Çdo muaj, çdo stinë, çdo bimë, dhe çdo qenie e gjallë e ka dimensionin e saj të jetës. Të gjitha krijesat janë në shërbim të njeriut, edhe dita, edhe nata, edhe hëna, edhe dielli, edhe era, edhe ajri, edhe uji, edhe bimët, edhe kafshët, edhe deti, edhe lumenjtë, madje edhe koha.
Pikërisht pasi që Allahu e krijoi njeriun, Ai i urdhëroi të gjitha melaqet (engjëjt) që të përkulen dhe t’i bëjnë sexhde Atij. Sexhdeja ishte për Allahun si i Vetmi Krijues…
Pasi që edhe koha është në dispozicion të njeriut, atëherë në të bëjnë pjesë edhe muajt. Ndër muajt më të lavdëruar sipas besimit islam është edhe muaji Ramadan. Ky muaj është i veçuar, i lavdëruar, i begatuar dhe i ngritur. Një gjë të këtillë ishte vullnet i Allahut, vullneti i Krijuesit, i Cili krijoi çdo gjë, krijoi edhe kohën (asr).
Shenja e parë e bereqetit të muajt Ramadan është ajo që ky muaj kalon nëpër të gjitha stinët e vitit gjatë 30 viteve, që jep të kuptojmë se njerëzit e të gjitha viseve mund të agjërojnë në të gjitha kohët apo stinët. Ndoshta kjo do të paraqiste një mrekulli e Krijuesit dhe mëshirë drejtuar neve si njerëz. Kjo është begati nga vet Krijuesi drejtuar krijesave më të zgjedhura – Njeriut.
Ajo që e karakterizon agjërimin apo muajin Ramazan është ngrënia e syfirit. Syfyri është moto e këtij Ummeti, është prej gjërave që na dallojnë nga Ithtarët e Librit.
Transmeton Imam Muslimi se i Dërguari i Allahut ka thënë:
“Ajo që dallon agjërimin tonë nga agjërimi i ithtarëve të librit është ngrënia e syfyrit…”.
Thuhet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Bëni syfyr, ngase në syfyr ka bereqet”.
Në këtë hadith urdhërohemi që t’a hamë syfyrin si përgatitje për agjërim, ndërsa urtësia e tij është zbritja e begatisë dhe bereqetit. Bereqeti është vetëm prej Allahut dhe si i tillë nuk arrihet përveç se me respekt, nënshtrim dhe adhurim ndaj Tij. Bereqet, më konkretisht, do të thotë zbritja e të mirës hyjnore në diç dhe përqendrimi në të. Bereqet po ashtu do të thotë shtim i të mirës, shpërblimit dhe tërë atyre gjërave që ka nevojë njeriu për to në këtë dhe botën tjetër. Bereqeti i muajt ramazan është shumëdimensional, sa që ndonjëherë njeriut i vjen prej ku ai edhe nuk e paramendon.
Sipas historisë së islamit mjaft gjëra të rëndësishme kanë ndodhur pikërisht në këtë muaj, e ndër to është edhe Shpallja e Kur’anit në Natën Kadër të natës së 27-të muajt ramazan. Natyrisht se kjo është begatia më e madhe dhe më e papërshkruar nga njeriu. Nata e Kadrit përveç rëndësisë së madhe si ngjarje historike, në të njëjtën kohë paraqet Natën mjaft të dobishme për çdo besimtarë që dëshiron t’i kthehet Allahut dhe të bëj pastrim shpirtëror.
Kur’ani këtë natë e emëron si Lejletul Kadër që do të thotë nata e vlefshme dhe e rëndësishme, ndërsa në kaptinën ed-Duhan, këtë Natë Allahu në Kur’an e quan Lejletin Mubareketun që do të thotë natë e bekuar, natë e dhuratave më të mëdha. Ndër begatitë e papërshkruara që bëjnë pjesë në transcendentale është edhe ajo ku Allahu thotë në Kur’an se Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj, si dhe atë natë zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje.
Të gjitha begatitë dhe bereqetet e muajit të ramazanit nuk është e mundur as të imagjinohen, e lëre që ato t’i arrijmë dhe t’i numërojmë. I Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
“Sikur ummeti im të dijë sa të mira ka në ramazan, do të dëshironte që i tërë viti të bëhet ramazan”!
Imam Ahmedi shënon një hadith në të cilën i Dërguari i Allahut, Muhammedi s.a.v.s. ka thënë:
“Ummetit tim u janë dhënë 5 cilësi në ramazan, të cilat nuk e kanë pasur popujt e tjerë para ummetit tim:

  1. Era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek All-llahu se sa aroma e miskut.
  2. Melekët luten për faljen e mëkateve të ummetit tim deri sa ta përfundojnë agjërimin.
  3. Allahu çdo ditë e zbukuron xhennetin për ta duke thënë: Edhe pak dhe nga robët e Mi do të mënjanojnë çdo brengë dhe shqetësim dhe ata do të vinë tek ti.
