Prof. Xhasim El-Mutava
Edukimi i mirë i fëmijëve të Sad-it
Në këtë temë do të ndalemi tek sahabi i nderuar Sad ibnu Ebi Vekkas. Ne do të përqendrohemi në jetën e tij familjare, sidomos në kujdesin e veçantë që tregonte për edukimin e fëmijëve të tij. Ajo që e ndihmonte për këtë, ishte dashuria që ai kishte për fëmijët.
Kur Profeti a.s bashkë me muslimanët e tjerë mbanin në duar flamurë të shumtë. Një nga ata që mbanin flamur, ishte dhe Sad ibnu Ebi Vekkas.
Pas marrjes së Mekes, Sadi sëmuret rëndë saqë zë shtratin. Profeti a.s shkoi t’a vizitojë dhe mes tyre u zhvillua një dialog i këndshëm. Sadi kishte një vajzë me emrin Aishe të cilën e donte shumë.
Dialogu mes Profetit a.s dhe Sad ibnu Ebi Vekkasit
Pasi Profeti a.s u ul në shtëpinë e Sadit, ky i fundit i tha:”O i dërguari i Zotit! Unë dua t’a lë në testament që e gjithë pasuria ime të jepet në rrugë të Zotit.”
Profeti a.s i tha:”Jo o Sad.”
Sadi tha:”Atëherë do të porosis që të jepen 2/3 e pasurisë.”
Profeti a.s i tha:”Jo”
“Atëherë do të porosis që gjysma e pasurisë të jepet në udhë të Zotit.” Tha Sad.
Profeti a.s e kundërshtoi përsëri.
Sadi i tha:”Atëherë do të porosis që të jepet vetëm 1/3 e pasurisë.”
Profeti a.s i tha:”Një e treta dhe është shumë o Sad. Është më mirë që pasardhësit e tu t’i lësh të pasur, sesa t’i lësh të varfër duke lypur nga njerëzit.”
Pas këtyre fjalëve, Profeti a.s e luti Zoti që Sad ibnu Ebi Vekkasit t’i japë pasardhës të mirë dhe të ndershëm.
Më vonë, Sad u shërua nga kjo sëmundje dhe e pa me sytë e tij realizimin e lutjeve të Profetit a.s në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve.
Sad ibnu Ebi Vekkasi i donte dhe ishte shumë i dhënë pas fëmijëve dhe pasardhësve, gjë e cila është në natyrën e njeriut. Vetë shtimi i njerëzimit, vjen si rezultat i kësaj natyre tek njeriu.
Koncepti i gabuar që ka krijuar dhe stimulon perëndimi mbi familjen, ka ndikuar drejtpërdrejt dhe në konceptin e pasardhësve. Rishikimi i konceptit të familjes, ka kërkuar dhe rishikim të konceptit të pasardhësve. Por si mund të jetojë njeriu pa familje dhe pa pasardhës të tij? A nuk është vetë natyra e tij, ajo që ia kërkon dhe ia imponon diçka të tillë?
Zoti i madhëruar e krijoi gruan nga brinja e burrit. Ishte plotësisht e mundur që të krijonte gruan nga dheu, ashtu siç krijoi dhe burrin. Kjo, për të shtuar harmoninë mirëkuptimin dhe dashurinë mes burrit dhe gruas.
Pas lutjes së Profetit a.s, Sadit i lindën fëmijë të tjerë. Ai ishte shumë i dhënë pas edukimit të tyre dhe i dashur me ta.
Një fragment që tregon lidhjet e tij me fëmijët dhe dashurinë për ta, ndodhi mes tij dhe djalit të tij, gjatë kohës së konfliktit me Uthman ibnu Affanin. Pas vrasjes së Uthmanit, Halifeja i muslimanëve ishte Ali ibnu Ebi Talibi. Mes Aliut dhe Muaveijes ndodhi një mosmarrëveshje, për shkak të reagimit të duhur ndaj vrasësve të Uthmanit.
Nga një konflikt i tillë, dukej sikur muslimanët ishin ndarë në dy pjesë: Një pjesë përkrahnin Muavijen dhe pjesa tjetër Aliun.
Sad ibnu Ebi Vekkas i edukon fëmijët edhe në raste fitnesh
Kur djali i tij Amir i kërkoi të pozicionohet, Sadi i tha:”O biri im! Nëse më duhet t’a udhëheq këtë konflikt dhe fitne, më duhet një shpatë e cila të më tregojë kush është besimtari i mirë dhe kush është dashakeqi dhe mbjellësi i këtij konflikti që t’i heq kokën.”
Ai ishte i qartë dhe transparent në ato që thoshte.
