Nga Britania e Madhe erdhi në Koshare për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Jon Harrison, i dekoruar me urdhrin Adem Jashari, 15 vjet pas luftës, rrëfen për emisionin Info Magazine arsyet pse iu bashkëngjit UÇK-së, si i pari ushtar i huaj që e bëri një gjë të tillë në Koshare.
Harrison gjatë kësaj interviste flet edhe për ndasitë që i pa në UÇK-në dhe përpjekjet e tij për ta mbajtur politikën larg prej fushëbetejës.
Oficeri i pensionuar flet për Agim Ramadanin, Sali Çekajn, Anton Çunin e Rrustem Berishën.
Britaniku i diagnostifikuar me kancer, rrëfen për qasjen që e kishte familja e tij, karshi luftës që ai iu bashkua për qëllime idealiste.
Historinë e tij me UCK-në në Koshare, Harrison e tregoi në një rrëfim ekskluziv për emisionin Info Magazine.
Në vazhdim mund ta lexoni intervistën e tij të plotë.
Mirë se erdhe në studion tonë, Jon.
Jon Harrison -Ju faleminderit shumë.
Si vendosët të bëheni pjesëtar i UÇK-së.
Jon Harrison -Kjo ka qenë e lehtë për mua. U përpoqa disa herë të vija në Kosovë, para vitit 1999. Unë rashë në kontakt me Bajram Gecajn, dhe pas afro tre ditësh, unë arrita në Tiranë. Arsyeja pse erdha… unë gjërat i shikoja nga perspektiva ime psikologjike. Unë kam lindur në liri. Dhe, pse unë mos t’i ndihmoj dikujt, i cili e kërkon këtë liri.
Pra, kjo ishte arsyeja e juaj t’i bashkoheni UÇK-së.
Jon Harrison -Po, pikërisht.
Keni ditur më parë për shqiptarët, për Kosovën…
Jon Harrison -Kam ditur shumë pak për këto, dhe i kam pyetur shokët e mi në Kroaci, por, në mendjen time, ky vendim erdhi shumë lehtë.
Duket pak e çuditshme të shpjegohet kjo dhe t’ju tregohet njerëzve, se një burrë anglez vije këtu dhe lufton për lirinë tënde. Mendoj, jo vetëm anglezë por edhe gjermanë…
Jon Harrison -Po, kishte shumë të huaj të cilët donin të vinin këtu. Mbase është e çuditshme, por, për mua… sepse unë kam marrë pjesë në luftë edhe në Kroaci dhe Bosnje. E dija që i njihja taktikat luftarake të serbëve, dhe se mund të ndihmoja, dhe kjo ishte e tëra. Doja të ndihmoja! Unë kisha një punë të mirë në Angli, i shita gjithë çfarë kisha, dhe erdha në Kosovë.
Erdhët në Kosovë në vitin 1998 apo në vitin 1999?
Jon Harrison –Në vitin 1999.
Pra, erdhët në Kosovë, dhe iu bashkuat Brigadës 138, në Koshare!
Jon Harrison –Po, pikërisht ashtu. Fillimisht isha dërguar ta ushtroja grupin “Delta”, nën komandën e Anton Çunit, dhe ky ishte udhëzimi im i parë, t’i ushtoja njerëzit, kështu që kur ata të shkonin në front, të dinin se çfarë i pret atje, si në aspektin fizik, ashtu edhe atë psikik.
Pra, ju punuat me Anton Çunin, dhe me kë tjetër?
Jon Harrison –Me Anton Çunin dhe Komandantin e brigadës Rrustem Berishës.
Mund të na e tregoni ndonjë ndodhi interesante nga viti 1999, dhe kohën e kaluar në Koshare.
Jon Harrison –Po. Kur erdha për herë të parë aty, ishte një grup rekrutësh, tanimë duke u stërvitur, dhe më thanë t’i merrja përsipër ata… dhe zbulova se ishte vetëm një person i cili dinte të fliste anglisht…
Cili ishte ai burrë?
