Rasti i policit maqedonas Joakim Trifunovski është rasti i parë që një maqedonas të dënohet me burg të përjetshëm, vepër e kryer ndaj dy shqiptarëve të vrarë nga Gostivari, Besnik Shehapi dhe Imran Memeti.
Evidente deri më tani ishte që për vepra të këtilla të ndëshkohen vetëm shqiptarë, një gjë e njohur mirë për opinionin.
Drejtësia me këtë rast doli në shesh dhe gjyqësia tregoi se ata në vete janë të pavarura. Edhe avokati Vullnet Paçuku është shprehur i kënaqur nga vendimi i Gjykatës themelore në Gostivar ku polici Josifivski është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e dy të rinjve shqiptarë nga ky qytet.
”Konsideroj se është një vendim i drejtë ku janë marrë parasysh të gjitha faktet nga të cilat konstatohet se vrasja e të rinjve nga Gostivari është bërë me paramendim nga ana e policit. Drejtësia kësaj radhe doli në shesh dhe organet e gjyqësisë treguan se janë të pavarura dhe veprojnë në bazë të fakteve dhe argumenteve”, theksoi avokati Vullnet Paçuku.
Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtor Trifunovskin me akuzën “vrasje me paramendim” dhe “rrezik i përgjitshëm”, dy vepra të ngritura kundër tij.
Mitko Sollakov, avokat i të pandehurit ishte ankuar se dënimi i shqiptuar është i madh dhe ka paralajmëruar ankesë. “Nuk janë marrë parasysh më shumë argumentet. Konsideroj se në këtë rast bëhet fjalë për mbrojtje të domosdoshme, ndërsa jo vepër për të cilën gjykata e ngarkon atë”, ka qenë prononcimi i avokatit Sollakov.
Vrasja e dyfishtë ndodhi më 28 shkurt në Gostivar, kur Trifunovski i cili nuk ka qenë në detyrë, me revolen zyrtare ekzekutoi për vdekje Besnik Shehapin dhe Imran Memetin. Sherri banal për parkimin e makinës, ka qenë motivi që polici të qëllojë për vdekje me armën zyrtare dy të rinjtë shqiptarë, ndërsa ngjarja asokohe shkaktoi hidhërim dhe protesta të banorëve shqiptarë të Gostivarit.
Categories