Në hapësirat e restorantit “Elegant” në Opajë të Komunës së Likovës, u organizua një iftar i përbashkët nga Forumi Rinor Islam – Dega Kumanovë, dhe Komuna e Likovës. Të ftuar ishin udhëheqës të Komunës së Likovës, udhëheqës të Forumit Rinor Islam në nivel qendror, anëtarë dhe aktivistë të Forumit Rinor Islam, familje të dëshmorëve e martirëve, invalidë të luftës, imamë të xhamive, donatorë të shumtë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, bashkëpunëtorë, miq dhe dashamirë.
Pas ngrënies së iftarit, Hoxhë Azir Avdiu përcolli një mesazh të shkurtër në lidhje me begatitë e Ramazanit dhe bëri duanë e bukës.
Programi u udhëhoq nga moderatori Arsim Jonuzi, i cili fillimisht i dha fjalën kryetarit të FRI-së, dega Kumanovë, Memedali Limani. Ky i fundit përshëndeti të pranishmit dhe shprehu mirënjohje për vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi tradicional.
Kryetari i Këshillit të Komunës së Likovës, Zekirija Shaini, mori fjalën më pas, duke përshëndetur mysafirët, shprehur mirënjohje për organizimin dhe bërë thirrje për bashkëpunim e unitet gjatë këtij muaji dhe më tutje.
Programi u pasurua nga kënduesi i ilahive, Avni Nebiu, i cili krijoi një atmosferë festive me ilahi për Ramazanin dhe këngë patriotike.
I pranishëm në këtë iftar ishte edhe kryetari i Forumit Rinor Islam në nivel republikan, Abdulhamid Mustafa, i cili mbajti një fjalë përshëndetëse ndaj mysafirëve dhe bashkëpunëtorëve.
Programi u përmbyll me një fjalim përshëndetës nga kryetari i Komunës, Erkan Arifi, i cili gjithashtu ndau mirënjohje për bashkëpunimin me kryetarët e FRI-së në nivel republikan dhe lokal.
Kumanovë, 14 mars 2025