Jon Harrison – Ai ishte Sami Gecaj, dhe i cili u bë për mua më shumë se një shok. Ai u bë vëllai im. E çmoja më shumë se vëllain tim. Ai i përkthente të gjitha urdhrat… dhe atyre djemve, ju dukej shumë e çuditshme sesi një anglez ju bërtiste atyre… dhe mendonin… athua, çfarë kemi bërë ne? Them se dy ditët e para, çdonjëri në atë stërvitje ishte pak i tronditur, sepse unë e ngrita nivelin e ushtrimit, nga ky nivel, në këtë më lartë, dhe them se ata janë kënaqur aty, sepse edhe mësuan diçka.
Sa gjatë qëndruat në Koshare?
Jon Harrison –Përafërsisht 2 muaj e gjysmë. Kishim edhe çaste të hareshme aty, gjithashtu. Njëra nga ngjarjet më të qesharake që patëm aty ishte… Kishim një poligon aty ku qëndronim, në fshatin Popaj, i cili shkonte rreth 400 metra lartë kodrës, dhe unë i dërgova rekrutët lartë në maje të kodrës, dhe ju thashë: Ajo që kërkoj nga ju, është të tërhiqeni në mënyrë taktike, ashtu siç ishin trajnuar, drejtë meje. Por, unë s’ju kisha treguar atyre, që do të gjuaja me armë mbi kokat e tyre, që ata të mësoheshin me zhurmën e plumbave mbi kokat e tyre. E dhashë urdhrin të niseshin, ata u nisën drejtë meje, dhe unë fillova të gjuaja nga arma, dhe një djalosh, u përplas për toke. U ktheva nga Samiu dhe i thashë: Sami, më duket se e qëllova atë. Zoti më ndihmoftë, mendoj se e qëllova… Sami më ndihmo! Ai djaloshi qëndroi i shtrirë në tokë për rreth 10 sekonda, dhe përnjëherë u ngrit, dhe vazhdoi të vraponte. Në ata çast, armën e vura në nivelin automatik, dhe vazhdova të qëlloj. Ky ishte mbase çasti më qesharak dhe njëkohësisht më i frikshëm që pata.
Pra, ju ishit aty vetëm si instruktor, apo morët pjesë edhe në beteja kundër ushtrisë dhe milicisë serbe?
Jon Harrison –Unë isha i gatshëm të merrja pjesë edhe në beteja, pa asnjë problem, por, komandanti Çuni, kërkonte që unë t’i stërvitja ushtarët, dhe kjo ishte gjëja kryesore. Po të shfaqej nevoja, ne do të shërbenim si forca rezervë të veprimit të shpejtë, dhe do të shkonim në ndihmë, por ai kërkonte që unë kryesisht t’i stërvitja ushtarët.
Pra, nuk morët pjesë në beteja.
Jon Harrison –Fatkeqësisht, jo.
Ishit ju i vetmi ushtar i huaj atje, në Koshare?
Jon Harrison –Po. Në Koshare, po.
Nuk kishte aty pra, të huaj!
Jon Harrison –Ishin disa të huaj, të cilët erdhën dhe thoshin se vinin nga njësitet speciale dhe përpiqeshin të më tregonin mua se kishin bërë çdo gjë.
Nga cilat shtete?
Jon Harrison –Kishim disa nga Gjermania, nga Spanja, nga Franca, ishte njëri nga Italia. Erdhën në orën 9 në mëngjes dhe unë ju thashë se do të ushtroja pak me ta, të shihja se sa janë të aftë, por, në orën 12, në mesditë, të gjithë kërkuan të ktheheshin në shtëpi. Dhe të gjithë u kthyen në shtëpi. Ishin edhe dy francez, të cilët erdhën tek ne, dhe fatkeqësisht njëri u vra në Koshare, ndërkaq tjetri u plagos, dhe iu desh të kthehej në Bosnje, aty ku ai jetonte.
