Sot në botën islame është në skenë rivaliteti i hapur në mes tri shteteve apo tri qendrave me ndikim jashtëzakonisht të madh në botën islame të cilët garojnë në mes vete për të marrë rolin udhëheqës në botën islame, e këto tri shtete janë Arabia Saudite, Turqia dhe Irani.
Arabia Saudite, pas krizës botërore të naftës në vitin 1973 për shkak të embargos që vuri në atë kohë mbreti Fejsal pas luftës arabo-izraelite, në saje të eksportit aktual më të madh të naftës në tregun botëror me 10 milion barel në ditë gjatë vitit 2013, u shndërrua në një fuqi rajonale me ndikim jo vetëm në botën arabe, por ndikimin e saj e zgjeroi edhe në botën islame. Në saje të përfitimit enorm nga shitja e naftës, vetëm gjatë vitit 2013 të ardhurat e saj llogariten në rreth 300 miliard dollar, në saje të petrodollarëve të fituara ka rrit influencën e saj jo vetëm në shtetet arabe në Gadishullin Arabik, por edhe në shtete tjera të botës ndikimi i saj politik është në rritje të sipër. Një shumë bukur të madhe është duke e shpenzuar për buxhetin e saj ushtarak dhe për armatimin e saj, kështu që gjatë vitit 2013 kaloi në vendin e katërt në botë, për shpenzimin në armatim, harxhoi 67 miliard dollar, pas ShBA-së, Kinës dhe Rusisë, dhe doli para Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Japonisë, Indisë, Koresë Jugore Turqisë. Edhe pse llogaritet së bashku me Turqinë dhe Izraelin aleat më të mëdhenj të SHBA-vë në Lindjen e Afërt, ajo përpiqet që nga njëra anë të largojë ndikimin e Turqisë në Lindjen e Afërt, dhe nga ana tjetër edhe ndikimin e Iranit sidomos në gjirin Persik, por edhe më tej. Edhe pse në rastin e konfliktit sirian janë rreshtuar në njërën anë me Turqinë, si përkrahës më të mëdhenj të opozitës siriane dhe grupeve të ndryshme kryengritëse të ardhur nga shtetet e ndryshme të botës për rrëzimin e regjimit të Bashar Assadit, e që për momentin duket se dështoi, pas zmbrapsjes amerikane pas paralajmërimit rus se do të mbrojë Sirinë, dhe arritjes së kompromisit në mes SHBA-së dhe Rusisë, për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Rivaliteti i hapur i Arabisë Saudite ndaj Turqisë u shpreh me rastin e puçit ushtarak në Egjipt, pas pranverës arabe, me ç’rast regjimi monark saudit u tremb se mos kjo do ta përfshijë edhe atë, dhe me të gjitha mjetet në dispozicion tani po përpiqet ta ruajë status quonë e tanishme aktuale në gadishullin arabik. Arabia Saudite jo vetëm që e përshëndeti rrëzimin e presidentit të parë të zgjedhur me vota të lira në Egjipt Muhamed Mursin, por ajo e shpërbleu diktaturën ushtarake të Sisit me ofrimin e 20 miliard dollarëve ndihmë të cilit ia dhanë së bashku me Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Arabia Saudite në politikë përdor standarde të dyfishta, gjersa në njërën anë përpiqet që me çdo mjet ta rrëzon pushtetin e Bashar Assadit në Siri, në anën tjetër përkrah regjimin ushtarak të Sisit në Egjipt i ardhur me grushtet ushtarak. Kjo më së miri tregon politikën e vërtet të regjimit mbretëror saudit i cili përpiqet me çdo veprim ta ruaj pushtetin i cili është i përqendruar i tëri në një familje të vetme saudite që nga themelimi i shtetit të Arabisë Saudite pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane.
