Pasi rinovoi zyrtarisht me Realin e Madridit, ende askush nuk e ka krejtësisht të qartë se sa pará do të përfitojë Kristiano Ronaldo.
Edhe mediat spanjolle janë kontradiktore: nga 21 milionë euro neto në vit (“As” dhe “El Pais”) në 15 të radios “Cadena Ser”, duke kaluar në 18 milionët e “El Mundo”-s dhe 17 të “Marca”-s.
Sigurisht, shifrat më të larta janë produkt edhe i menaxherit të Ronaldos, Horge Mendes, të cilit i intereson që klienti i tij të jetë futbollisti më i paguar në botë.
Burime të afërta me Realin flasin për një tjetër skenar: me marrëveshjen e re portugezi ka kaluar nga 10 milionë në 13 fikse, të cilave u shtohen disa shpërblime në varësi të rendimentit individual. Me këto, shifra shkon në 15 milionë euro, përveç 2 milionëve të tjerë në varësi të sukseseve të skuadrës.
E thënë më thjesht, 28-vjeçari i ka të garantuara 35616 euro në ditë e nëse ai dhe Reali shkëlqejnë, dita do t’i shkojë 46575 euro pa llogaritur përfitimet nga të drejtat e imazhit, ku ylli madrilen ka 40%.
/Start/