Categories
Lajme

Rama: Erdogan mik dhe vëlla i shqiptarëve

Në Aeroportin Ndërkombëtar u zhvillua ceremonia e inaugurimit të terminalit “Adem Jashari”. Tre kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama, i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, janë takuar sot në Kosovë.
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur i pari në Kosovë, ku është pritur me një ceremoni zyrtare nga homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, ndërsa 1 orë më pas ka mbërritur edhe kryeministri i Turqisë Erdogan i shoqëruar edhe nga bashkëshortja.
Dy kryeministrat, ai i Shqipërisë dhe i Turqisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së terminalit të aeroportit ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ në Prishtinë, ndërsa më pas do të ketë një takim mes tre kryeministrave Rama-Thaçi-Erdogan në Prizren.
Sipas asaj që shkruajnë mediat kosovare, në këtë eveniment nuk është ftuar ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha apo kreu aktual i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha.
Në terminalin e ri të aeroportit janë investuar mbi 100 milionë euro, duke e shndërruar kështu aeroportin e Prishtinës në më të madhin dhe më modernin në rajon.
Rama: Zoti e bekoftë Kosovën
Nuk mund të kishte një ditë më të bukur për të mirëpritur një mik të çmuar dhe të përkushtuar të të gjithë shqiptarëve, siç është kryeministri Erdogan, miku dhe vëllai ynë i pandarë, në festa e vështirësi. Në ditë me diell arritjesh të bukura por dhe në kohë të vërejtura kur miqtë e vërtetë dallohen mbi të tjerët. Askush nuk do të harrojë mbështetjen e tij të paçmuar për pavarësinë e Kosovës. Ky është një tjetër rast shumë kuptimplotë për të qenë krenar e mirënjohës për Kosovën e shembullin e saj e për t’u krenuar për një mikun tim që sot është kryeministri i Kosovës dhe sot jam thellësisht mirënjohës për nderin e madh që më bëri duke më ftuar si kryeministër i shqiptarëve të Shqipërisë. Me kënaqësi e privilegj të të qenit në krah të dy miqve e të dy bashkudhëtarëve në rrugën e përbashkët të partneritet strategjik mes nesh për të mirën e popullit shqiptar e turk për të forcuar bashkëpunimin mes tre shteteve tona ju falënderoj për vëmendjen. Zoti e bekoftë Kosovën.
Rama, vizitori i parë i terminalit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është vizitori i parë i terminalit të ri të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, u inaugurua sot.
Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, përmes rrjetit social Twitter ka njoftuar se kryeministri Rama tashmë ka arritur në aeroport, duke qenë kështu vizitori i parë i terminalit të ri.

Exit mobile version