18 vjeçari Burim Veliu nga Haraçina vazhdon të gjendet në spital për shkak të plagëve që mori mbrëmë nga rrahja e huliganëve në sheshin e qytetit. Siç rrëfeu Burimi, një grup të rinjsh e goditën atë me tulla, duke i shkaktuar plagë të rënda në kokë. Ekipi i ALSAT arriti të vizitonte Burimin nga afër, për të kuptuar incidentit të djeshëm, por pamjet janë filmuar me celularë për shkak të mos lejimit të kamerave në këto ambiente.
“Isha duke ardhur në shtëpi, ishim duke kaluar nga qendra. Disa persona erdhën dhe më pyetën mua, a je shqiptarë apo maqedonas. Unë ju thashë se jam shqiptar, edhe mandej më sulmuan mua, më ranë me një tullë. Ma nuk di asgjë, kam ra pa vetëdije veç kur e kam pa vetën që jam në spital. Kam dhimbje koke, edhe krahu me dhemb dhe trupi mbas, edhe syri. Kanë qenë 30-40 vetëm ndoshta më tepër. Në atë moment nuk kam mundur t’i shihja se sa ishin. A janë kanë të maskuar, çka kanë pas me vete? Ka pas të maskuar, ka pas pa maska, kanë pas dru me veti”, deklaroi Burim Veliu, i rrahur.
Ndërkohë babai i Burimit, Sabit Veliu i bën apel ndaj autoriteteve të bëjnë të pamundurën për qetësimin e gjendjes së krijuar.
“Mbrëmë, djalin ma kanë rrah brutalisht edhe është i rrahur shumë dhe tërë natën ka ndejtë në shok dhomë. Tash nuk ndjehet mirë. Mjekët thanë ta ndalin prapë për shërimin e mëtutjeshëm që të shihet se çka. Unë nuk e di me këtë qeveri, me këtë shtet, ne shtet tjetër nuk kemi , ne e kemi këtë shtet tjetër nuk kemi, nuk di pse nuk ndërmarrin diçka bile këto huliganë mi ndal edhe mos me ndodhë kësi raste jo vetëm djalit tim po këtu ka raste edhe tjera me shumicë që po ndodhin. Për atë ju lus Qeverisë, ju lus edhe zotëri Ali Ahmetit që të ndërmarrin diçka, të ndalojnë këto raste që nuk i mban as toka e jo ti mbaj qelia njerëzore”, tha Sabit Veliu, prind.
“Unë bëj apel deri te Stojanco Angellov, në qoftë se ka ai diçka me UCK, me komandantët mos të dale të keqtrajtojë gratë shqiptare dhe fëmijët, po le të na kërkoje neve, unë jam ish pjesëtar i UCK-së i 2001, në qoftë se ka diçka le të dalë le të më kërkoje mu, le ti kërkojë komandantët, në qoftë se ai do me nxjerrë hakun e vet që ka qenë i plagosur ne 2001 ….”, u shpreh një familjar.
Mbrëmë në spitalin e qytetit, 5 qytetarë shqiptarë kërkuan ndihmë mjekësore. Dy prej tyre u mbajtën në spital ndërkohë që të tjerët u lëshuan për kurim në shtëpi.
“Kemi qenë në stacionin e autobusëve në rrugën “Jugodërvo”. Për njëherë ka ndodhur ngjarja, më shumë se 100-200 vetë kanë qenë dhe kanë goditur nga kanë mundur. Kjo nuk është në rregull. Del ashtu siç duhet, nuk kthehesh normal”, tha një qytetarë.
Drejtoresha e spitalit të qytetit Jasmina Cabukovska nuk pranoi të prononcohej lidhur me gjendjen shëndetësore të qytetarëve të plagosur. Përmes linjës telefonike ajo tha se në spital është pranuar vetëm një i plagosur, i cili do të lëshohet kurim në shtëpi. Drejtoresha Cabukovska mohoi se 5 të tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. /Alsat-M
Categories