Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) dënon ashpër dhunën e manifestuar policore ndaj qytetarëve shqiptarë gjatë protestës së djeshme në qytetin e Shkupit, të mbajtur kundër dënimeve me burgim të përjetshëm për gjashtë qytetarët shqiptarë, të shpallura në procesin gjyqësor “Monstra”.
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) nuk i arsyeton dhe i dënon veprimet e pahijshme dhe sjelljen e dhunshme të disa individëve brenda mijëra protestuesve të qetë, të cilët me veprën e tyre e dëmtuan dhe devijuan qëllimin parësor të kësaj proteste paqësore, por kjo nuk justifikon në asnjë mënyrë veprimin e dhunshëm të policisë nëpër rrugët e Shkupit dhe lagjet shqiptare, forcën e përdorur me këtë rast dhe frikën e tmerrin që ajo mbolli nëpër vendbanimet shqiptare.
QMBI kërkon nga institucionet shtetërore dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të rishqyrtojnë veprimet e tyre dhe të ndalin sjelljet përbuzëse ndaj qytetarëve shqiptarë, sepse edhe ata janë pjesë e pandarë e këtij vendi.
Po ashtu, kërkojmë nga faktori politik shqiptar pjesëmarrës në Qeveri që ta marrë shumë seriozisht gjendjen e krijuar dhe ta mbrojë popullatën e pafajshme nga dhuna policore. Veprimi i tyre duhet të dalë edhe jashtë korridoreve qeveritare e parlamentare, në terren, nëpër rruge e lagje, aty ku kërkohet dhe merret vota e qytetarëve gjatë proceseve zgjedhore.
Sektori për Marrëdhënie Publike