin ndërtohen strategjitë për këtë mësymje.
Gjuha goditëse që mësyn poshtërimin e tjetrit – qoftë ai edhe tashmë i vdekur – po i rikthehet Qosjes posaçërisht tashti, në agoninë e tregimeve të mëdha dhe ai godet, njëjtë sikur ajo bisha nietzscheane me fytyrë të mërdhezur.
Ky shkëmbim fjalësh-grushte mes këtyre dy akademikëve, më parë se për ta, flet për vetë frymën psikosomatike të kohës (Sloterdike), për momentumin e mendësisë së një hinterlandi (humbëtire) i cili, ndonëse arriti lirinë kolektive dhe u bë shtet, nuk ia doli dot që të ngrihet në shoqëri politike. Këtë e vinte re Branko Mërxhani, qysh në vitet ’30, kur thoshte se jeta e shqiptarëve ende është jetë grumbulli, madje edhe kur më 1912 u arrit shteti kombëtar, nuk u arrit dot të bëhej shoqëria politike.
Shoqëria kosovare posaçërisht e jeton ende moralitetin e skllavit.
Dhe sipas Nietzsches, ky moralitet skllavi është vullneti për mohimin e jetës, një parim shpërbërjeje dhe kalbëzimi. Thjesht, në kontekstin kosovar, kjo e përshkruan më së miri patalogjinë shoqërore, krekosjen, nevojën për heronj të rremë (kur krimineli i tyre është i tillë dhe duhet ndëshkuar, ndërsa krimineli ynë është i miri, i drejti dhe duhet shpërblyer…), të parit e tjetrit si armik, ose nga një kënd racist, të pazotin për të na konkurruar as me ide e as me prodhim material, thjesht të paaftë – në terminologji klinike – sakat.

Qasja ksenofobe për tjetrin/armikun domosdo e nxjerr njeriun nga racionaliteti, ia bjerr atij ndërgjegjen dhe ai shndërrohet në bishë me fytyrë të mërdhezur.
Dhe niset në sulm. Në luftë. Dhe mbi të gjitha, jo vetëm për ta mundur tjetrin, por për ta poshtëruar atë, që është një “cilësi doktrinare” e ballkanasve.
Gjatë kohë në mendësinë kosovare morali i njerëzve të ulët e pa vlerë ka vlejtur si masë e të gjitha gjërave, sepse ky moral ka buruar nga turmat e skllavëruara. Prandaj, nëse përdorim konceptin e Samuel Enosh Stumpit për turmën – barazia që predikon Qosja mund të nënkuptojë vetëm rrafshimin e të gjithëve në nivelin e mediokritetit të turmës.
Dhe, në anën tjetër, ta lexosh një profil për Qosjen dhe pyetësorin prej 55-pyetjeve, që kosovari po aq i natyralizuar Hivzi Islami (nga katundi Letovicë i Bujanocit) ia bë Qosjes, s’ke se si t’i shmangesh një ligështimi – e të të mos rrok një sëkëlldi – e të pështysh në këtë tokë të nëmur, e t’bërë lëmë thiu.
E ritheksoj, ky ambient mendërisht i kontaminuar është produkt kryesisht (me disa përjashtime) i kosovarëve të natyralizuar, që krejt çka kanë dhe çfarë kanë bërë në jetët e tyre e kanë realizuar në Prishtinë, përkatësisht në Kosovë.
Dhe kjo ishte e drejtë, sepse Kosova pas autonomisë së vitit 1974 ishte shndërruar në Mekë dhe Jerusalem të shqiptarëve që kishin mbetur nën Jugosllavi më 1913.
Kurse Prishtina në një qytet tipik të hapur e liberator.
Qosja, sidomos me vërsuljet e fundit ndaj disa të vdekurve të këtij vendi, është i egër, me gjithë faktin se shqiptarët i respektojnë të vdekurit e tyre.
Por Qosja tekanjoz, pra jokonsistent, “komunisti” i fundit në Evropën Juglindore, këtë vërsulje e bë i nxitur nga ndërgjegjja e tij.

Dhe ai e përdor një të drejtë të ligjshme, shkruan dhe flet, mbarë e mbrapshtë – duke krijuar mundësi të volitshme për polemizim të tezave të tij për mospajtim dhe shpesh për t’i refuzuar me një buzëqeshje qesëndisëse – por ai nuk ia njeh të njëjtat të drejta bashkëbiseduesit sikur vetes. Ai nuk polemizon, ai mallkon.
Ai është instanca më e lartë e së vërtetës!?
Ai është “shpirti dhe mendja ideale” – njeri qiellor, me sharm prej mesie në sytë e turmës – e cila nga natyra beson në “njerëz të mëdhenj”, në shpëtimtarë kombesh, e në mungesë të tyre turma dëgjon zëra fantazmagorikë!?

Qosja në të shumtën është i paargumentuar, flet thashetheme, ngre akuza për tradhtarë në të gjitha anët, ndërsa piedestalin e heroit e rezervon (e zapton) rëndom për vete.
Dhe për ndonjërin si ai, në humbëtirën që po e jetojmë.
Porse në këtë profil, që atij ia bë Islami – kryekreje ad hominem – nuk ka as edhe një ide të madhe për të cilën duhet ose mund të debatohet.
Pos vetë idesë së këtij debati diabolik.
Këtu thirren në ndihmë të vërteta e të thëna, gjysmë të vërteta e spekulime, saqë kur e lexon njeriu këtë profil dhe 55-pyetjet e pretenduara si legjitime e të mëdha të Hivzi Islamit, ndihet i pafat që jeton në kohën e tyre.

