Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Rektori, Prof.dr.Vullnet Ameti, realizoi një takim me studentët që kanë shënuar suksese të larta gjatë studimeve, në të gjithë fakultetet e USHT-së.
Në këtë takim, ku ishte i pranishëm edhe Sekretari i përgjithshëm i USHT-së, Jur. dipl. Adem  Beadini, u bisedua për zhvillimet më të reja në Universitet, procesin mësimor-shkencor dhe të arriturat që ka shënuar së fundi ky institucion i arsimit të lartë në gjuhën shqipe.
“Sukseset tuaja që keni arritur, përkushtimi për të fituar dije në lëmin e shkencës dhe kulturës paraqet nder dhe sukses edhe për Universitetin tonë, dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë ta ngremë këtë institucion në nivelin e universiteteve prestigjioze”, tha me këtë rast Rektori i USHT-së, Prof.dr.Vullnet Ameti.
Po ashtu, në këtë bashkëbisedim me studentët, drejtuesit e USHT-së i njohën studentët me vendimet e organeve të USHT-së për t’i mbështetur këta studentë që kanë arritur mesatare të lartë gjatë studimeve.
Rektori, Prof.dr.Vullnet Ameti ritheksoi edhe njëherë vendimin që ka miratuar Senati i USHT-së, kohë më parë, për ndihmën që do t’ua jep Universiteti kësaj kategorie të studentëve edhe më tej, për vazhdimin e studimeve dhe punësim.
Kam vlerësuar se përkushtimi dhe suksesi Juaj, duhet të shpërblehet, dhe në këtë mënyrë ne do t’i motivojmë edhe studentët tjerë që të angazhohen më shumë, dhe pikërisht për këtë qëllim, kohë më parë i propozova Senatit të USHT-së, që:
-Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare të suksesit gjatë studimeve, 9.5 e më lartë, do të lirohen nga pagesa e participimit, respektivisht pagesa e semestrave;
-Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare të suksesit gjatë studimeve, 9.8 e më lartë, që i kanë kryer studimet, mund t’i regjistrojnë studimet e ciklit të dytë pa pagesë;
-Studentëve të studimeve deridiplomike, me mesatare 10.00, Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’u ndajë bursa studimi jashtë shtetit dhe në të ardhmen do t’u mundësojë të jenë pjesë e stafit akademik të Universitetit, u shpreh Rektori, Prof.dr.Vullnet Ameti dhe potencoi se pas miratimit të këtyre propozim vendimeve, tani kemi kaluar në fazën e implementimit të këtij vendimi të rëndësishëm që janë në funksion  të inkurajimit  të studimeve në ciklet tjera të studimeve dhe në punës kërkimore-shkencore”.
Studentët pjesëmarrës, në takimin e sotëm me Rektorin u interesuan për mundësinë e përfitimit të bursave studimore edhe nga institucionet tjera shtetërore, me theks të veçantë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për kryerjen e praktikës profesionale në ndërmarrje të ndryshme me të cilat USHT tashmë ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim, si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me instalimin e teknologjisë digjitale dhe shërbimeve të tjera elektronike për nevojat e studentëve të USHT-së.
Vlen të theksohet, se ky grup studentësh, ditë më parë realizoi një takim pune edhe me kryetarin e RM-së, Gjorge Ivanov, ku diskutuan për nevojat dhe problemet e tyre gjatë procesit mësimor, si dhe mundësitë për rritjen e kualitetit dhe nivelit arsimor në vend.