Cili ishte motivi i tyre të merrnin pjesë në betejë, apo në luftë.
Jon Harrison –Ai i cili u vra, them se donte ta bënte për shkak të tundimit. Ai tjetri, i cili u plagos, kishte marrë pjesë në armatën e Kroacisë gjithashtu, dhe ai erdhi për motivin e njëjtë, për të cilin isha edhe unë aty.
Cilat janë lidhjet tuaja me shqiptarët, nga ajo kohë.
Jon Harrison –Është një miqësi e thjeshtë, më gjithë ata të cilët unë i kisha stërvitur, të gjithë ata nga brigada, dhe natyrisht me Samiun, dhe unë thjeshtë vij këtu për pushime, që t’i takoj ata.
Pra, kjo është hera e dytë e juaja në Kosovë?
Jon Harrison –Po, ashtu është.
Ju na treguat histori interesante për stërvitjet dhe që e qëlluat atë djaloshin. Mund të na tregoni ndonjë histori të trishtueshme nga Kosharja.
Jon Harrison –Unë dhe Samiu ishim krenar me njerëzit të cilët i kishim stërvitur, dhe një mëngjes, erdhi lajmi se njëri nga ushtarët të cilin e kishim stërvitur ne, ishte vrarë nga bombardimet e NATO-s, dhe kjo na goditi shumë. Ishte ushtari i vetëm të cilin e humbëm. Një herë tjetër, ishin tre pjesëtar të njësitit “Delta”, gjersa rrinin dhe bënin muhabet, një granatë shpërtheu në mes të tyre, dhe kishin shrapnele nëpër tërë trupin e tyre, dhe erdhën në fshatin Popaj. Unë isha i stërvitur të jepja ndihmën e parë, së bashku me mjekun i cili ishte aty, sepse ne të dy ishim të vetmit të stërvitur për të dhënë ndihmë të parë mjekësore. Njërit burrë i jepja morfinë, që t’ia ndalja dhimbjen, dhe ai ashtu me dhimbje, e ngriti kokën dhe më tha: “Hej, tung Joni! Si je”? Ky ishte çasti i cili më bëri të qaja më së shumti. Ishte një çast joreal… një burrë i lënduar rëndë, ndërkaq i interesonte mirëqenia ime, më shumë se e tij.
Keni pasur rastin ta takoni Sali Çekajn?
Jon Harrison –Fatkeqësisht, ai kalonte më shumë kohë në front, dhe kontakti im më i shpeshtë ishte më Anton Çunin dhe Rrustem Berishën.
Pra, nuk jeni takuar me Sali Çekun.
Jon Harrison –Jo.
Cilët ishin personat të cilëve ju besonit më së shumti në atë kohë.
Jon Harrison –Unë i besoja shumë Samiut. Ai ishte përkthyesi im, truproja ime, shoferi im, atij ia dhashë pistoletën të cilën ma kishin dhënë mua, edhepse ishte një qitës i keq. Unë i thashë atij, se nëse na sulmojnë, ma jep mua pistoletën, e ti rri shtrirë. Atij i kam besuar më së shumti.
Cili ishte mendimi i juaj i parë, kur u takuat me UÇK-në, dhe kur i patë ndasitë mes luftëtarëve.
Jon Harrison –Ishte një gjë të cilën e thosha kur vinin për stërvitje, sepse aty duhej të vihej si vullnetar, se duhet ta lini politikën jashtë dere. E vishni uniformën, dhe jeni vetëm ushtarë. Ne përpiqeshim ta mbanim politikën sa më larg, dhe ne ia dolëm mbanë me këtë, sepse gjithë ajo që ne përpiqeshim, ishte, të ishim të sigurt se këta djem, të kthehen shëndosh e mirë në shtëpi. Ne kishim telashe kur takoheshim me ushtarë tjerë, nga zonat e ndryshme, por çdoherë kishte njerëz të gatshëm të vinin dhe të stërviteshin me ne.
