Categories
Lajme FRI

Reagim i QMBI në lidhje me shpalljen e aktgjykimit për rastin “Monstra”

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) shpreh shqetësimin e vet në lidhje me vendimin e gjykatës për të dënuar me burg të përjetshëm të akuzuarit për rastin “Monstra”, proces ky i cili që nga fillimi u shoqërua me një varg shkeljesh të drejtave të njeriut dhe me thyerjen e parimit të vendosur juridik të prezumimit të pafajësisë, nga ana e vet zyrtarëve të lartë shtetërorë.
U deshën të kalojnë më shumë se dy vjet dhe prokuroria sërish të mos arrijë të bëjë një paraqitje bindëse të dëshmive kundër të akuzuarve shqiptarë, për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë të Shkupit, përkundrazi, të ofrojë disa “argumente” të cilat në asnjë shtet normal nuk mund të llogariten si provë e vërtetësisë së një akti të kryer të këtij lloji.
Në të vërtetë, ky vendim i gjykatës edhe më shumë përforcon bindjen tanimë të fituar, se në Republikën e Maqedonisë kemi të bëjmë me një gjyqësi skajshmërisht të politizuar, e cila assesi të lirohet nga kthetrat e politikës ditore dhe ndikimet politike. Fitohet përshtypja se gjykata nuk po arrin që vendimet e veta t’i bazojë në prova të mirëfillta dhe dëshmi të paluhatshme, gjë kjo e manifestuar në një sërë procese të kohëve të fundit. Në këtë mënyrë, gjithnjë e më shumë po humb besimi edhe ashtu i vogël i qytetarëve, posaçërisht atyre shqiptarë, në institucionet e shtetit.
QMBI, megjithatë, shpreson për një korrigjim të gjërave në nivel të Gjykatës së Apelit, e cila do të duhet të merret seriozisht më lëndën dhe mungesën e provave dhe dëshmive të qarta, larg çfarëdo presioni politik që mund të ushtrohet mbi të, për të gjykuar drejtë dhe në bazë të fakteve dhe provave materiale, e jo ngarkesave nacionaliste ose religjioze të individëve të caktuar, duke i kthyer kështu në njëfarë mënyrë dinjitetin gjyqësisë.
Në të kundërtën, mbetet alternativa e vetme që drejtësia të kërkohet në Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut në Strazbur.
 
 
Sektori për Marrëdhënie Publike

Exit mobile version