Një shqiptar i papunë, rreth të 50-ve, i martuar, baba i tre fëmijëve studentë, i ka vënë zjarrin vetes si pasojë e kushteve të vështira ekonomike.
Ngjarja ka ndodhur në Saltara, ku prej shumë kohësh Hysni Daci jetonte bashkë me familjen e tij. Siç bëjnë të ditur mediat italiane, shqiptari ishte pushuar nga puna para një viti, si rezultat i një shkurtimi të stafit në vendin ku ishte i punësuar. Kjo ia ka rënduar së tepërmi gjendjen psikologjike, aq sa e ka çuar në aktin e vetëvrasjes dy herë. Mediat italiane bëjnë të ditur se shqiptari kishte tentuar të vriste veten edhe dimrin e kaluar.
Dje pasdite, 50-vjeçari ka përsëritur aktin ekstrem. Ai ka parkuar makinën në një rrugë kryesore në Barchi, ka dalë nga makina dhe në një park spërkati veten me benzinë dhe ka vënë zjarrin vetes. Disa dëshmitarë në vendin e ngjarjes u përpoqën të shuajnë flakët me ujë, por pasi shqiptari u transportua në spital, ishte me 90 për qind djegie në trup dhe aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Nga të dhënat paraprake, mësohet se shkak për veprimin ekstrem, ka qenë gjendja e rënde psikologjike si pasojë e vështirësive ekonomike.
Categories