Turqia pas ardhjes në pushtet të AKP-së dhe kryeministrit Erdogan në fund të vitit 2002, përjetoi një zhvillim të hovshëm ekonomik, një rritje të GDB-së në përmasa ndër më të mëdha në botë, ashtu që në fund të vitit 2012 eksporti i saj arriti shumën prej 120 miliard dollar në vit, që e bëri atë të hyjë në mesin e 20 ekonomive më të zhvilluara në botë. Në saje të zhvillimit të madh ekonomik Turqia po rrit edhe shpenzimet e saja buxhetore për armatim kështu që gjatë vitit 2013 shpenzoi 19 miliard dollar që e bëri atë edhe në këtë aspekt të jetë në mesin e 20 shteteve të botës që shpenzojnë më së shumti mjete financiare në armatim. Pritet së shpejti që Turqia të lidh një kontratë megalomane për blerjen e 100 avionëve luftarak F-35 me një kosto pagese prej 17 miliard dollar. Ky zhvillim i hovshëm ekonomik i Turqisë në shtigje afatgjate varet sa do të jetë i qëndrueshëm, pasi që e rëndon shumë situatën financiare të saj, pagesa e kredive dhe interesit të borxhit të saj të jashtëm i cili për momentin shënoi një rritje enorme, kështu që nga 130 miliard dollar që ishte në vitin 2003, në fillim të vitit 2014 borxhi i jashtëm i Turqisë u trefishua ku tani ka arritir në 390 miliard dollar.
Turqia gjatë kësaj dekade, nga viti 2003 e gjer në vitin 2013 përveç rritjes së influencës së saj në Ballkan, Kavkaz, Azinë e Mesme, u përpoq me të madhe që ketë influencë të zgjerojë edhe në botën arabe. Pas pranverës arabe, Turqia zgjeroi ndikimin e saj në botën arabe, e që hasi në kundërshtim të fortë nga rivalja e saj Arabia Saudite. Ajo ndihmoi dhe përkrahu revolucionet arabe duke ofruar modelin e saj qeverisës qeverive të shteteve të porsaformuara si produkt i pranverës arabe, një model i demokracisë islame i përafërt me modelin e demokracisë kristiane evropiane. Po kjo influencë e Turqisë për momentin u zmbraps nga rivalja e saj Arabia Saudite e cila për momentin në saje të petrodollarëve të saj arriti të ngadhënjejë në këtë betejë për momentin, por nuk do të thotë që në të ardhmen të jetë ashtu, pasi që politika është një maratonë afatgjatë gjatë së cilës mund të shfaqen të papriturat politike të ndryshme. Në rastin e konfliktit sirian për habi të madhe politike, Turqia dhe Arabia Saudite jo që nuk ishin rivale, por aleat të përbashkët të cilët më së shumti u përpoqën me të gjitha mjetet politike, diplomatike, logjistike, financiare, në pajisje dhe armatime, të ndihmojnë opozitën siriane dhe grupet të shumta kryengritëse kundër regjimit diktatorial të Bashar Assadit, por nuk po arrijnë dot për momentin të kenë sukses në rrëzimin e regjimit të Bashar Assadit.