Ndërkohë që po flasim mbi dhjetë të përgëzuarit me xhenet, unë uroj dhe e lus Zotin që një dialog dhe debat kaq konstruktiv dhe me vlerë, t’a kemi pjesë të jetës tonë të përditshme.
Kohët e fundit kam pasur në duar një studim që tregonte kohën që babai u kushtonte fëmijëve dhe qëndrimit me ta. Unë vetë jam befasuar kur pashë që në disa shtete, babai u përkushtohej dhe qëndronte me fëmijët vetëm 12 minuta në ditë. Ndërkohë që kishte shtete të tjera, ku babai qëndronte me fëmijët vetëm një minutë në ditë. Ndërkohë që në disa studime mbi vendet arabe, tregohej se babai nuk qëndronte me fëmijët më shumë se gjysëm ore në javë.
Një herë, kur ndodhesha në një konferencë dhe trajtoja këtë problem, një nga doktorët pjesëmarrës u ngrit dhe tha:”O filan. Kam frikë se në shoqërinë tonë, babai nuk ulet as dhe një minutë me fëmijët e tij.”
Nëse baballarët janë të angazhuar dhe nënat po ashtu, në dorë të kujt do i lënë fëmijët atëherë?! Do ua dorëzojmë rrugës, shërbëtorëve apo mjeteve të informacionit?
Sad ibnu Ebi Vekkas mbajti një qëndrim parimor, duke e orientuar të birin se si duhet të sillet në raste konflitesh dhe fitnesh.
Sad ibnu Ebi Vekkas, para se të vdesë zhvilloi një dialog me të birin, Mus’abin. Çastet e fundi të jetës së Sadit, na i rrëfen Mus’ab. Në fjalët e tij vëren interesin dhe përkushtimin e babait, për të përcjellë tek fëmijët e tij vlerat më të larta edukative. Edhe në çastet e fundit, ai dëshironte t’i edukojë me frymën e besimit, optimizmit për të ardhmen dhe shpresën që kishte në mëshirën e Zotit.
Tregon Mus’ab:”Ndërkohë që babai po vdiste, e kishte mbështetur kokën në prehërin tim. Unë fillova të qaj dhe lotët më rridhnin çurg.”
Ai e ngriti kokën dhe më tha:”Përse qan o biri im?”
Unë i thashë:”Për gjendjen në të cilën ndodhesh o baba.”
Atëherë, ai ma ktheu:”Mos qaj o bir. Zoti nuk do e ndëshkojë babanë tënd, pasi do të jem nga banorët e xhenetit.”
Me këto fjalë, të cilat edhe pse të pakta, Sad ibnu Ebi Vekkas dëshironte të ngrejë lart moralin e djalit të tij, dëshironte të kultivojë tek ai optimizmin dhe shpresën në mëshirën e Zotit.
Ky ishte Sad ibnu Ebi Vekkasi, një nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet dhe ai për të cilin vetë Profeti a.s ka thënë:”Sadi është daja im. Mi tregoni ju të tjerët dajat tuaj.” Ndërkohë që në një betejë, Profeti a.s e nxiste me fjalët:”Gjuaj o Sad, flijofsha babanë dhe nënën time për ty!”
Në një kronikë tjetër thuhet se kur i erdhi vdekja Sad ibnu Ebi Vekkasit, kërkoi t’i sillnin një xhybe të vjetër prej leshi. Pasi ia sollën, ai u tha:”Dua që të më qefinosni në këtë xhybe, pasi me këtë xhybe kam luftuar në betejën e Bedrit dhe e kisha fshehur për ditën që do të vdes.”
Ditën që ndërroi jetë Sad ibnu Ebi Vekkasi, kur e sollën në xhami për t’i falur xhenazen, Ummu Seleme tha:”Ky ishte nga ata që kishin mbetur nga shokët e Profetit a.s.”
Sad ibnu Ebi Vekkas ishte muhaxhiri i fundit që ndërroi jetë. Ai ishte nga dhjetë të përgëzuarit me xhenet dhe edukimit të fëmijëve i kushtonte një rëndësi tejet të veçantë. Ai i edukoi fëmijët e tij me sinqeritet, qëndresë, vlera, transparencë, optimizëm etj…
Si sillej dhe si i trajtonte fëmijët e tij Sad ibnu Ebi Vekkas?
Vlera të tilla, i mungojnë shoqërisë moderne. Shqetësimi më i madh i prindërve të sotëm është sigurimi i ushqimit dhe veshjes së fëmijëve. Edukimin e fëmijëve, prindërit e sotëm e kanë shpërfillur dhe neglizhuar. Të edukosh fëmijët do të thotë që të ulesh me ta, të debatosh dhe dialogosh me të butë, të kërkosh mendimin dhe këshillën e tyre, t’i orientosh në rrugë të drejtë etj…
Ndërkohë që prindërit e sotëm sillen me fëmijët e tyre si komandantët ushtarakë me ushtarët dhe vartësit e tyre. Edukimi i fëmijëve nuk bëhet me urdhëra, obligime dhe imponime. Edukimi është dashuri dhe dhembshuri.
