Categories
Opinione

“Secili për vete, Zoti për të gjithë”!

Shkrimin në vijim do mundohem ta bëj “për inat të mbamendjes sime”, pavarësisht se në fund mund të dalë si ai muhabeti me “zarar”! Ndoshta këtij shkrimi që në fillim do t’i  nëpërkëmbet pjesa humane dhe ajo emancipuese. Duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, do të bëj përpjekje që sa më pak të hetohet ana johumane e saj. Dashamirësit e fjalës së shkruar thonë se nëse do “ta vrasësh” poetin “vidhja” idetë dhe stilolapsin, nëse do “ta asgjësosh qemanexhiun dëmtoja” gishtat, nëse do që ta “hidhërosh” historianin, rishkruaja historinë, nëse do “ta zymtosh” një nënë të re, hiqja fëmijën e sapolindur nga gjiri…, nëse do “ta përlotësh” mërgimtarin, “vidhja” kujtimet, shpresat dhe ëndrrat. Unë, si shkrues i këtij artikulli, nuk i dua fjalët denigruese që u përmendën më lart.
Kryepersonazhi i këtij shkrimi do të jetë një mik imi nga fëmijëria. Mbase sot e gjithë ditën e Perëndisë, nuk është një njeri dokushdo. Kohë më parë ishte kthyer nga një vend shumë i largët. Po përgatitesha emocionalisht për takimin me të. Thënë intimisht, që në fillim “nuk e doja dhe nuk e parapëlqeja” këtë takim. Thash më vete, e “ç’ta dua”  këtë takim pas plot pesëdhjetë motesh. Nuk doja ta “bëj a ta realizoj” këtë, sepse e dija paraprakisht se më mungon “takati emotiv”? Që në fillim më tha se kthehet nga një vend i madh dhe shumë i pasur. Këtij “vatani të dytë” të tij ia shtoi një “të keqe” duke thënë: “Ha, merr dhe ik, po nuk ike, të hëngër”!? Se pse “kishte ikur” nuk më tha gjë, po as që më dha mundësi t’i parashtroj pyetje shtesë rreth kësaj vakie. Më dukej një njeri krejt tjetërfare, sikur kujtimet e tij, po edhe të miat, i kishte futur në strajcë dhe i kishte varur diku në një cep të asaj anijes tejoqeanike, me të cilën kishte rrugëtuar shumë kohë më herët drejt tokës së premtuar!? Më dukej sikur mallin për vatanin e stërgjyshit donte ta godiste me kokë.
Eh sa me zotnillëk e aristokraci e vazhdoi muhabetin. Fjalët i thoshte me karar me temsil dhe me atë filozofinë popullore…, fjalë të qëlluara dhe të denja për trashëgiminë familjare. Fjalët që i dilnin nga goja sikur ishin të heshtura, të pathëna, të përgjysmuara, të shkurtra…, kohë pas kohe i tërhiqte zvarrë…, ca i thoshte me atë theksin geg…,  pavarësisht se disa prej tyre nuk i thoshte  me “tamam”! Sikur koha si “për inat” e kishte bërë të veten. E gjithë kjo më krijoi përshtypjen se ishte një evokim i tij personal dhe i papërsëritshëm. I parashtrova pyetjen se ç’hall e solli këtej afër nesh. Vonë u ndërgjegjësova rreth pyetjes së gabuar dhe idiotike, më iku dhe pse më iku nuk i di!  “Hazërxhevapin” e kishte majë gjuhës, por që fare nuk përkonte me pyetjen time të parashtruar! Sikur e preu fjalën me sëpatë dhe duke mos u hamendur më tha: “Edhe ti, miku im, do të merresh me hallet e mia…, edhe ti do ma qash hallin”!?? Ç’është e vërteta, halli dhe malli i tij përkonte me vatrat e stërgjyshërve dhe vaktet e tyre, me vaktet e rebeluara, përkonte me dëshirën që donte ta shfaqte botërisht edhe atë pak nostalgji dhe pak dashuri që i kishte mbetur për vatanin, sikur donte ta fshihte mllefin e tij me shumicë ndaj njerëzve që e kishin harruar.
