Viti 2014 do ta mbetet gjithmonë në kujtesën e kampiones së botës, Majlinda Kelmendit.
Krenaria e sportit tonë, në vitin që po e lamë pas, ka shkëlqyer duke fituar titullin e kampiones së Evropës për seniore si dhe duke fituar titullin e kampiones së botës për të dytën herë.

Suksesi i Majlinda Kelmendit në tapetet e nxehta evropiane e botërore, ka bërë që gjithë shqiptarët të ndjen krenar me xhudisten pejanë, e cila në mënyrën më të mirë të mundshme ka përfaqësuar shtetin tonë në rrafshin ndërkombëtare.
Majlinda në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se viti 2014, është viti më i suksesshëm në karrierën e saj. Ajo thotë se ndjehet e lumtur më të arriturat në vitin që është në ikje.

“Viti 2014 ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën time. Për herë të parë jam bërë kampione e Evropës për seniore, për derisa jam bërë kampione e botës për të dytën herë në Rusi. Mirëpo përveç këtyre dy kampionateve, edhe në garat tjera ku kam marrë pjesë që kanë qenë kualifikuese për Lojërat Olimpike, kam marrë medalje të artë në çdo garë, e çka është shumë vështirë, sidomos në sportin tonë, e sidomos në këto kategoritë e ulëta, sepse janë diku 20 garuese, ku secila mund të mposhtë secilën, mirëpo në përgjithësi këtë vit e kam dominuar kategorinë time, sepse përveç që jam kampione e Evropës dhe Botës, jam edhe para në ranglistë sa i përket pikëve, kështu që ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm”, ka thënë Majlinda.

Ajo ka shtuar se qysh si fëmijë e ka ëndërruar një ditë të jetë numër një. Majlinda thotë se me përkushtim, vullnet të madh, mund të arrihen suksesi. Xhudistja pejanë thotë se qysh kur ka qenë 15-16 vjeç ka dëshmuar se mund të arrijë në nivele të mëdha evropiane e botërore.
Ajo që thotë se nuk ka ndjen më të mirë se të arrish titullin e kampiones së botës, kur vjen nga një shtet i ri, shtet me shumë probleme, e me varfëri të madhe.
“Është ndjen jashtëzakonisht e mirë. Dihet se shtetet si Franca, Japonia, Rusia, janë shtete që investojnë shumë në sport, e kur t’i vjen prej një shteti të vogël, prej një shteti të ri siç është Kosova, e që ka shumë probleme. Ka shumë njerëz që ndoshta nuk kanë shtëpi, e që s’kanë bukë më ngrenë, e nuk kanë kushte më shku në shkollë, dhe të arrish që nga ky vend të bëhesh kampione e botës është një ndenje e jashtëzakonshme. Përveç që gëzohem për medalje, gëzimi im është i dyfishtë, sepse suksesit tim i gëzohen gjithë shqiptarët dhe motivohen gjithë fëmijët”, tha ajo.
Kampionia e botës ka folur edhe për objektivat e ardhshme. Medalja në Lojërat Olimpike ‘Rio 2016’, është synimi kryesor i Majlindës. Ajo është e bindur se me punë mund të arrihet ky objektiv në Rio De Janiero, vend ky ku Majlinda në vitin 2013 ishte shpall kampiones e botës.

“Sigurisht se caku jem kryesor janë Lojërat Olimpike, por deri atëherë ka edhe shumë kohë, por jo edhe shumë, diku edhe një vjet e gjysmë dhe do të vazhdojë të punojë, e shpresoj se do të jem në një formë të tillë. Caku për vitin 2015 është Lojërat Olimpike në Baku që mbahen për herë të parë. Shpresoj se do të marrë medalje, jam favorit absolut, por cila do nga medaljet do të jetë e mirëseardhur për derisa caku kryesor është Lojërat Olimpike ‘Rio De Janiero 2016’. Rio ka qenë vend me fat për mua, ku në vitin 2013 jam bërë kampione e botës, kështu që shpresoj se do të jetë i njëjti edhe në vitin 2016”, ka theksuar Majlinda Kelmendi.
Ajo është e bindur se nga ‘Rio 2016’, Kosovës do t’ia sjell medalje.  /KP/