Përveç vlerave të tjera, Sad ibnu Ebi Vekkas njihej si lutje pranuar. Për këtë, vetë Profeti a.s ishte lutur:”O Zot! Pranoja lutjet Sad ibnu Ebi Vekkasit sa herë të lutet.”
Një lutje të tillë, Profeti a.s e kishte bërë gjatë betejës së Uhudit. Ai ishte lutur tre herë:”O Zot! Pranoja lutjet Sad ibnu Ebi Vekkasit sa herë të lutet.”
Tregon Abdullah ibnu Umer:”Ishim të ulur pranë Profetit a.s dhe në një moment, Profeti a.s tha:”Tani do të vijë një banor nga banorët e xhenetit!” Dhe ai që erdhi në ato çaste, ishte Sad ibnu Ebi Vekkas.”
Gjatë Kalifatit të Umer ibnul Hattabit, Sadi ishte vali i Kufas. Banorët e Kufas, filluan të ankoheshin tek Umeri se Sadi nuk dinte të falej mirë.
Umeri e thirri dhe e pyeti mbi këtë çështje. Sad ibnu Ebi Vekkas i tha:”Jam falur me ta ashtu siç falej vetë i dërguari i Zotit.”
Umeri i tha:”Ky është mendimi yt o Sad.” Nga ana tjetër, Umeri dërgoi njerëz të tjerë për të hetuar rreth kësaj akuze. Në çdo xhami që hynin dhe pyesnin mbi namazin e Sad ibnu Ebi Vekkasit, valiut të tyre, frekuentuesit e xhamisë i thonin fjalë të mira dhe e lëvdonin. Kur vajtën në xhaminë e fisit Benu Abes, një nga pjestarët e fisit që quhej Ebu Sade, u tha:”Nëse kërkoni mendimin tonë rreth tij, atëherë ne themi që ai kurrë nuk gjykon drejt në çështjet që i paraqiten, nuk ndan drejt dhe kurrë nuk shkon të shoqërojë ushtrinë në luftra.”
Sad ibnu Ebi Vekkas ndërhyri dhe tha:”O Zot! Nëse ai po më akuzon padrejtësisht, verboja sytë, zgjatja jetën dhe ekspozoje para sprovave dhe fitneve.”
Duke qenë i bindur se ky person e akuzonte padrejtësisht, Sadi deshi që t’a bëjë shembull për të tjerët që të mos akuzojnë padrejtësisht.
Një nga dëshmitarët e kësaj ngjarjeje tregon:”Për Zotin e kam parë këtë burrë rrugëve të qytetit duke ngacmuar vajzat e reja. Kur e kam pyetur, më përgjigjej që është i verbër, i sprovuar nga Zoti, si pasojë e lutjes së Sad ibnu Ebi Vekkas.”
Sad ibnu Ebi Vekkas ishte një nga heronjtë e ushtrisë muslimane. Bashkë me ushtrinë muslimane, ai mori Irakun dhe u bë guvernator i tij. Më vonë u nis drejt Medainit të Persisë. Ditën e betejës me persët, Sadi ishte komandant i ushtrisë, por nuk mundi të marrë pjesë në betejë për shkak të plagëve që kishte marrë më parë. Ai e komandonte dhe drejtonte ushtrinë i ulur. Pasi muslimanët i mposhtën persët dhe hynë në rezidencën e perandorit pers, Sad ibnu Ebi Vekkas bashkë me ushtatët hynë brenda dhe falën tetë rekate namaz, si falenderim dhe mirënjohje ndaj Zotit për triumfin e korrur.
Një fragment tjetër e rrëfen djali i tij Amir. Ai thotë:”Ndërkohë që babai ishte mes kopesë së deleve të tij në shkretëtirë, vjen djali i tij Umeri, i hypur në kalë. Kur e pa nga larg, babai tha:”O Zot më ruaj nga e keqja e këtij që po vjen.”
Kur erdhi Umeri i tha:”O baba! Si pranon të qëndrosh mes deleve të tua, ndërkohë që njerëzit e tjerë po garojnë kush merr pushtetin?!”
Ai e qëlloi me pëllëmbë djalin e tij në kraharor dhe i tha:”Pusho o biri im! Unë e kam dëgjuar të dërguarin e Zotit të thotë:”Zoti e don robin e tij të devotshëm, të pastër dhe të panjohur nga njerëzit.”
Ishte kjo metoda që ndiqte Sad ibnu Ebi Vekkasi në edukimin e fëmijëve të tij.
Paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Categories