Categories
Lajme

“Radika”, zhurmë apo projekt konkret? (video)

Protestat e ditëve të fundit në Tiranë kundër devijimit të ujërave të lumit Radika kanë ngjallur shqetësime në opinionin publik.
Kryeministri Edi Rama shkruante mbrëmë se nuk ka një projekt konkret në këtë drejtim dhe se po bëhej shumë zhurmë për asgjë. “’Lumi Radika’ shumë zhurmë për asgjë 1. Ska projekt 2. Ska gjasë të ketë fillim të njëanshëm 3. Ska shans të lejojmë prekjen e interesit tonë!”, shkruan kryeministri Rama.
Por një ditë më parë, kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se projekti është gati të nisë nga puna, duke nënvizuar se ky projekt cenon marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe ato midis dy vendeve.
“Dhe ky projekt është në kundërshtim edhe me marrëveshjen “Drini: Një Vizion Strategjik i Përbashkët”, e firmosur ndërmjet Shqipërisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit te Zi, në lidhje me basenin e Drinit në vitin 2011. Në marrëveshjen “Drini: Një Vizion Strategjik i Përbashkët” përcaktohet qartë se korniza ligjore për t’u zbatuar për kaskadën e Drinit është ajo evropiane, veçanërisht EU WFD (EU Water Framework Directive) (direktiva 2000/60/EC e Parlamentit Europian). Ky projekt bie ndesh edhe me këtë direktivë në të cilën specifikohet se: “në rastet kur ka efekte ndërkufitare zgjidhja duhet të jetë për të gjithë kaskadën me marrëveshje” (pika 35 e EU WFD). Ky projekt ka një efekt ndërkufitar të qartë e të padiskutueshëm. Në këtë marrëveshje përcaktohet se çdo ndërhyrje në menaxhimin e kaskadës duhet të jetë e koordinuar dhe e aprovuar, por kjo gjë që nuk ka ndodhur”, tha Petrit Vasili, kryetar i grupit të LSI-së.
Por, çfarë po ndodh në terren?
Ideja për ndërtimin e hidrocentralit të Llukovës zë fill që në vitin 1988, por ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e ka nisur ta konkretizojë këtë ide në projekt vetëm vitet e fundit. Jo zyrtarisht thuhet se punimet në terren kanë nisur për studimin e fizibilitetit të projektit, ndërsa financuesi është Banka Botërore. Janë rreth 65 milionë dollarë shuma që do të duhet për ta ndërtuar këtë hidrocentral.
Sipas medieve në Maqedoni, për ta furnizuar basenin ujor do të duhet të merret një sasi uji prej rreth 7 metër kub ujë në sekondë edhe nga lumi Radika, gjë që thuhet se kjo është e pranueshme nga standardet ndërkombëtare.
Banka Botërore e ka pranuar projektin që në vitin 2007, por që prej asaj periudhe nuk ka pasur diskutime publike. Mendohet se diskutimet konkrete do të nisin në muajin maj të këtij viti, kur edhe do të nxirren të dhënat e sakta rreth projektit. Në internet tashmë gjendet edhe projekt-ideja, ku sqarohet në mënyrë kompjuterike se si do të furnizohet baseni ujor që do të ngrihet për të ndërtuar hidrocentralin në fjalë.
Midis të tjerash, do të ndërtohen edhe disa tubacione nëntokësore për të marrë ujin nga lumi i Radikës, i cili më pas do të derdhet në lumin Vardar dhe prej andej në Greqi për të shkuar përfundimisht në detin Egje. Kjo do të thotë se do të ketë më pak ujë që derdhet në Drinin e Zi që furnizohen hidrocentralet e Shqipërisë, ndërsa për banorët e Dibrës së Madhe do të thotë se do të ketë më pak ujë për vaditjen e fushave të tyre.
Projekti thuhet se ka nisur të diskutimet që në vitin 2007 dhe për këtë kanë pasur dijeni edhe qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës. Çështja e marrjes së ujërave të lumit Radika u ngrit vetëm në dhjetor të këtij viti, kur Shkupin e vizitoi ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, i cili këmbëngul se nuk ka ende një projekt konkret, ndërsa nga ana tjetër, qeveria e Maqedonisë shprehet e vendosur se do ta ndërtojë hidrocentralin në fjalë.
Në basenin ujor të Llukovës për të ndërtuar këtë hidrocentral do të grumbullohen rreth 39 milionë metra kub ujë që vjen kryesisht nga mali i Korabit, në Maqedoninë Veriperëndimore, dhe që përfshin pjesën kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës. Parashikohet që të ndërtohet edhe një kanal rreth 20 kilometra i gjatë për grumbullimin e ujërave, si dhe dy tunele.
Kërkesa zyrtare për Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka dërguar Kuvendit të Shqipërisë më 10 dhjetor të vitit të shkuar të dhëna mbi kërkesën e palës maqedonase për devijimin e lumit Radika.
“Ministria e Punëve të Jashtme është në ndjekje të problematikës së krijuar qoftë me komunitetin e Dibrës së Madhe, për çështjen e një projekti të cilin qeveria maqedonase e ka miratuar nga ana teknike për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Llukovës. Ideja është duke qenë se burimet natyrore nuk janë të mjaftueshme në këtë zonë, është menduar që të merren pesë degë të lumit Radika dhe të çohen në 3 kanale të nëndheshme drejt fushës së Likovës”, ka deklaruar drejtoresha e Traktateve dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, Suela Janina më 10 dhjetor të vitit të shkuar, ndërsa lajmi u publikua ditë më vonë nga një e përditshme.
Këtë kërkesë pala maqedonase e ka paraqitur gjatë takimit të zhvilluar mes ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri dhe homologut maqedonas, Valon Saraçini.
“Çështja është ngritur edhe në rrugë zyrtare nga ana e qeverisë maqedonase në takimin që ka pasur ministri i Energjisë, z.Gjiknuri me homologun maqedonas në Shkup, më datë 26 nëntor të këtij viti, ku është diskutuar dhe janë paraqitur nga pala maqedonase disa elementë paraprakë të këtij projekit. Sipas ministrit të Ekonomisë Valon Saraçini projekti nuk do të ketë ndikim ndërkufitar, pasi thuhet nga pikëpamja teknike që lumit i Radikës ka 17 metra kub prurje në sekondë, ndërkohë që mendohet se devijojnë vetëm 2 metra kub në sekondë. Kurse nga ana e ministrit Gjiknuri është mirëpritur fakti që kjo është ngritur si çështje për diskutim dypalësh dhe është rënë dakord që të vlerësohet nga ana teknike ky projekt”, është shprehura drejtoresha e Ministrisë së Jashtme.

