Bie kupola 8 vjeçare e Policisë së Shtetit. Në vend të tyre rikthehen ish-policët që rivendosën rendin pas ngjarjeve të 97-ës, kur PS erdhi në pushtet Ndryshe nga sa pritej, ish-drejtuesit e lartë të Policisë janë pozicionuar në vende strategjike, ndërsa Hysni Burgaj që drejtoi policinë e shtetit për katër vite, spostohet në krye të Akademisë së Policisë.
Në vendin e tij, vjen Artan Didi, komisari që në kohën kur u largua, drejtonte repartin special RENEA. Ndërsa dy emrat që u vendosën në dy sektorët më të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, janë oficerë karriere. Rikthim i bujshëm i Sokol Bizhgës, njeriut që u gjend protagonist në një sërë ngjarjesh, ndërsa bandat kriminale sundonin vendin. Sokol Bizhga vihet në vendin e Agron Kuliçajt, drejtorit të hetimit të Krimit të Organizuar, emri i të cilit nuk gjendet në listën e gjatë të kolegëve të tij në riemërimet e reja. I dyti është Altin Qato, i cili pas drejtimit të Policisë së Beratit dhe të Shkodrës ngjitet në postin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, si i “mbijetuar” nga emrat që u ricikluan në 8 vitet e fundit në Polici.
Lëvizjet
Lëvizjet në polici nisën menjëherë sapo Saimir Tahiri mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Pas disa ndryshimeve të vogla, ku në fokus doli vetëm emri i Erzen Breçanit, furtuna preku Policinë Rrugore të Tiranës dhe postën policore të Mamurrasit. Dy netë më parë, ndërsa në Tiranë përgatitej një operacion policor, kryeministri Rama mbërrin në zyrën e Tahirit. Në takimin mes Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, pa praninë e medias, u ftuan edhe kryepolici i vendit Hysni Burgaj dhe ai i Tiranës, Bernard Çaushaj. I pari qëndroi disa minuta në takimin e orëve të vona, ndërsa nuk dijet se çfarë i diskutua mes tyre. Mesditën e djeshme, ndërsa Tahiri propozonte emrat e rinj që do të drejtonin drejtoritë e qarqeve dhe ofrimin e dy emrave për postet e zëv-Hysni Burgaj dha dorëheqjen. Ndërsa Burgaj kishte paraqitur dorëheqjen, vendi i ri për të ishte caktuar; drejtues i shkollës së policisë. Bashkë me të, në drejtim të Qendrës së Formimit Policor shkojnë 8 vartës të tij, ku spikat emri i ish-nëndrejtorit Muhamet Rrumbullaku. Ish-drejtues të uniformave në qarqe, si ai i Durrësit, Emri Vata, drejtor policisë në Berat, Muharrem Furriku, i Lezhës, Arben Hajdarmataj, si dhe katër ish-funksionar të lartë janë pozicionuar si specialistë në këtë qendër. Ndërkohë një pjesë e mirë e ish-drejtuesve të qarqeve janë dërguar te Sektori i Studimeve Strategjike. Ndërkaq vijnë në detyra të rëndësishme, ish-kryepolici i Shkodrës, Aleks Hajdari, në krye të sektorit të anti-trafiqeve në Policinë e Shtetit dhe Besnik Muçmataj në sektorin e Policisë Gjyqësore, në Drejtorinë e Posaçme, kurse Gentjan Shehaj do të drejtojë sektorin e Aseteve Kriminale.
Kryepolicët e rinj
Artan Didi, 50 vjeç, kthehet nga Amerika dhe do të drejtojë një prej institucioneve mbase më problematikë në vend. Është oficer me karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, startuar që në vitin 1992. Njeriu që drejtoi për një periudhë kohe RENEA-n, që drejtoi Rendin, në kohën kur në krye të dikasterit gjendej Igli Toska, që drejtoi komisariatin e Objekteve dhe në fund u degdis në Tropojë. Tashmë, ai rikthehet duke marrë gradën dhe pozicionin e Hysni Burgajt për të qenë në postin më të vëzhguar dhe më të prekshëm nga thuajse gjithë qytetarët. Në listën prej 12 kryepolicëve të rinj, bien në sy 5 rikthime, që të gjithë të larguar apo të përjashtuar nga qeveria Berisha. Disa prej drejtorive do t’i drejtojnë oficerë karriere që kanë vijuar të jenë në polici thuajse gjatë gjithë kohës. Ndërsa mjaft interesant është emërimi i një ish-oficeri karriere, i cili përgjatë periudhës së lirimit ka ushtruar punën e avokatit dhe tashmë do të drejtojë Policinë e Shkodrës. Ai është Shaban Nexhi, që ka zënë vendin e Aleks Hajdarit.
Basha: Shkarkime abuziv
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili ka qenë edhe ministër i Brendshëm, ka akuzuar qeverinë se po ndërmerr një valë shkarkimesh abuzive. “Shprehëm pikëpamjen tonë dhe vullnetin tonë për të ndalur një përpjekje të tillë të përkeqësimit të klimës politike në vend, sigurisht parë si pjesë e një tabloje të përgjithshme që po ravijëzohet dita ditës, edhe me lajmet e sotme, ku qeveria po sillet si një qeveri e zhbërjes, jo thjesht e mosqeverisjes, por e zhbërjes së gjithçkaje dhe e mohimit të gjithçkaje të arritur kjo parë edhe në kuadrin e mungesës së transparencës së emërimeve, shkarkimeve abuzive, emërimeve antiligjore të bëra apo të pritshme në ditën e sotme në organizata të rëndësishme të shtetit siç është Policia e Shtetit, bëhet pra një shqetësim shumë i madh”, tha Basha. Ky i fundit u shpreh se të gjithë shqiptarët kërkojnë që pavarësisht se për kë kanë votuar, në çdo rotacion apo tranzicion, Shqipëria të shënojë hapa përpara dhe jo hapa pas. /shekulli/
Categories