  4. Pengohen të gjitha intrigat e shejtanit dhe ata nuk mund ta bëjnë atë që zakonisht e bëjnë.
  5. Do t’u falen mëkatet natën e fundit. – Dikush pyeti: “Mos është natën e Kadrit o i Dërguari i Allahut”? Ndërsa Ai u përgjigj: “Jo, por kur ndonjë punëtor e kryen punën e vet deri në fund, atëherë për atë punë i jepet pagesa”.

 
AGJËRIMI NË MUAJIN RAMAZAN DHE BEREQETI NË SHUMË ASPEKTE
Bereqeti më i madh për njeriun qëndron në Fjalën Hyjnore (Kur’an); “Ky (Kur’ani) është një Libër i begatshëm, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed)”. (Sad, 29). Po ashtu, bereqeti mund të kërkohet edhe përmes formave konkrete, siç është dituria, veprimi, lutja, etj., përmes së cilave besimtari mund t’a arrijë begatinë nga Allahu por me kusht që ato veprime të jenë në përputhje me Praktikën islame dhe të mos ekzistojë ndonjë pengesë në atë rrugë.
Sa i përket begatisë dhe bereqetit në ngrënie duke e përmendur emrin e Allahut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:
– “Mblidhuni rreth ushqimit dhe përmendni emrin e Allahut që të begatoheni në të”. (Ahmedi, Ebu Daudi).
– “Bereqeti zbret në mesin e ushqimit. Hani në anët e tij e mos hani në mesin e tij”. (Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxhja).
– “Mateni ushqimin (të ngrënit me masë) që të begatoheni në të . “ (Buhariu).
Sipas islamit ekzistojnë disa kohë të caktuara për arritjen e bereqetit, ndërsa më e theksuar është koha gjatë muajit Ramazan. Natyrisht, kërkimi i bereqetit nga Allahu në këto kohë arrihet duke ndjekur udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem).
Shkenca bashkëkohore arriti të argumentojë shumë dobi për organizmin e njeriut të cilat vijnë nga agjërimi, e të cilat do të konsideroheshin si asgjë tjetër por vetëm si begati dhe bereqet nga Krijuesi.
Pra, shkenca e sotme ka zbuluar se agjërimi forcon sistemin imunitar tek agjëruesi, për t’u bërë ballë shumë sëmundjeve, ndërsa ne do të veçojmë:
–          Agjërimi është një adhurim i veçantë tek Allahu i Lartësuar.
–          Agjërimi kryen funksionin e kirurgut duke eliminuar qelizat e shkatërruara e të dobëta prej trupit. Uria që shoqëron agjërimin vë në lëvizje aparatet e brendshme të trupit duke konsumuar qelizat e dobëta për të përballur këtë uri, kështu që trupit i jepet rasti i volitshëm të rikthejë gjallërinë dhe aktivitetin e tij. Gjithashtu, agjërimi është mbrojtje për trupin prej shumë tepricave të dëmshme si për shembull: gurët, shtesat e mishit, gjëndrat dhjamore, madje edhe vetë plagët në fillimin e formimit të tyre.
–          Agjërimi është i dobishëm në kurimin e sëmundjeve të lëkurës pasi ai pakëson përqindjen e ujit në gjak.
–          Agjërimi ka ndikim të madh në mbrojtjen prej trombozës së zemrës dhe trurit. Shumë studiues shkencorë e mjekësorë kanë vërtetuar se agjërimi zvogëlon përqindjen e yndyrave në trup, duke zvogëluar kështu kolesterolin.
–          Agjërimi është një rast i mirë për të zvogëluar përqindjen e sheqerit në gjak në pikën më të ulët të tij. Ai i jep gjëndrave të pankreasit një rast të mirë për pushim, sepse detyra e tij është të prodhojë insulinë, e cila e shndërron sheqerin në yndyra që depozitohen në inde.
–          Agjërimi ka një vlerë të madhe për shumë sëmundje të zemrës, pasi 10 për qind e gjakut të pompuar nga zemra shkon në aparatin tretës gjatë procesit të tretjes. Kjo sasi zvogëlohet gjatë agjërimit, sepse nuk kemi proces tretjeje gjatë ditës. Kjo do të thotë më pak lodhje dhe më shumë qetësi për muskujt e zemrës.
–          Agjërimi ndihmon në kurimin e tensionit të lartë të gjakut, sepse ulja e peshës që shoqëron agjërimin, ul gjithashtu edhe tensionin e gjakut në mënyrë të dukshme, si edhe lëvizjet fizike në namazin e teravisë ndihmojnë në uljen e tensionit të gjakut. D. Shahid Et’har në një hulumtim të botuar në revistën amerikane “Jirir” përcakton se personi gjatë namazit të teravisë konsumon 200 kalori. Kështu, nëse agjëruesi i përmbahet një ushqimi normal, duke evituar teprimin në yndyra dhe sheqerna, do të gjejë tek Ramazani mbrojtje për zemrën e tij dhe kurim për sëmundjen e saj. Bereqet i papërshkruar, apo jo!
“Agjëroni që të jeni të shëndoshë”. (Hadith).