Categories
Lajme FRI Shkolla Verore

REALIZOHET DITA E DYTË E SHKOLLËS VERORE NË SHKUP

Më 29 qershor 2025, u zhvillua me sukses dita e dytë e Shkollës Verore në Shkup, e cila solli tri ligjërata me theks në sfidat e rinisë në epokën moderne dhe rëndësinë e vlerave shpirtërore për një jetë të ekuilibruar dhe të lumtur.
Dita nisi me ligjëratën e psikologes Edina Mici Ademi me temën “Ndikimi i rrjeteve sociale në vetëvlerësimin e të rinjve”. Ajo analizoi ndikimin që kanë rrjetet sociale në perceptimin e vetvetes dhe të tjerëve, duke veçuar presionin për përsosmëri dhe krahasimet që shpesh çojnë në pasiguri emocionale. Gjatë ligjëratës, ajo organizoi edhe një ushtrim interaktiv, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të reflektojnë për vlerësimin e vetes. Në përfundim, u shpërndanë broshura dhe ushtrime për reflektim personal në shtëpi.
Në vijim, hoxha Mevlan Abazi mbajti një ligjëratë me temën “Islami dhe modestia në epokën dixhitale”. Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së modestisë në një shoqëri gjithnjë më të ekspozuar, duke e paraqitur atë si një virtyt që përfshin jo vetëm paraqitjen e jashtme, por edhe sjelljen, komunikimin dhe përulësinë e brendshme. Ai ndau këshilla praktike për të rinjtë për të jetuar me dinjitet në kohën digjitale.
Pas një pauze të shkurtër, u mbajt ligjërata përmbyllëse: për nxënësit foli teologia Esma Sherifi Kurti, ndërsa për studentët hoxhë Hasan Baftijari. Tema e përbashkët ishte “Kuptimi i jetës dhe arritja e lumturisë së qëndrueshme”. Të dy ligjëruesit theksuan rëndësinë e të jetuarit me qëllim dhe vlera, duke nxitur pjesëmarrësit të reflektojnë përmes një ushtrimi praktik mbi jetën me vetëdije dhe synim.
Në fund të ditës, me mbështetjen e Shtëpisë Botuese “Furkan ISM”, pjesëmarrësve iu dhurua libri “Nga shpella drejt arshit” i autorit Nuredin Jelldez – një dhuratë për të thelluar më tej reflektimin dhe përvojën e tyre.
Gjithashtu, gjatë të dy ditëve të para të programit, nxënësit plotësuan një pyetësor për të dhënë përshtypjet dhe përvojat e tyre nga pjesëmarrja, duke kontribuar në përmirësimin e edicioneve të ardhshme.
Shkup, 29 qershor 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version