E keni kuptuar ju ndonjëherë këtë ndasi politike, ju ka interesuar kjo ndonjëherë?
Jon Harrison –Shumë pak. Unë nuk isha i interesuar për këtë edhepse i dija këto, por, s’më interesonin. Detyrë e imja ishte të shpëtoja jetë njerëzish, duke i mësuar ata të mbeteshin gjallë. Mua kurrë s’më ka interesuar politika.
E kuptoj këtë, por, çfarë patë atje.
Jon Harrison –Pashë shumë pak nga kjo. Shumica e njerëzve kishin fituar fuqi, sepse ishte një beteje e madhe atje në Koshare, dhe ne vetëm donim të shkonim më tutje, të ktheheshim në Kosovë, dhe të shkonim në shtëpi. Pra, ta fitonim luftën. Por, siç thashë, përpiqeshim ta mbanim politikën sa më larg fushës së stërvitjes, jashtë derës, dhe kështu e mbajtëm këtë gjendje.
Pse e braktisët UÇK-në? Ju qëndruat 2 muaj e gjysmë, siç thatë edhe vetë. Pse u larguat?
Jon Harrison –Lufta mbaroi…
Pra, qëndruat deri në fund të luftës.
Jon Harrison –Ne zbritëm përmes Koshares poshtë në Junik, dhe qëndruam aty me tërë brigadën tonë, shkuam dhe i vizituam disa familje të ushtarëve të brigadës, dhe mendoj se shkuam edhe në shtëpinë e Sali Çekut, shkuam në shtëpinë e komandant Ramadanit, dhe në shtëpitë e komandantëve tjerë, që të shikonim nëse i kishin familjet mirë, dhe… lufta kishte marrë fund, puna ime kishte marrë fund, dhe NATO i mori gjërat në dorë.
Cila ishte ndjenja e juaj kur e përjetuat fundin e luftës, dhe njerëzit këtu e kishin fituar lirinë e tyre.
Jon Harrison –Ne e kishim një histori të shkurtër, komandanti im i brigadës, Rrustem Berisha më tha, edhe një luftë mbaroi, dhe do të shkojmë të pimë shampanjë në Prishtinë, dhe unë i thashë, jo, s’do ta bëjmë këtë. Do të shkojmë e të pimë kafe. Kur të jeni republikë e lirë, atëherë do të pimë shampanjë. Dhe kështu, erdhëm në Prishtinë dhe pimë kafe. Dhe pastaj në vitin 2008, unë u ktheva këtu, e patëm një banket të madh për nder të pavarësisë tuaj, dhe tërë brigada ishte aty, unë iu afrova komandant Berishës dhe i thashë: “Të kujtohet premtimi im? Ja ku është shampanja”. Dhe ne pimë shampanjë atë natë.
Pra, ju pitë shampanjë në vitin 2008, në ditën e pavarësisë, por, cilat ishin ndjenjat e juaja, kur kosovarët e fituan lirinë, dhe asaj kur ata e shpallën pavarësinë në vitin 2008.
Jon Harrison –Kur u futëm këtu, në vitin 1999, personalisht ndjeja se kosovarët ishin popull shumë krenar, dhe se fitoren ua kishin grabitur. NATO e përfundoi luftën, por, duhet ta kishte bërë UÇK këtë.
Kjo është pak e çuditshme, sepse janë pak njerëz të cilët mendojnë se UÇK mund ta kishte fituar vetë luftën, pasi ata luftonin kundër një fuqie të madhe ushtarake, siç ishte Serbia.
Jon Harrison –Them se pas fitores në Koshare, ne treguam se serbët mund të mposhteshin, dhe mendoj se duheshin edhe gjashtë muaj, që të arrinim edhe deri në Prishtinë, sepse, ajo fitore, do ta rriste numrin e njerëzve të cilët do t’i bashkoheshin brigadave, dhe kjo do t’i jepte shtytje përpara UÇK-së. Në vitin 1999, kishte edhe festime kur erdhëm në Prishtinë. Ishte një kohë gëzimi, por ishte një gëzim i rremë, dhe pastaj në vitin 2008, e pashë atë gëzimin e vërtetë, sapo u nënshkrua dokumenti i pavarësisë.