Reagimi i “BDI”-së

Burime jo zyrtare në Maqedoni thonë se qeveria aktuale atje synon që ta nisë  debatin për këtë çështje pas zgjedhjeve që pritet të zhvillohen në muajt në vazhdim, në mënyrë që të tejkalojë pakënaqësinë e banorëve të Dibrës dhe zonave përreth. Ministri shqiptar i Ekologjisë në qeverinë e Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, thotë se për qeverinë e Shkupit mbetet prioritet ndërtimi i hidrocentraleve dhe shfrytëzimi i rezervave ujore. Ai ka thënë se dy hidrocentralet që janë të planifikuara të ndërtohen, ai i Urës së Boshkut dhe i Fushës së Llukovës, janë të dy në territorin e parkut nacional “Mavrova”.
“Ne kemi obliguar Drejtorinë për Energjetikë të Maqedonisë që të përgatisë një studim për ndikimin në ambientin jetësor dhe presim rezultatet nga ky studim. Nëse analizat dhe informatat flasin se ndërtimi i akumulacionit të Fushës së Lukovës do të ketë ndikime negative në ekosistetimin, biodiversitetin dhe në Lumin Radika, sigurisht që ne nuk do të lejojmë ndërtimin e një kapaciteti të tillë dhe do të japim mendim negativ”, ka thënë ministri Ademi.
Nga ana tjetër, meqë projekti ka edhe ndikim ndërkufitar, ne do të hapim edhe dialog ose do të shkëmbejmë informacione me Kosovën, Shqipërinë por edhe me Greqinë, me qëllim që ata të jenë të kyçur, të japin vërejtjet e tyre dhe të jenë pjesëmarrës edhe në vendimmarrje”, shtoi ai.
Edhe për hidrocentralin e dytë, shqetësim shpreh edhe Lëvizja Socialiste për Integrim në Tiranë. “Aq më e qartë dhe evidente bëhet situata në mënyrë të veçantë në projektin tjetër, ai i HEC Boskov Most dhe i cili është tashmë në fazën përfundimtare të tij dhe gati për fillimin e punimeve të ndërtimit, është gjithashtu subjekt i të gjitha kundërshtimeve të mësipërme, sepse menaxhimi i kaskadës së Drinit, siç e bëmë më dije edhe më lart duhet të bëhet vetëm me një marrëveshje dypalëshe. Në mënyrë të veçantë për projektin e fundit ju mund të konsultoni dhe keni në dispozicion tuaj edhe situatën në të cilën ndodhet projekti, ku do të konstatoni se projekti HEC Boskov Most me një fuqi prej 70 megawat, data 7 qershor 2011, ndërkohë që statusi i tij, siç shihet edhe në faqen e tyre në internet, është i firmosur, i përfunduar dhe gati për të filluar punimet”, thotë Petrit Vasili.
/S.Lleshi/Start/
 

Exit mobile version