Categories
Lajme Lajme FRI

Reagim i shoqatave dhe sektoreve të grave në Maqedoni

Shoqatat dhe sektoret e grave që veprojnë në Maqedoni kanë rreaguar lidhur me zhvillimet e fundit në vend.
‘’Ne, shoqatat e poshtë nënshkruara të femrave, si dhe sektorët e femrave të shoqatave përkatëse, përmes kësaj letre, dëshirojmë të japim ndihmesën tonë përkitazi me zhvillimet e fundit në vend, pas vrasjes së të riut në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit dhe protestave që dëmtuan dhjetëra prona private të qytetarëve tanë në këtë lagje.
Duke u nisur nga parimet më universale se vrasja e një njeriu është si vrasja e tërë njerëzimit dhe shpëtimi i jetës së një njeriu është si shpëtimi i gjithë njerëzimit, ne e gjykojmë ashpër vrasjen e djaloshit të ri dhe kërkojmë nga organet e rendit dhe ato të drejtësisë që ta zbardhin rastin ashtu si duhet dhe drejtësia të shkojë në vend. Pas kësaj ngjarje, dëshirojmë që organet e rendit dhe të drejtësisë të dëshmojnë se vrasësit nuk kanë etni e religjion, porse identiteti i tyre është vetëm në bazë të veprës së kryer. Në fakt, organet e rendit, në bazë të detyrimeve të tyre kushtetuese, duhet të veprojnë njësoj dhe me drejtësinë më të madhe edhe ndaj atyre që, duke e shfrytëzuar këtë fatkeqësi, prodhuan vandalizëm dhe dëmtuan shumë prona private në këtë pjesë të qytetit.
Në këtë drejtim, zëri ynë u drejtohet edhe të gjithë qytetarëve të vendit tonë, që mos të lejojnë të bëhen pre e ndikimeve të ndryshme. Ne të gjithë jemi qytetarë të Republikës së Maqedonisë dhe të gjithë jemi të detyruar të kujdesemi që mos të rrënohet baraspesha e marrëdhënieve ndëretnike në vend, sepse nga një dëmtim i tillë humbim të gjithë, ndërsa vendi – që tanimë është nisur drejt integrimeve euro-atlantike – mund të kthehet përsëri në vatër të krizës dhe të problemeve, të cilën situatë me shumë mund e sakrifica mezi e tejkaluam.
Duke dashur që incidentet e këtilla të parandalohen dhe të mos ndodhin më në të ardhmen, përmes kësaj letre u bëjmë thirrje edhe të gjithë prindërve që të kenë më shumë kujdes për fëmijët e tyre, sepse mosha rinore është mjaft e ndjeshme ndaj provokimeve, që sjellin edhe pasoja kaq të dhimbshme. Natyrisht, thirrja jonë u drejtohet edhe nxënësve dhe studentëve, që me përkushtimin e tyre ndaj shkollës dhe arsimit, të dëshmojnë se janë për ndërtimin e një vendi që do të jetë shembull për tolerancën dhe bashkëjetesën në rajon dhe më gjerë.
Apeli ynë i fundit është, që të kujdesemi për të gjithë të tjerët sikur për veten tonë. Vrasja e një të riu të pafajshëm sot ose djegia e një dyqani të një pronari po ashtu të pafajshëm, duhet të na shërbejë si mësim se sa shpejt mund të ndizet zjarri i urrejtjes dhe konfliktit ndëretnik. Për këtë arsye, bëjmë thirrje që në këto ditë të dhimbjes, të mbizotërojë zëri i arsyes dhe gjakftohtësia, duke mos lejuar në asnjë mënyrë që për veprën e një krimineli që vret ose djeg, ta vrasim dhe djegim të ardhmen e vendit tonë’’
Shoqatat e Grave;
Asociacioni per Afirmimin e Gruas – Shkup
Edu Nisa – Shkup
Ensar – Shkup
Islami dhe Shkenca -Tetovë
Sektori i femrës pranë Sh.Q.Forumit Rinor Islam – Shkup
Sektori i femrës pranë Sh.Q.Vizioni M – Shkup
Sektori i femres pranë Sh.Q.Merhamet – Shkup
Sh.Q.Kopry – Shkup
 
 
 
 

Exit mobile version