Ju flisni sikur një ushtarak i vërtetë, kur thoni se ishte një gëzim i rremë, sepse ju mendoni se UÇK, duhet ta kishte përjetuar atë lavdinë triumfuese në vitin 1999.
Jon Harrison –Po, ashtu mendoj unë.
Ju erdhët këtu përsëri në vitin 2008, dhe patë njerëz të lumtur.
Jon Harrison –Po, shumë të lumtur. Isha shumë me fat të isha në Prishtinë, dhe të shëtisja përreth, dhe atmosfera ishte shumë ngazëllyese, ishte ndenja më e fuqishme të cilën e kisha ndjerë ndonjëherë. Dhe dukej se çdo gjë që kishim bërë, ia vlente Info Magazine –tani.
Dhe ju thatë vetë me vete: Kam luftuar për këtë ditë!
Jon Harrison –Po.
Dhe, çfarë ishte ajo ndjenjë?
Jon Harrison –Ishte disi e papërshkrueshme, dukej sikur çdo pjesë e trupit tim e përshkonte një lloj rryme, thjeshtë, ishte e pabesueshme. Kisha ndjenjën se edhe unë vetë kisha ndikuar në një ndryshim, që ta sjellë këtë ditë… dhe të merrje pjesë në ditën e shpalljes së pavarësisë suaj, ishte dita më e lavdishme në jetën time.
Dhe, si e shihni tani Kosovën? Mendoj, kur e krahasoni me atë kohën kur njerëzit dhe UÇK bënin luftë për liri.
Jon Harrison –Që nga viti 2008 e deri më sot… dhe e shoh se Kosova e ka bërë një rrugë të gjatë, në vitin 2008, festimet ishin të madhërishme, dhe tani, ndjehet një ngazëllim, një ndjenjë e të qenit gjallë. Kosova është shteti më i ri në botë, dhe kjo hetohet, dhe mendoj se e ardhmja është e ndritur, dhe pret që Kosova ta fitojë vendin e vetë.
Siç e morëm vesh, ju jeni dekoruar nga ish kryetari, Fatmir Sejdiu. Çfarë mendoni për këtë?
Jon Harrison –Isha shumë i nderuar dhe i tronditur që e pranoja atë nder, dhe kishte shumë vlerë për mua, dhe zë vend të madh në zemrën time, sepse sikur ta pranoja një çmim të tillë sa isha në Forcat Britanike, ta pranoja një medalje, do të ishte normale kjo, por ta pranosh këtë nga një shtet i huaj, për të cilin ke bërë një punë të vogël, ka shumë vlerë për mua.
Mund ta bëni një krahasim mes luftërave tjera në ish Jugosllavinë, sepse ishit pjesëmarrës edhe në luftën e Kroacisë, të Bosnjës dhe të Kosovës. Ku ishte dallimi mes këtyre tri luftërave?
Jon Harrison –Dallimi qëndron se në Kroaci dhe Bosnje, kishte një lloj armatë të organizuar, kishim më shumë municion dhe armatim, kishim më shumë pajisje, që të bënim atë që duhej bërë, dhe në luftën në Kroaci shumë vendime të marra kanë qenë të motivuara politikisht, ta zëmë, bombardimi i Zagrebit u ndal, sepse ne u tërhoqëm nga Bosanski Brod, dhe kjo ishte e dhimbshme, dhe ishte rasti i vetëm ku unë isha tërhequr nga ndonjë vijë e frontit, pra, kjo ndodhi në Bosanski Brod. Kur erdha këtu, në ushtri kishte më tepër pasion. Në Kroaci, të mos them ndonjë gjë të keqe për armatën Kroate, ata kishin emocione, njerëzit vinin dhe e kalonin një vit në shërbim ushtarak kombëtar, dhe pastaj shkonin përsëri në shtëpi. Në Kroaci dhe Bosnje, pati shumë trima, por, në Kosovë…
Keni takuar shqiptar në Kroaci sepse ata morën pjesë në luftë në Kroaci. Kishte shumë shqiptar që morën pjesë në luftë atje.