Islami përmes 55-pyetjeve dashka ta shpralloste ose ta ndreqte një të pandreqshëm si Rexhep Qosja, madje jo vetëm atë, por Kosovën dhe kombin e përmendur aq shumë e aq pa vend!?
Jo, Islami vetëm ka prishur gjithçka.

Shumica dërrmuese e pyetjeve janë “të fshehta” mes kolegëve në rini, që vetëm ata i dinë dhe publikut s’i ha palla në janë pandehma apo pas tyre fshihet ndonjë përgjigje të cilën akademik Islami paraprakisht e di.
Për gjërat e ditura nuk bëhen pyetje, por thuhen troç, pra duhet faktuar.
Këso pyetjesh vetëm sa e mistifikojnë edhe më shumë një figurë kontroverse të Qosjes, këto pyetje madje çorientojnë dhe krijojnë lajthitje edhe më të mistershme tek publiku dhe nuk sqarojnë asgjë rreth profilit njerëzor dhe intelektual të Qosjes.

Fundja, pyetësori i Islamit nuk përdoret as në gazetarinë e ditës, sepse kurrë s’do të merrnin përgjigje, dhe s’ka gazetar e gazetë që bë këso pyetjesh, të shumtën spekulative e sipas tekeve, sepse ato që mungojnë në këtë “pyetësor” janë kundërargumentet (dëshmitë e dëshmitarët, datat e vendet, burimet, dokumentet arkivore, faksimilet e aktakuzave, nëse dikush i ka ngritur ndonjëherë ndaj Qosjes për këso “krimesh”, incizimet, shkrimet e publikuara etj.)
E kush mund ta detyrojë Qosjen – cila instancë për t’iu përgjigjur në këtë “pyetësor”? Askush! Dhe kjo s’do të ndodhë kurrë.
Ka në “pyetësor” ngritje akuzash para se këtë ta bëjë ndonjë prokuror, ka gjykim të rëndë pa e thënë fjalën një gjykatë valide, madje ka cenim privatësie, cenim të familjes etj. me të dëgjuara e të thëna, por s’ka as edhe një fakt.

Sepse asgjë nga ato që i thotë Islami nuk janë të faktuara.
Së këndejmi (sado që ndokujt nga tabori anti-Qosje i duken të drejta, të forta, shkokëluese e dërrmuese) ato pyetje i shquan argumenti i forcës e jo forca e argumentit.

Dihet se njerëzit e mëdhenj rreken pas ideve, të vogla e të mëdha, i analizojnë e shkoqisin ato, i zbërthejnë e i komentojnë, i miratojnë apo i hedhin poshtë – dhe njerëzit e mëdhenj nuk merren me njerëzit ad hominem.
Jo së paku njerëzit që kanë ide dhe u besojnë atyre, një jetë njeriu.
Njeriut me ndërgjegje i vjen për të vjellë se cili është profili i akademikut tipik kosovar, i vjen po ashtu për të pështyrë se çfarë kanë mësuar brezat nga këta njerëz dhe çfarë kanë për të mësuar ende!?

Kjo gjuhë është aq vrasëse për dijen dhe vetëdijen, për etikën dhe humanitetin, saqë dua të besoj se do “të varroset” në muzetë e fjalës së ligë (nëse do të hapeshin të tillë) së bashku me ata që e flasin këtë gjuhë të pështirosur.
Kjo dëshmon armiqësi të skajshme mes aktorësh, por edhe gjendjen e konstitucionit shpirtëror të një shoqërie të tërë, që për inate e ngërçe patologjike mes tyre janë në gjendje ta përdhosin çdo vlerë që ka prodhuar mendja e secilit kosovar të ndërgjegjshëm. Ata nuk po shkëmbejnë rrufe për idetë, për historinë e politikën, për dijen e vetëdijen shoqërore, por për poshtërimin, zbythjen, marrosjen e njëri-tjetrit.
Gjuha e komunikimeve të Qosjes, Islamit &Co i shpreh vetë folësit por edhe zvetënimin – sëmundjen e kësaj shoqërie – për çka fliste Nietzsche, sepse individët e liruar nga morali i skllavit, por edhe shoqëritë e organizuara politikisht në shtet demokratik e kanë tejkaluar qe dy shekuj njeriun parak me hark e parzmore.

Pra këtë gjuhë duhet harruar, së bashku me aktorët!? Vafshin në djall!
“Unë kam zbuluar se gjendja më e zakonshme emocionale është gëzimi i përzier me qetësi dhe paqe” – shkruan Shelton.

E po ta hajë dreqi, nëse ju s’e pranoni këtë gjendje të rëndomtë njerëzore – gëzimin e përzier me paqe – atëherë mos ua turbulloni ndërgjegjen njerëzve të tjerë.
Mos u marrosni t’u ofroni të vërteta të gatshme, përfundimtare, i lini t’i gjejnë vetë ato të vërteta.
Mos ua helmoni ndërgjegjshmëritë!