Për të mos e zvarritur e stërholluar paragrafin hyrës të këtij shkrimi, do të them se njeriu që duhej ta takoja, nuk është dokushdo, ai është pinjolli i vetëm dhe i fundit i familjes më të njohur në historinë e Tetovës. Ky nuk është i vetëshpalluri patriot, s’është as i vetëshpalluri pinjoll i familjes së tij elitare…, atë familje ka shumë kohë që për elitare e ka shpallur historia kombëtare. Ai nuk kishte ardhur në vendin e stërgjyshërve, për “të bërë” pazarin e historisë e të të qenit patriot a populist…, ai kishte ardhur për ta prishur atë pazarin e madh të heshtjes dhe indiferencës sonë kolektive sa u përket emrave që ndërtuan një kapitull të ndritur të retrospektivës sonë! Nuk kishte ardhur “të shesë dhe as të shfaqë” historinë e familjes, nuk kishte ardhur të kërkojë tokën e zaptuar…, thjesht donte të thoshte se kjo histori nuk mund të shtrembërohet apo të keqkuptohet nga kalorës të vonuar të kauzës së përbashkët. Nuk arriti dot “ta prish këtë treg”, sepse mbamendja kolektive e njerëzve, sidomos e atyre që mashtrohen lehtë dhe që nuk dallojnë mikun nga armiku dhe që sot jetojnë në trevat e stërgjyshërve të tij, moti kishte dhënë shpirt! Vendin e atij shpirti të çiltër e kishte zëvendësuar pamirësia, çmenduria, egoizmi, harresa, dashakeqësia, inati homerik (ndërshqiptar) si dhe shpirtvogëlsia!
Se kjo ishte bisedë, takim, se ishte një evokim i njëanshëm, se ishte një këmbim fonetik dhe në instancë të fundit edhe një fundajë e një muhabeti emocional, nuk e kuptova dot. Një është e vërtetë: secili prej nesh bënim përpjekje “të vjedhim” nga njëri-tjetri kujtimet adoleshente, sikur shtireshim si të rinj, sikur gënjenim njëri-tjetrin, sikur përballeshim me kohë të humbura, sikur e gjithë kjo bisedë të ishte e sajuar paraprakisht. Aq shumë kishim për të thënë, saqë në fund nuk e thamë atë që duhej ta thoshim dhe ta dëgjonim. Në “fund” të bisedës më tha: “Mik i dashur, më ndihmo ta gjejmë mejhanen e Sazanit, atë pijetoren ku venë lloj-lloj njerëzish që bëjnë zhurmë”!? E pyeta se ç’i duhej “mejhania”! Ma ktheu: do shkoj të paguaj një borxh që i kam mbetur kamerierit për dy pije! Dhe kur vajtëm për ta “shlyer borxhin”, pronari i ri i mejhanes, na tha se Sazani ka shumë kohë që nuk ka shkelur në derë të mejhanes sime. Ku ta dijë njeri se ku kishte degdisur.
Gjithsecili që do ta lexojë këtë histori ka të drejtë ta pëlqejë a të mos e pëlqejë, në veçanti ata që fare pak e njohin, assesi nuk kanë të drejtë t’i shtojnë a t’i heqin asnjë të vetme provë, pikë a presje. Në fund të këtij shkrimi, dedikuar një historie të lavdëruar, do të themi se kryepersonazhi në fjalë, nuk lejoi që t’i “.., nënshtrohet atij parimi tribal, ku pos të tjerash thuhet: Secili për vete, Zoti për të gjithë…, andaj sot, në këtë rrëmujë dhe zhurmë të madhe, nuk ka rëndësi kush je, e ç’ke bërë, por si dhe ku di të shfaqësh (d.m.th. ku do të shesësh) veten”!, do të thoshte Kiço Blushi nga Shqipëria. Miku im nuk erdhi këtu as ta shesë e as ta shfaqë veten…, sepse këtë që moti e kishte bërë për të historia jonë kombëtare. Shoku i fëmijërisë sime përgjithmonë mbetet pinjoll i kryefjalës së kryeqytetarisë tetovare!
P.Sh.
Në këtë shkrim kam përdorur qëllimisht pjesë të nëndialektit të Fushës së Pollogut.

Exit mobile version