Jon Harrison –Po, ishim shumë nga ta në zonën e Gospiqit. Unë e takova njërin i cili iu kishte bashkuar njësitit “Tigrovi”. Sigurisht që, në fillim, nuk e kuptoja motivin e tij…
Pse një shqiptar do të ishte këtu, duke luftuar për kroatët.
Jon Harrison –Po, pra. Edhepse unë isha një anglez në atë vend, nuk e kuptova lehtë këtë gjë. Unë erdha në Kosovë nëpërmes Shqipërisë, dhe e ndihmova UÇK-në në luftë, dhe tani e kuptoj pse e bëri ai këtë. E bëri për nderin e tij, për veten e tij dhe për njerëzit përreth tij.
Sa mora vesh unë, lufta që ishte më së vështiri të kuptohej nga një i huaj, ishte lufta në Bosnje.
Jon Harrison –Po, ishte shumë e vështirë.
Mund ta përshkruani pak këtë, nga pozicioni i juaj.
Jon Harrison –Bosnja ishte mbase një ndër vendet më të çuditshme për luftë. Mizoritë që kishin ndodhur atje, ishin pamjet më të tmerrshme që i kisha parë në jetën time, dhe mënyra sesi bota rrinte qetë dhe vetëm shikonte… Unë si një anglez, nuk e kuptoj pse e bënë këtë, dhe pse e lejuan një barbari të tillë, të vazhdonte kaq gjatë. Ata e dinin se çfarë po ndodhte. Por, vendimi që kroatët të futeshin në mes të kësaj, ishte i fuqishëm, madje edhe kur armata e Bosnjës dhe Hercegovinës u ngritën kundër forcave kroate, dhe këtë unë s’e kuptoja fare. Ne e luftonim një armik të përbashkët, dhe kjo ishte vërtetë një gjë e çuditshme për mua, sepse nuk e dije më, kë e kishe shok, e kë jo.
Dhe kush kë e luftonte.
Jon Harrison –Po. Ishte… prit pak, ne duhet t’i luftojmë ata atje, dhe pse ti gjuan në mua… Por, njerëzit e bënin dallimin. Në Bosnje pashë shumë pak refugjatë, sepse aty ku ishim ne, në front, nuk i shihnim.
Por, patë shumë civil të vrarë atje.
Jon Harrison –Po. Shumë madje. Kur ishim në fshatin Popaj, pamë shumë refugjatë të cilët vinin drejtë nesh, sepse ata ishin dëbuar nga forcat serbe, dhe ata kishin kaluar male, kishin kaluar pyje, dhe erdhën në Koshares, dhe deri tek ne. Edhepse duhet të ishim të fortë në sy të këtyre njerëzve, mua më rrodhën shumë lot derisa i shikoja ashtu, dhe derisa i dëgjoja rrëfimet e tyre.
Edhepse në Bosnje nuk patë gjë të tillë, donit të mos i shihnit këto pamje në Kosovë, të civilëve të vrarë në Kosovë, një lloj gjenocidi i cili ndodhte këtu.
Jon Harrison –Në një mënyrë, po. Kur filloi lufta në Kosovë, rrija në shtëpi dhe mendoja: mos përsëri, jo në emrin tim, dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse erdha këtu.
Pra, në Kosovë gjetët një motiv të fuqishëm, një ideal të fuqishëm tek njerëzit të cilët luftonin, jo sikur në Bosnje, mendoj në problemet se kush kë e luftonte, dhe politikën. Jeni krenar që ishit pjesë e luftës së Kosovës?
