Kristiano Ronaldo merr për dore Portugalinë drejt Kupës së Botës 2014, ndërsa një biletë për në Brazil kanë siguruar edhe Franca, Kroacia e Greqia.
Pritej të ishte përballja më spektakolare e playoff-it evropian dhe e tillë rezultoi: Suedia e Ibrahimoviçit dhe Portugalia e Ronaldos dhurojnë 90 minuta emocionuese në “Friends Arena” të Solnas. Buzëqeshin portugezët, të udhëhequr nga një Kristiano Ronaldo i papërmbajtshëm, autor i të tre golave në fitoren 3-2 në ndeshjen e kthimit pasi e pat shënuar edhe golin e suksesit 1-0 në sfidën e katër ditëve më parë. Pas një pjese të parë pa gola, ylli i Realit kalon përpara portugezët në minutën e 50-të. Por vendasit kundërpërgjigjen me dy gola të shpejtë të Ibrës (68’, 72’), duke i dhënë udhë ëndrrës për në Brazil. Megjithatë, shpresat e Suedisë shuhen nga “CR7”-a, i cili plotëson kryeveprën e vet në minutat 77’ dhe 79’. Me tripletën e sotme Ronaldo barazon Pauletën si shënuesi më i mirë i kombëtares portugeze, me 47 gola në 109 ndeshje. Ibrahimoviçi duhet ta ndjekë nga televizori Botërorin dhe do të jetë mungesa e madhe e turneut të verës së ardhshme.
Festë edhe për Francën, që siguron kualifikimin pasi përmbys disfatën 2-0 të katër ditëve më parë kundër Ukrainës. Përfundon 3-0 në “Stade de France”, falë golave të Sakhos dhe Benzemasë në pjesën e parë (22’, 34’) dhe autogolit të Gusevit në të 72-ën. Për “Gjelat” kjo është pjesëmarrja e 15-të në një Kupë Bote.
Asnjë surprizë, ndërkaq, në dy përballjet e tjera: Kroacia mposht 2-0 Islandën dhe shkon në Brazil pas barazimit pa gola në ishull katër ditë më parë (Mandzukiç 27’ dhe Srna 47’ autorët e golave), kurse Greqisë i mjafton barazimi 1-1 në Rumani për ta siguruar vendin në Botëror falë fitores 3-1 në sfidën e vajtjes. Sërish Mitroglu shënoi për grekët, kurse autogoli spektakolar i Torosidisit vulosi barazimin përfundimtar.
Në këtë mënyrë shkon në 30 numri i kombëtareve që tashmë e kanë siguruar zyrtarisht pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror, ndërsa të mërkurën pritet t’u bashkohen edhe Meksika e Uruguai.
/Start/E.B/
EDITOR
11 years ago
previous article
Maher Zain mbledh rreth pesë milionë dollar për fëmijët sirianë
next article
Shtohen rastet e abuzimit ndaj fëmijëve
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
6 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
6 hours ago