Irani, gjer në vitin 1979, gjatë regjimit të shah Pahlavit, së bashku me Turqinë dhe Izraelin ishin aleat më të fortë të SHBA-së në rajonin e Lindjes së Afërt. Por pas ngadhënjimit të Revolucionit Islamik të udhëhequr nga imam Homeini në vitin 1979, ai me vete solli edhe ndryshimin e aleancave të gjeratëhershme, pasi që vendin e Iranit, tani e zuri Arabia Saudite, e cila u radhitë si aleate e SHBA-së, pas arritjes së paqes së Kemp Dejvidit në vitin 1977 në mes Egjiptit dhe Izraelit, e sidomos pas ngadhënjimit të Revolucionit Islamik në vitin 1979 në Iran. Arabia Saudite pas vitit 1979 e sheh Iranin si kërcënim më të madh për prishjen e balancës politike të gjer atëhershme në Gjirin Persik, sidomos në politikën e jashtme të Iranit të cilin e sheh si rival dhe armik kryesor i interesave të saja, në saje të rritjes së ndikimit dhe influencës së Iranit në botën islamike në përgjithësi, e sidomos në provincën shiite të saj. Irani në saje të diplomacisë në njërën anë, e sidomos pas shtetëzimit të resurseve të saj energjetike, të naftës dhe gasit , si resurse energjetike me rëndësi vitale për funksionimin dhe zhvillimin ekonomik dhe politik të Iranit në anën tjetër, tani në Lindjen e Afërt paraqet një forcë rajonale e cila dita më ditë po rrit influencën e saj politike dhe ushtarake. Irani në saje të resurseve të pasura shtetërore, naftës dhe gasit, arriti një zhvillim të hovshëm ekonomik, politik, teknologjik dhe ushtarak, sa që arriti në saje të kapaciteteve të t’ia të zhvilloj edhe programin e tij bërthamor, gjegjësit të bëjë pasurimin e uraniumit në shkallën 20%. Kjo shkaktoi një dridhje serioze në shtetet politike vendimmarrëse, të cilët për të parandaluar këtë trend të zhvillimit të Iranit, i vunë sanksione ekonomike dhe embargo në eksportin e naftës dhe gasit, plot një dekadë, e cila e bëri të veten, pas së cilës Irani bëri një kthesë radikale në politikë, sidomos pas zgjedhjes së presidentit të ri iranian Hasan Ruhani, i cili për dallim nga paraardhësi i tij Mahmut Ahmednexhad, doli me një ofertë të re politike paq dashess. Sanksionet ndikuan në stagnimin e ekonomisë së Iranit, kështu që nga 120 miliard dollar të realizuara nga eksporti i naftës dhe gasit, si pasojë e sanksioneve dhe embargos në vitin 2013 ra në 40 miliard dollar, që ishte një ulje trefishe e eksportit të tij nga shitja e naftës dhe gasit.
Irani plasoi ndërrimin e kursit të politikës së jashtme, duke u zotuar se nuk do të prodhojë bombë atomike dhe pasurimin e uraniumit nga 20% do të zbres në 5% për qëllime paqësore. Kjo politikë solli marrëveshjen e përkohshme në mes Iranit dhe G 5+1, pas së cilës janë duke vazhduar bisedimet për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për programin e tij bërthamore, gjegjësisht të pasurimit të uraniumit. Këtë marrëveshje të përkohshme të arritur në mes Iranit dhe G 5+ 1, përveç Izraelit dhe Arabisë Saudite të cilët e shohin Iranin si rival më të fortë qoftë politik apo ushtarak në rajonin e Lindjes së Afërt dhe Gjirit Persik.
Irani, sa i përket ndikimit dhe influencës në botën islame, mund të thuhet se arriti ta përvetësoj lidershipin e tij në provincën shiite të botës islame, sikurse në Iran, Irak, Liban, Bahrein, në Jemen, Arabinë Saudite, Azerbejxhan, por edhe në shtetet tjera arabe jashtë proviencës shiite sikurse në Siri, Gazë, Sudan etj.
Në përmbyllje të këtij vështrimi mund të konkludojë se bota e tanishme është duke ecur drejt krijimit të botës multipolare, ku tri shtetet më me ndikim për momentin dhe me një rritje dhe zhvillim të hovshëm në të gjitha fushat, qoftë ekonomike, politike, energjetike, teknologjike, ushtarake, SHBA-ja, Rusia dhe Kina dita më ditë po përpiqen jo vetëm që të mbajnë influencën dhe ndikimet e gjer tanishme që i kanë, por edhe të zgjerojnë edhe në shtetet apo zonat tjera gjeostrategjike dhe energjetike në botë. Njashtu edhe këto tri shtete të botës islame, Arabia Saudite, Turqia dhe Irani janë duke ecur drejt krijimit të botës multipolare islame, në të cilin dita më ditë përpiqen dhe bëjnë gara në mes vete, të zgjerojnë ndikimin dhe influencën e tyre drejt shteteve dhe rajoneve të caktuara islame, duke marrë parasysh rritjen e zhvillimit të tyre ekonomik, energjetik, teknologjik, ushtarak, etj.
Categories