Jon Harrison –Po, më shumë se çdo gjë. E di që kjo tingëllon pak e çuditshme… në Armatën Britanike, keni tatuazhe për çdo vend ku keni qenë, dhe tërë jetën time, kam pasur frikë nga gjilpërat, dhe kurrë nuk e kam bërë asnjë tatuazh në jetën time, por…
Po përpiqeni të më thoni se e keni bërë një tatuazh për Kosovën?
Jon Harrison –Po. E kam bërë dy javë para se të vija këtu.
Në cilën pjesë të trupit?
Jon Harrison –Këtu! Kjo është nga “Delta”…
Duket interesant kjo!
Jon Harrison -Akoma nuk është e përfunduar. Do ta vendosë edhe shenjën e Brigadës 138. Në Fejsbuk, e kam shoqe të bijën e komandantit Ramadani, Lorenën, dhe e kam lutur që të ma japin lejen e familjes së tyre, që ta kam këtu, emrin e babait të saj, në llërën time, sepse është edhe emri i Brigadës. Duhej ta kërkoja lejen e saj, sepse këtë emër, do ta bartë me vete, tërë jetën time, dhe është emri i babait të saj. Jam i lumtur ta them që familja e saj më ka lejuar ta bëj këtë, pra, sonte do të shkoj në shtëpi, dhe të hënën në mëngjes, emri i tij do të jetë këtu.
Ju keni familje në Mbretërinë e Bashkuar, atje ku jetoni ju. E kuptuan ata që ju shkonit në një luftë të huaj, duke luftuar për shqiptarët. Si ishte reagimi i tyre?
Jon Harrison –Babai im i kaloi 27 vjet në Forcat Britanike, dhe ai më kuptoi menjëherë.
Pra, sikur një ushtarak që ishte.
Jon Harrison –Po. Sa i përket nënës time… e pyeta njëherë se çfarë mendonte për këtë… cila ishte ajo fjalë… madje s’mund të mendoj as anglisht tani…
Mbase jeni duke menduar shqip tani.
Jon Harrison –Po, jam duke menduar kroatisht, madje. “Je krenare me mua, për atë që kam bërë unë? Isha në Kosovë dhe në Kroaci.
E pyetët atë!
Jon Harrison –Dhe ajo tha: Po krenohem shumë me ty. Sepse ishe vërtetë një budalla që shkove atje. Ajo mendonte se s’do të kthehesha kurrë në shtëpi. Unë isha në Koshare, kur nëna ime e kishte ditëlindjen, dhe nëna ime më thoshte gjithmonë, se unë kurrë nuk i dhuroj asaj lule, dhe përmes Samiut, vëllai i tij, Bajrami, i cili akoma është në Londër, i dërgoi nënës time, buqetën e luleve, më të madhen që kishte parë ajo ndonjëherë për ditëlindjen e saj, dhe iu desh t’i fuste në katër kova, e mbushi madje vaskën me to. Dhe që nga ajo kohë, nuk pata më nevojë t’i blija lule asaj. Ia vlejti, sepse nuk pata më nevojë t’i blija lule.
Shumë interesante. Çfarë bëni tani? Ju jetoni në Mbretërinë e Bashkuar apo në Kroaci?
Jon Harrison –Jo, unë jetoj në Mbretërinë e Bashkuar.
Dhe çfarë punoni për momentin?
Jon Harrison –Jam i pensionuar për shkak të shëndetit, sepse fatkeqësisht, kancerin im është në fazën e fundit.
Kjo është hera e dytë që jeni në Kosovë, dhe keni shpresë të ktheheni përsëri?
Jon Harrison –Po, kam shumë shpresë. E tërë brigada, të gjithë njerëzit që takova, më thanë se donin të më shihnin këtu edhe vitin tjetër, sepse para pesë vitesh, doktori im më tha se i kisha vetëm edhe 18 muaj jetë, por, s’më tha kurrë se cilët ishin ato 18 muaj, dhe tani, jam duke u ballafaquar me këtë, dhe që tani, çdo vit do të vij përsëri në Kosovë, dhe të shoh se sa është duke përparuar.
Categories